TIRANË, 27 Janar/ATSH-Maela Marini/.- Reforma në drejtësi ka mbledhur sot krerët më të lartë të shtetit, përfaqësues të institucioneve europiane, opozitës dhe shoqërisë civile, në një tryezë të përbashkët ku u diskutua për nevojën e ndërmarrjes së një reforme të qëndrueshme dhe afatgjatë.
I ftuar në këtë tryezë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, deklaroi se të gjitha institucionet dhe aktorët e përfshirë në sistem janë të vetëdijshëm për nevojën e reformës në drejtësi, por për realizimin e saj nuk kërkohet vetëm dëshirë, por nevojitet edhe vullnet".
Duke e konsideruar reformën në drejtësi një prioritet madhor, Nishani theksoi se kjo reformë nuk mund të bëhet në funksion të militantizmit partiak, apo për të përqendruar gjithë pushtetin në një dorë të vetme.
Ai vlerësoi asistencën dhe mbështetjen e Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Evropës për sistemin e drejtësisë, ndërsa theksoi se shoqëria shqiptare i ka kapacitetet për të realizuar këtë reformë.
Lidhur me çështjen e pagave të sistemit të drejtësisë, Nishani u shpreh për rritjen e pagave të gjyqtarëve, si një mënyrë për të inkurajuar gjyqtarët e ndershëm në punën dhe misionin e tyre. "Jam i vetëdijshëm se ky nuk është mekanizmi i vetëm në luftën kundër korrupsionit", deklaroi kreu i shtetit.
Ai nënvizoi gjithashtu nevojën e konsolidimit të Gjykatës së Lartë dhe tha se, ka ardhur koha për t'u fokusuar në çështje reale.
Ndërsa Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio u shpreh se nëse të gjitha partitë do të bashkohen mbi parimet e ndershmërisë, efektet e dekriminalizimit do të ndjehen menjëherë".
Nga ana tjetër, ai deklaroi se opozita duhet të ushtrojë në mënyrë konstruktive të drejtën e saj të opozitarizmit, pasi bllokimi i parlamentit është mosfunksionim i opozitës. "Nëse partitë politike do të zgjedhin kandidatë pa probleme, atëherë dekriminalizimi do të ketë efekte", tha ai.
Sipas tij, "parlamenti i ndarë ngadalëson reformat". "Kushtetuta juaj është produkt ndërkombëtar ndonëse është përgatitur me ndihmën e Komisionit të Venecias. Funksionimi demokratik është penguar nga konflikti politik. Partitë opozitare mund të kërkojnë ndryshime në ligj, por deri sa të bëhen ato duhet të respektojnë ligjin aktual. Duhet ndërtim i një uniteti kombëtar rreth institucioneve dhe dekriminalizimit të parlamentit," theksoi Buquicchio. (vijon)








