TIRANE- Socialistët përpos zgjedhjes së kryetarit të partisë, që i ka skaduar afati 4-vjeçar sivjet kanë dhe zgjedhjet e krerëve të degëve të PS në rrethe si dhe strukturat e forumet drejtuese në organizata, asamble dhe kryesitë mbi bazë komune, bashkie, rrethi dhe qarku. Kështu, në gjithë rrethet e vendit krerët e degëve të PS do të zgjidhen deri në vjeshtë, sipas parimit “një anëtar një votë”. Por PS në të gjithë vendin është e organizuar mbi bazën e territorit dhe funksionon po mbi këtë bazë, sipas organizatave në bazë qëndre elektorale, komune e bashkie si dhe qarku.

Duke qënë se organizimi i PS si parti elektorale, është në bazë territori, procesi i zgjedhjeve, i përgatitjes së skemës së forumeve dhe strukturave drejtuese të saj në të gjithë bazën ka mbetur i bllokuar. Shkak për këtë bllokim është mungesa e ndarjes së re territoriale të vendit, që do ndikojë dhe në ndarjen e stukturave të PS në të gjithë bazën. Nga selia e PS bëjnë me dije se janë marrë të gjitha masat për zgjedhjet brenda saj, por që janë në pritje që Parlamenti shqiptar të dakordësohet me ndarjen e re elektorale, në konsensus mes partive të mazhorancës dhe opozitës, që do t’i jepte jetë në këtë mënyrë dhe procesit të zgjedhjeve të PS, kryesisht krerëve, strukturave e forumeve drejtuese në bazë.

Reduktimi drastik i komunave dhe bashkive në të gjithë vendin, bashkimi i tyre, si dhe reduktimi dhe i qarqeve dhe prefekturave pritet të reduktojë dhe numrin e krerëve të PS në gjithë vendin, duke sjellë dhe një zgjerim të territorit për një organizatë të madhe socialiste mbi bazë komune, bashkie apo qarku. Mësohet se procesi i reformës territoriale që ka nisur nga mazhoranca, dhe që pritet të konkretizohet pas diskutimeve me grupet e interesit, dhe me partitë e opozitës, pavarësisht se e ka si afat ligjor përfundimin deri në qershor të këtij viti, mund të zgjasë për shkak të përplasjeve mes partive deri në vjeshtë po të këtij viti.

Ky proces nuk shkon më tej se në vjeshtë të këtij viti për shkak se ka afate ligjore për implementimin e ndarjes së re territoriale në gjithë territorin sipas skemës ligjore të zgjedhjeve vendore që do të zhvillohen në pranverë të vitit të ardhshëm. Pikërisht afati njëvjeçar i implementimit të reformës së re territoriale, detyron politikën që të vendosë deri në qershor, maksimumi deri në vjeshtë. Me implementimin e ndarjes së re territoriane në gjithë vendin pritet të startojnë zgjedhjet brenda PS për kryetarë, struktura dhe forume drejtuese, për ta përshtatur orgaanizimin e partisë mbi bazën e territorit dhe ndarjes së re, dhe për të hyrë në zgjedhje me drejtues të rinj vendorë.

Për këtë grupi i punës i ngritur për zgjedhjen e kryetarit të ri të PS, dhe i përbërë nga Blendi Klosi sekretar organizimi, Taulant Balla sekretar i Asamblesë së PS dhe Bashkim Fino sekretar për pushtetin vendor në PS, pritet të organizojë gjithë procesin sipas ndarjes së re territoriale. Por më parë pritet të zgjidhet kreu i ri i PS, ku deri më tani Edi Rama s’ka asnjë rival.


Shkrimi u publikua sot (15.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)