Edhe këtë të dielë, Partia e Lirisë shprehu kundërshtitë e saj ndaj draftit të Partisë Socialiste për ndarjen e re territoriale, duke e cilësuar një projekt të dëmshëm për qytetarët.
Dega e kësaj partie në Pukë e cilësoi draftin një projekt të rrezikshëm që mund të thellojë braktisjen e zonave malore.
PL i bën thirrje qeverisë që të heqë dorë nga çdo nismë që nuk dëgjon zërin e banorëve dhe dëmton përfaqësimin e tyre.
Sipas projektligjit të depozituar nga mazhoranca socialiste, Bashkia e Fushë Arrëzit është një nga 15 njësitë vendore që propozohet të humbasin statusin si bashki, duke u bashkuar me Pukën.
Deklarata e plotë
"Partia e Lirisë, Dega Pukë, denoncon me forcë çdo tentativë për shkrirjen e Bashkisë Fushë-Arrëz, një projekt që dëmton interesat e qytetarëve dhe rrezikon të thellojë braktisjen e zonave malore.
Çdo reformë territoriale që hartohet pa konsultim të sinqertë me banorët është e papranueshme. Qytetarët nuk mund të trajtohen si numra në një hartë dhe as të privohen nga përfaqësimi i tyre vendor për shkak të vendimeve të marra në tavolina politike.
Shkrirja e Bashkisë Fushë-Arrëz nuk është zhvillim. Përkundrazi, rrezikon të largojë shërbimet publike nga qytetarët, të dobësojë përfaqësimin institucional dhe të përshpejtojë zbrazjen e kësaj zone.
Partia e Lirisë i bën thirrje qeverisë të heqë dorë nga çdo nismë që prek Fushë-Arrëzin pa dëgjuar më parë zërin e banorëve. Vullneti i qytetarëve duhet të jetë themeli i çdo vendimi që prek të ardhmen e komuniteteve tona.
Ne do të jemi në krah të qytetarëve të Fushë-Arrëzit në çdo përpjekje demokratike për të mbrojtur të drejtën e tyre për përfaqësim, zhvillim dhe dinjitet. Fushë-Arrëzi nuk është një vijë në hartë që mund të fshihet me një vendim politik; është një komunitet me histori, identitet dhe të drejtë për të vendosur mbi të ardhmen e vet"
Komente











