Për ministrin e Pushtetit Vendor puna për reformën territoriale nuk po ecën me ritme të mira.

Gjatë një konference për mediat, ministri Ervin Demo tha se koha është e kufizuar duke kërkuar që të nisin sa më parë konsultimet me grupet e interesit dhe qytetarët.

“Komisioni i posaçëm është duke definuar metodologjinë që do të ndjekim për turet apo edhe vetë seancave dëgjimore. Pritshmëria ime ka qenë që komisioni të ecte më shpejt. Ajo çfarë do të doja të nënvizoja është fakti që ne i qëndrojmë procesit të transparencës, të ketë informim të institucioneve të përfshira, qytetarëve dhe grupeve të interesit. Pavarësisht metodologjisë që do të përcaktohet, turet në vend duhet të bëhen patjetër dhe ne do të luajmë edhe rolin tonë për të përfshirë aktorët lokalë. Nuk kemi më kohë për ta ngadalësuar procesin”, tha Demo.

Me hartën e re administrative, bashkive nuk do t’u rishikohet vetëm hapësira e territorit nën administrim, por mund të përballen edhe me funksione të reja.

“Ka vend që disa shërbime që mund të ofrohen më mirë në nivel lokal. Funksione në fushën e shëndetësisë, arsimi mund të jetë një fushë tjetër…”, vijoi ai.

Demo njoftoi gjithashtu se Akademia e Pushtetit Vendor që do të trajnojë punonjës të administratës lokale, pritet të finalizohet brenda muajit mars, ndërsa pritet edhe përzgjedhja e drejtuesit të saj mes 22 kandidaturave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:31
Sezoni turistik në prag, ministri Demo: Pastrimi mbetet sfidë, duhet përmirësuar menaxhimi i mbetjeve

“Kemi bashki sot që sezoni turistik nuk ndalon më”, u shpreh ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, gjatë konferencës për shtyp. Ai tha se kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri turistik që tashmë është në prag, por sfida kryesore mbetet pastrimi.

“Pastrimi mbetet sfidë në territor. Qeveria vazhdon të mbështesë bashkitë me instrumentet e duhur për të realizuar këtë shërbim. Kuptohet, nuk jemi në lartësinë e duhur. Besojmë që ka akoma shumë hapësirë për të përmirësuar menaxhimin e mbetjeve në tërësi. Kjo nuk duhet të jetë sezonale, por qasje e strukturuar institucionale”, tha ministri.

Ai shtoi se lidhur me qasjen institucionale, po shihet ndërtimi i një modeli të qëndrueshëm.

“Jemi në fazën e diskutimit me Ministrinë e Mjedisit dhe aktorë të tjerë për të ndërtuar një model shumë të qëndrueshëm për mbetjet në të gjithë territorin”, duke vijuar: “Të gjitha bashkitë kanë filluar me pastrimin e plazheve, brigjeve detare, liqeneve dhe zonave të tjera ku ka fluks turistik”, tha Demo.

Ora 12:26
Integrimi në BE, Ervin Demo: Për bashkitë po vjen një cunami, duhet transformim radikal

Ambicia e integrimit të Shqipërisë në BE prek edhe bashkitë, të cilat duhet t’u nënshtrohen ndryshimeve. “Po vjen një cunami”, u shpreh ministri Ervin Demo, gjatë konferencës për shtyp.

“Në momentin që jemi vend anëtar i BE do të kemi puë për të bërë për të rritur dhe përmirësuar funksionimin e institucioneve. Procesi i integrimit është shumë kompleks dhe kërkon detyrimisht një transformim radikal të të gjitha institucioneve. Një cunami është duke ardhur nga pikëpamja rregullative dhe e standardeve të reja që bashkitë duhet të plotësojnë”, tha ministri i Pushtetit Vendor.

“Realiteti i ri me të cilin do të ballafaqohemi kërkon shumë energji, edhe nga ato lokale që ato duhet të jenë të gatshme për të ngritur veten e tyre në një nivel tjetër dhe ne të jemi të gatshëm t’i ndihmojmë. Është një sfidë e përbashkët”, tha Demo duke nënvizuar edhe sfidat dhe vështirësinë që përmban procesi.