Partia e Lirisë akuzon qeverinë për dështimin e Reformës Territoriale të vitit 2014.

Sipas deputetes së Fierit, Brunilda Haxhiu, në shumë zona rurale ka probleme me administrimin e rrugëve, shkollave dhe qendrave shëndetësore, ndërsa thekson se fryrja e administratës ka rritur shpenzimet.

Haxhiu shtoi se më shumë se 50% e buxhetit të bashkive shkon për pagat e administratës dhe pak fonde mbeten për investime në infrastrukturë.

Sipas Haxhiut, transferimi i zyrës së Gjendjes Civile nga Cakrani në Levan i largon shërbimet nga qytetarët. Ajo tha gjithashtu se shumë shërbime janë larguar nga qytetarët, me Reformën Territoriale të vitit 2014.

Reagimi i Brunilda Haxhiut:

Reforma territoriale e vitit 2014 dështoi të administronte me efikasitet territorin dhe financat, sepse frymëzimi i hartimit të saj ishte administrimi elektoral dhe përqendrimi i pushtetit dhe fondeve në bashkitë e mëdha.

Rilindja premtoi efikasitet, por kudo në zonat rurale mungon infrastruktura rrugore, ndërsa shkollat dhe qendrat shëndetësore janë të rrënuara dhe shërbimet janë përkeqësuar.

Fieri, ashtu si e gjithë Shqipëria, është shpopulluar në mënyrë të vrullshme, por fryrja e administratës vazhdon duke rritur shpenzimet. Më shumë se 50% e buxhetit të bashkive shkon për pagat e administratës dhe pak fonde mbeten për investime në infrastrukturë. Ato fonde që mbeten janë investuar në fasadën e Rilindjes Urbane, në pedonale dhe lyerje fasadash, me shpërdorim të vazhdueshëm të parave nga bashkia.

Zonat rurale kanë mbetur në harresë, kryesisht për shkak të vjedhjes së fondeve, por edhe sepse nuk kanë pasur përfaqësim të drejtpërdrejtë në bashki dhe këshilla bashkiakë. Fermerët e gjejnë veten të papërfaqësuar dhe të braktisur, kur për faj të bashkisë nuk janë mirëmbajtur kanalet kulluese dhe ato vaditëse. Tokat bujqësore përmbyten në dimër dhe thahen në verë. Askush nuk jep llogari, askush nuk e mbështet bujqësinë.

Me një vendim të palogjikshëm dhe arbitrar, qeveria ka vendosur të mbyllë zyrën e Gjendjes Civile në Cakran dhe ta transferojë atë në Levan.

Cakrani historikisht nuk ka pasur asnjë lidhje administrative me Levanin; lidhja e tij natyrale është me Mallakastrën ose drejtpërdrejt me Fierin.

Sot, kjo qeveri po e degradon Cakranin duke i hequr shërbimet një nga një: hoqi komunën, hoqi Gjendjen Civile, nesër do të heqë spitalin dhe shkollat, derisa ta kthejë në një fshat të harruar.