Jo pak herë kreu i PS e eksponentë të caktuar të opozitës përfshirë ministrin e ri Saimir Tahiri ka shprehur shqetësimin mes të tjerave dhe për figurën e policit e për rrjedhjen e informacionit nga policia në rastin e aksioneve për kapjen e njerëzve të krimit. Më konkretisht, gjithë efektivat e policisë së shtetit do të kalojnë në test, siç kalojnë të gjithë mësuesit, mjekët e punonjësit e tjerë të shërbimit ndaj qytetarëve për të parë nëse kanë mundësi të jenë në lartësinë e detyrës.
Themi rëndom tashmë që punonjësit e policisë së shtetit, për shkak të lëvizjes së paktë, për shkak të ryshfeteve ordinere me 2 apo 5 mijë lekë të vjetër kanë një pamje që lë për të dëshiruar, si në uniformë, me këmisha të zbërthyera nga shëndeti të tepërt, gjë që nuk afron asnjë garanci se këta efektivë të arrijnë të mbrojnë qytetarët aq më tepër të vrapojnë apo të ndjekin kriminelët dhe keqbërësit e ndryshëm. Nëse për të fituar gradë më lart në polici do të japësh provim, për hir të së vërtetës 70 për qind e konkurruesve për grada vitin e kaluar rezultuan ngelës, punonjësit e policisë do bëjnë testin fizik. Dhe nëse nuk kapen këto norma, atëherë nuk mund të jetë askush pjesë e policisë së shtetit. Një shqetësim i madh është dypunësimi i efektiva të policisë.
Forcat elitë të policisë, natën janë dhe badiguardë nëpër bare, kazino, resorte turistike, hotele dhe motele të periferisë, ndërsa gjatë ditës janë në shtet. Pikërisht në këtë element, pritet që reforma në polici të ndërpresë përfundimisht këtë dypunësim, ku përdoret arma, uniforma dhe autoriteti i policisë për qëllime private. Madje pikërisht dypunësimi për shkak dhe të afiniteteve të krijuara nga ana e efektivëve të policisë, mund të shkaktohet dhe rrjedhja e informacioneve e dekonspirimi i aksioneve të policisë.
KRITERI
Vendet e Bashkimit Evropian e kanë kriter faktin që efektivët e policisë nuk duhet të jenë mbipeshë pasi nuk mund të realizojnë detyrën për mbrojtjen e qytetarëve dhe për luftën ndaj krimit. Madje dhe në Kosovë është vënë si kriter i pashkruar ky.
REFORMA, DO TE KETE VETEM NJE POLICI, EDI RAMA GARANTOI SHKRIRJEN
Nuk do të ketë shumë polici siç janë sot, që nga policia e rendit e deri te policia pyjore, do të ketë vetëm një polici, që do të jetë Policia e Shtetit, e ngjashme me të gjitha vendet evropiane. Reformën në këto nivele e ka paralajmëruar vetë kryemininistrit i zgjedhur Edi Rama para 23 qershorit, dhe pritet të implementohet ky program në qeverisjen e ardhshme. “Ne do ta ristrukturojmë rrënjësisht organikën e Policisë së Shtetit.
Sot ka 200 drejtorë që nuk drejtojnë asgjë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të lehtësohet nga hallkat dhe zinxhirët burokratikë, që sot në fakt, e kanë paralizuar duke e kthyer në një hapësirë ku vetëm shpërblehen me rroga njerëz, që konsiderohen shërbëtorë të partisë në pushtet. E thashë më parë dhe po e përsëris, polici ndërtimore, polici financiare, polici policore, polici elektrike, të gjithë këto lloj policirash brenda 300 ditëve ne nuk do t’i kemi. Do kemi vetëm Policinë e Shtetit”, ka thënë Rama kohë më parë.
Sipas tij, gjithfarë uniformash që u paraqiten në derë shqiptarëve njëri i pyjeve, njëri i telave, njëri i plehrave, njëri i vetvetes, njëri me një blu të zbardhur, tjetri me një jeshile të errët, njëri me një gri të rrjedhur, njëri me strehën këndej, tjetri me strehën andej, cigarja këtej streha andej, nuk do ketë më pas 23 qershorit. Kryeministri i zgjedhur Rama dhe se do të ketë vetëm një polic, polici i shtetit të Republikës së Shqipërisë, që do mbajë përgjegjësi pa ia lënë atë policive tjera.
STRUKTURA, SKEMA PER ANTIKRIMIN, FUNKSIONIMI DERI TANI
Në policinë e shtetit kanë ekzistuar struktura të posaçme për luftën ndaj krimit, madje dhe eliminimin e njerëzve të cilët kanë qënë problem për shtetin, shoqërinë, bizneset dhe jetën e qytetarëve. Kjo strukturë ka qënë që në kohën e diktaturës, ndërkohë që ka funksionuar dhe në pesë vitet e qeverisjes së PD, tetë vitet e qeverisjes së PS por dhe tetë vitet e qeverisjes së dytë të PD të drejtuar nga Berisha. Një strukturë që ishte thuajse e panjohur dhe operonte në momente të veçanta kryesisht të zhdukjes së bandave, infiltrimin te bandat dhe përplasjen e tyre me njëra tjetrën, deri në eliminimin e plotë të njerëzve të krimit.
Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt 08.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)