Partia Demokratike i kundërshton skenarët socialistë për reformën territoriale, të cilat sipas partisë më të madhe opozitare kërkojnë të ruajnë status quo-në politike të votave të vitit 2015, me disa korrigjime ‘kozmetike’.
Bashkëkryetari demokrat i Komisionit parlamentar për Reformën, Luciano Boçi shkruan në një reagim të gjatë në rrjetet sociale se “61 bashkitë e sotme përfaqësojnë një model që ka konsumuar veten”.
Sipas tij zgjidhja është duke e rritur numrin e bashkive.
Një reformë e vërtetë territoriale, sipas Partisë Demokratike, "duhet të hapë rrugën për bashki të reja në zona të izoluara, ndarje të bashkive gjigante që nuk administrohen dot, krijim të njësive me identitet të qartë ekonomik e social dhe forcim të demokracisë lokale".
"Një reformë territoriale serioze nuk fillon me laps votash. Fillon me të vërtetën. Me pranimin se modeli i deritanishëm nuk solli barazinë e premtuar, nuk solli decentralizimin real, nuk solli forcimin e bashkive, nuk solli afrim të shërbimit me qytetarin. Fillon me pyetjen se si ndahen kompetencat, si financohen funksionet, si garantohet autonomia, si ruhet përfaqësimi i komuniteteve dhe si shmanget kapja partiake e pushtetit vendor", ka shkruar mes të tjerash Boçi në reagimin e tij.
Komente










