Reforma territoriale, Rama: Hapi
themelor për funksionimin e shtetit

Reforma territoriale, Rama: Hapi<br />themelor për funksionimin e shtetit
BERAT- Kryeministri i vendit, Edi Rama e ka vlerësuar realizimin e reformës Administrativo-Territoriale si hapin e parë të rëndësishëm për funksinoimin e shtetit. Në një vizitë të tij sot në mesditë në Berat, ku ka parë nga afër ecurinë e punimeve që po kryhen në bulevardin “Republika”, Rama theksoi se reforma territoriale është jetike, është një mundësi e re për shëndetësinë, transportin, arsimin etj.

“Reforma territoriale është hapi i parë i rëndësishëm, themelor, për të ristrukturuar gjithë funksionimin e shtetit. Reforma territoriale do të na japë mundësi të re, perspektivë të re për shëndetësinë, për transportin, për arsimin, për pastrimin, për trajtimin e mbetjeve, për ujësjellësin, për energjinë. Është një reformë historike dhe jetike, për të ngritur shërbimin në një cilësi të re. Ju e shihni vetë që në këto kushte është e vështirë, sepse është i gjithë sistemi që duhet rindërtuar dhe duhet riorganizuar, flas për gjithë sistemin organizativ të shtetit”, – u shpreh kryeministri.
 
PUNIMET NË SHESH, RAMA: MAGNET PËR THITHJEN E VIZITORËVE TË HUAJ
Edi Rama ka parë nga afër punimet që po kryhen në bulevardin “Republika”. Projekti i nisur prej dy muajsh për rikonstruksionin e sheshit qendror dhe pedonales së re është vlerësuar nga kreu i qeverisë, ndërsa theksoi se, investimi pritet të shërbejë edhe si magnet për thithjen e vizitorëve të huaj. Rama shtoi po ashtu se, ky projekt i jep më shumë mundësi biznesit të vogël.

“Gjithë çfarë përfshinë ideja bazë mund të realizohet, edhe lulishtja edhe dy anët e munguara që duhet lidhin sheshin me stadiumin. Në mënyrë që të transformohet rrënjësisht kjo pjesë e qytetit dhe të shërbejë si magnet i fortë për të tërhequr më shumë vizitorë dhe për të rritur edhe konsumin, sidomos duke shtuar shumë mundësitë për biznesin e vogël”, tha Rama në gjatë vizitës në Berat. 

Ky projekt është një investim i përbashkët shqiptaro-amerikan me vlerë prej 1.8 milionë dollarësh. 

Më pas, Rama ka zhvilluar edhe një vizitë të paparalajmëruar edhe në zyrën e Hipotekës, në drejtorinë e Shëndetit Publik, si dhe në disa subjekte private në Berat.

RAMA NË DREJTORINË E SHËNDETIT PUBLIK, ILAÇET DHE APARATURAT, URGJENTE
Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës të paparalajmëruar në Drejtorinë e Shëndetit Publik ka theksuar dy problemtika që kërkojnë zgjidhje të urgjente:furnizimin e spitaleve me medikamente dhe vënien në funksionim të aparaturave spitalore.
 
Të dyja këto problematika, theksoi Kryeministri, së shpejti do të marrin zgjidhje, ndërsa po punohet për reformimin e këtij sistemi. 

“Kemi trashëguar një situatë katastrofike me ilaçet dhe me aparaturat, në të gjithë sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë. Aparatura të blera që nuk kanë punuar asnjë ditë ditë, ose që nuk punojnë se kanë mangësi dhe as që nuk janë vënë në punë se janë me probleme, me tenderë skandalozë”, tha kryeministri.
 
Ai vijon, “Po ashtu me ilaçet. Por të dyja shumë shpejt do t’i vëmë në vijë. Furnizimin me ilaçe e kemi prioritet, po e sistemojmë. Plus që kemi edhe një ulje të çmimeve. Ndërkohë që për aparaturat, po ndërtojmë një skeme të re, të funksionimit dhe të mirëmbajtjes.”
 
Mjekët sugjeruan që politikat shëndetësore nuk duhet të mbështeten në bazë rrethi, por edhe rajoni. “Këtu ka një emërtesë ku thotë Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë, por ‘de facto’ ka vetëm emrin, pasi asnjë funksion nuk ushtron,” – u shpreh një mjek. 

VIZITA NË ZYRËN E HIPOTEKËS, DIXHITALIZIMI PËR DOKUMENTACIONIN NGA E PARA
Kryeministri Edi Rama, gjatë qëndrimit në Berat, zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
 
Referuar shumë problemeve në zyrë, ai theksoi se duhet ringritur nga e para i gjithë procesi për dixhitalizimin e dokumentacioneve të pronës.
 
“Është një katrahurë në të gjitha nivelet. Edhe procesi i regjistrimit dixhital është zhvilluar në mënyrën më katastrofike. Duhet, praktikisht, t’i ngremë të gjitha nga e para”, theksoi Kryeministri.
 
Kreu i qeverisë shtoi se pavarësisht situatës me dixhitalizimin e regjistrit të pronës, shërbimi dinjitoz për qytetarët nuk duhet të mungojë në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë. “Asgjë nuk na justifikon në raport me njerëzit. Njerëzve duhet t’u japim shërbimin më korrekt të mundshëm në çdo sportel”.
 
 
Redaksia online
(esh/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Opozita jugkoreane me mocion për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së presidentit

Opozita jugkoreane me mocion për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së presidentit