TIRANE- Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi se punimet e këtij komisioni mund të shtyhen deri në pranverë, ndërsa tha se palët kanë rënë dje dakort që krimi elektoral të cilësohet vepër penale, por nga ana tjetër nuk kanë gjetur konsensus për përdorimin e fondeve qeveritare për reklamat propagandë, një pikë që sipas tij, PS e konsideron të rëndësishme. "U miratua paketa e ndryshimeve në Kodin Penal por që prekin krimet elektorale, pra rritja e masave ndëshkuese, përcaktimi i figurave të reja të krimit. Gjithashtu kemi diskutuar dhe miratuar në parim edhe paketën për fushatën në media, por nuk kemi gjetur konsensus për dy pika, sidomos për njërën, që e konsiderojmë të rëndësishme, siç është përdorimi i fondeve publike për reklama qeveritare para fushatës zgjedhore", tha Gjiknuri. Ai nënvizoi se "kjo është një pikë e kritikuar, një pikë që patjetër kërkon një rregullim ligjor të posaçëm përpara fushatës zgjedhore, aq më tepër që kemi qenë dëshmitarë të përdorimit të vazhdueshëm të parave publike në funksion të propagandës qeveritare e të gjitha shtetet europiane këtë gjë e rregullojnë".