Reforma,negociatat e stërzgjatura
ja si e arritën palët marrëveshjen

Reforma,negociatat e stërzgjatura<br />ja si e arritën palët marrëveshjen
Konsensusi i prishur mesnatën e së mërkurës, rinisi rrugën drejt formësimit sërisht mëngjesin e djeshëm me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Kjo konferencë e drejtuar nga Ilir Meta u përcoll me debate dhe tensione, nga ku nuk u dol me një produkt konsensual përpos përpjekjeve në takimin e hapur, e më pas të mbyllur për median. Meqë nga kjo tryezë dështoi, Ilir Meta hapi seancën plenare duk thënë se nuk u arrit konsensus, dhe u dha ultimatum palëve që të merrnin disa orë kohë për të gjetur zgjidhje, në rast të kundërt, ajo që do të ndodhte nuk do të ishte e mirëpritur nga të gjithë.

Meta
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta deklaroi në pjesën e parë të seancës plenare paradite se nëse palët nuk do të arrijnë konsensusin për miratimin e Reformës në Drejtësi, ai do ta votojë në seancë por pas këtij veprimi ai do të japë dorëheqjen. Meta ka shtuar se i ka bërë thirrje Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për të pranuar marrëveshjen e arritur, ndërkohë që palët duhet të vendosin për një vendim jo të njëanshëm, por ka theksuar se konsensusi duhet të gjendet vetëm sipas Venecias. Megjithatë, kreu i Kuvendit ka theksuar se nëse PD nuk jep dakordësi, atëherë ai do ta votojë reformën dhe pa konsensus, e pas këtij momenti do largohet nga drejtimi i Parlamentit. “E vetmja mënyrë për të arritur konsensusin është sipas Venecias. Unë besoj shumë tek përgjegjshmëria e Bashës. Nëse PD pas sqarimit të këtyre momenteve nuk pranon ta votojë unë do ta votoj reformën pa konsensus dhe do jap dorëheqjen”, tha ai.

Apeli i kryetarit të Kuvendit ka shkuar drejtpërdrejt për përfaqësuesit e opozitës, pasi siç u shpreh Meta, nuk mund të lejohet që vendi të qëndrojë prapa edhe për 30 vite të tjera. “I kam bërë thirrje Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për të pranuar këtë marrëveshje. Është i rëndësishëm konsensusi patriotik sepse ky ndryshim kushtetues nuk duhet te jetë i njëanshëm. Nuk është një ndryshim elektoral po për të gjitha dekadat ndaj do të votohet patjetër. Për dy tre gjëra nuk mund të rrezikojmë të ardhmen e integrimit europian të Shqipërisë sepse pa dialog politik nuk ka përparim të vendit. E kam ngritur tonin sepse kam pasur përgjegjësi të madhe, sepse në këtë parlament kemi bërë akte që nuk duheshin. Nuk dua që për disa paqartësira të lëmë Shqipërinë mbrapa edhe për 30 vite të tjera” vijoi Meta.  Nga ana tjetër, Meta i ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë dhe atyre amerikanë që të jenë të qetë pasi nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar. “U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë dhe amerikanë të jenë të qetë sepse nuk do të ketë asgjë për tu shqetësuar. Konsensusi është më i rëndësishëm se reforma, sepse pa të do të kemi probleme, do të japim një opinion të keq në vend dhe para ndërkombëtarëve. Jam i vendosur të sqarohemi me opozitën dhe të ruajmë konsensusin. Stabiliteti i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe SHBA, sepse jemi vend i NATO-s, prandaj duhet të jemi më të përgjegjshëm”.

Negociatat
Meta ka ndërprerë seancën dhe ka deklaruar se, do të vijojë negociatat në mënyrë që ndërkombëtarëve t'i jepet mesazhi që reforma do të votohet. Pas kësaj, në Kryesinë e Kuvendit u zhvilluan takime mes Ilir Metës dhe Lulzim Bashës në prani të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin. Pasi përfundoi takime me kreun e Kuvendit dhe atë të opozitës, Lu dhe Vlahutin u takuan me kryetarin e komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj. Ishte i vetmi që socialist që negocioi pasi Edi Rama nuk mori pjesë në takime, me argumentin e përhershëm, se ai do të firmosë cdo produkt të dakordësuar nga SHBA e BE dhe nuk do të ishte pjesë e diskutimeve. Gjatë kësaj kohe, raporteri për Shqipërinë Knut Fleckenstein ka pasur telefonata me kryetarin e kuvendit me të cilin është njohur për vijimin e bisedimeve. Më pas, Basha njoftoi se kishte dhënë dakordësi për formulën. Marrëveshja u arrit pas negociatash të vështira për një nen, për mënyrën se si do të zgjidhen nga Parlamenti dhjetë anëtarë, 5 në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe 5 në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ata zgjidhen nga Parlamenti, por më parë më parë do të kalojnë në një veting nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Ky është një kriter i ri që është futur në marrëveshje sepse OMN-ja më përpara do të votonte vetëm anëtarët komisionit që do të bënin vetingun e të tjerëve.  

Më pas, anëtarët që skedohen pasi të bëhen aplikimet (aplikimet janë pakufizime nga ndonjë institucion si Dhoma e Noterisë apo Avokatisë siç ishte më përpara) do të shkojnë në komisionin 5 anëtarësh, 3 të mazhorancës dhe 2 të opozitës. Në këtë komision do të përzgjidhen me rekomandimet e OMN-së dhe do të krijohet një listë konsensuale, pra nuk do të ketë votë. Pasi është arritur konsensuesi në këtë listë, në komisionin 3+2, kjo listë e përbashkët do të shkojë në bllok në Parlament dhe aty votohet me një shumicë të cilësuar prej 2/3-ve. Nëse lista nuk miratohet anëtarët do të zgjidhen me short. Pas dakordësinë së palëve politike, u desh mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, i cili për më shumë se 4 orë punoi për zbardhjen e marrëveshjes së dakordësuar në parim. Më pas drafti i dakordësuar u shqyrtua nga subjektet politike dhe u printua për tu vendosur në tryezën e 140 deputetëve.

Përplasja
Por mëngjesi i djeshëm nuk ka qenë i qetë për parlamentin dhe për mazhorancën sa i takon intensitetit të komunikimeve dhe zhvillimeve. Ylli Manjani ka deklaruar se Xhafaj ka spekuluar me fjalët e tij. Ai tha se drafti i ardhur mbrëmë ka pasur ndryshime ndaj dhe ai ka kërkuar mbledhjen e komisionit të cilën Xhafaj se bëri, Manjani u shpreh: “Emaili i mbrëmshëm ishte i mjaftueshëm për të mbledhur komisionin dhe përgjegjësia nuk mund të kërkohet tek unë. Ka shumë ndryshime në tekst që janë edhe nga zyra e kryeministrit. Kërkesa ime për mbledhjen e komisionit është kërkuar nga unë. Ju kërkoj të gjithëve të mos bëhen spekulime me fjalët e mia. Kam qenë dhe mbetem mbështetës i reformës në drejtësi dhe i bëj thirrje Xhafës të tërheqë ato që tha. Unë nuk mund të shprehesha as pro as kundër në email, kjo ka qenë përgjigja ime.

Nga teksti i ditës së hënë dhe ai i mbrëmshmi ka pasur ndryshime, prandaj kam kërkuar të mblidhemi. Delegacioni i BE shprehet se ishte një ditë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë sepse kuvendi do të miratojë reformën historike të gjyqësorit. Kjo deklaratë vjen ndërkohë që ata presin që të gjitha palët të votojnë pro reformës. “Sot është një ditë shumë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë dhe të gjithë ne presim që Kuvendi do të votojë reformën historike të gjyqësorit. BE dhe SHBA kanë punuar në partneritet të ngushtë që nga fillimi dhe janë në dakortësi të plotë për të gjitha çështjet në diskutim. Ne presim që të gjitha palët të respektojnë angazhimin publik të shprehur dje për të votuar pro reformës”,-thuhej në deklaratë. Ndërkohë, jashtë parlamentit, përfaqësues të shoqërisë civile në vend si dhe qindra qytetarë kanë protestuar dje përpara Parlamentit duke i kërkuar deputetëve të Kuvendit që të miratojnë pa hezitim Reformën në Drejtësi. Protesta ka qenë paqësore dhe me thirrje ndaj ligjvënësve për të menduar për brezat e ardhshëm dhe jo për interesin vetjak të tyre. Një qytetare është shprehur për Shqiptarja.com se, populli duhet të ngrihet në këmbë dhe të kërkojë patjetër miratimin e Reformës për një drejtësi që të gjithë e duan. Në këtë protestë policia e shtetit ka qëndruar gjatë gjithë kohës, për të ruajtur rendin e qetësinë, por që ndërhyrja e tyre nuk ka qenë e nevojshme.

Redaksai online
a.n shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse krijohen kaq shumë parti të reja në Shqipëri?

Kreshnik Spahiu: Pse krijohen kaq shumë parti të reja në Shqipëri?