Reforma territoriale, Arvizu:
Komisioni duhet të funksionojë

Reforma territoriale, Arvizu:<br />Komisioni duhet të funksionojë
TIRANE- Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Aleksandër Arvizu e ka cilësuar të nevojshëm funksionimin e komisionit parlamentar të ngritur për reformën territoriale. Kjo sipas tij, nevojitet për t’i ofruar qytetarëve shërbime më të përmirësuara dhe demokratike.
 
“Dua të theksoj arsyen se përse është e nevojshme që ky komision të funksionojë. Është e nevojshme të funksionojë, sepse është një nevojë praktike që të mund të kemi një komision për zhvillimin e reformës. Qëllimi përfundimtar është që të kemi përmirësime në të gjitha ato shërbime më të përmirësuara dhe më demokratike që do t’u ofrohen qytetarëve”, u shpreh ambasadori Arvizu, i cili mori pjesë në tryezën e organizuar nga përfaqësuesit e "Forumit Civil 2010",  Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani.

MOISIU E MEJDANI: FJALËN KRYESORE TË THONË SPECIALISTËT, DUHET KONSENSUS I GJITHANSHËM
Ndërsa dy përfaqësuesit e "Forumit Civil 2010", Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani kanë theksuar se forcat politike kanë për detyrë të realizojnë reformën Administrative-Territoriale dhe jo ta pengojnë atë nëpërmjet kundërshtive politike. Sipas forumit, kjo është një reformë e vonuar që ka nevojë për realizim të menjëhershëm.

“Forumi ynë gjykon se asnjë forcë politike nuk ka të drejtë të bëhet pengesë për zgjidhjen e problemeve, që në këtë rast është përmirësimi i problemeve të pushtetit vendor.
Duhen përjashtuar kryqëzimet politike. Fjalën kryesore duhet ta kenë specialistët dhe njohësit e vërtetë të problemit. Mendojmë se detyra e kësaj tryeze nuk është zgjidhja e problemeve dhe kontradiktave por t’i bëjmë thirrje atyre që e kanë për detyre, të ulen dhe të bëjnë atë që u takon”, u shpreh ish-presidenti Moisiu. 

“Duhet konsensusi i gjithanshëm qytetar dhe politik për ta realizuar me sukses këtë reformë”, theksoi përfaqësuesi i forumit, Rexhep Mejdani. 

ÇUÇI: KOMISIONI TË FILLOJË MENJËHERË TË FUNKSIONOJË
Ndërsa, Bledar Çuçi, ministër i Shtetit për Çështjet Vendore, e cilësoi politikën përgjegjëse për faktin se nuk ka modeluar një zhvillim të qëndrueshëm vendor dhe ka apeluar që komisioni parlamentar i ngritur për çështjen e reformës territoriale të fillojë funksionimin.
 
“Politika sigurisht që është përgjegjëse për këtë gjë, që nuk ka arritur t’i përgjigjet këtij trendi të zhvillimit dhe të modelojë një zhvillim të qendrueshëm vendor, dhe më gjerë, një zhvillim të qendrueshëm të gjithë Shqipërisë”, tha ministri, ndërsa theksoi se komisioni parlamentar duhet të fillojë menjëherë funksionimin.
 
“Komisioni të fillojë të marrë vendime dhe të miratojë vendime. Të fillojë menjëherë konsultimet me komunitetet që do të fokusohen së pari në nevojën duke bërë analiza në çdo njësi territoriale që ne do të shkojmë”, tha ministri Çuçi.
 
Redaksia Online
(e.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren