Regjimi i Vidit e Dita e Çlirimit
Frashëri: Tek ne ka dy kandarë

Regjimi i Vidit e Dita e Çlirimit<br />Frashëri: Tek ne ka dy kandarë
TIRANE- Gazeta “Shqiptarja.com” i ka kërkuar akademikut Kristo Frashëri mendimin e tij rreth replikave midis dy historianëve, Arben Putos dhe Beqir Metës, rreth projekteve të QSA-së për përkujtimin e 100-vjetorit të regjimit të Vidit dhe 70-vjetorin e Ditës së Çlirimit.

Profesor Kristo Frashëri duke i kërkuar ndjesë lexuesit për kohën e pamjaftueshme që pati dispozicion për të shprehur më të plotë mendimin e tij, arrin të japë në mënyrë të përmbledhur vizionin rreth dy ngjarjeve të rëndësishme historike. Në shkrimin e tij, akademik Kristo Frashëri hedh dritë mbi një çështje që ai e quan “të errët” dhe shpreh edhe motivet që nxisin këto replika, duke konstatuar se për vënien në peshore të rëndësisë së ngjarjeve historike “kohët e fundit tek ne ka dy kandarë: njëri shkencor, tjetri politik”.

Pyetjes që shtrohet, nëse ia vlen apo jo të mblidhet një konferencë shkencore për të përkujtuar 100-vjetorin e regjimit të Princ Vidit në Shqipëri, një përgjigje pak a shumë e drejtë mund t’i jepet nëse na thuhet se kush e organizon këtë konferencë dhe cili është këndvështrimi që kanë organizatorët e konferencës për regjimin e Vidit. E marrim me mend se pyetja lindi nga kritika që profesor Arben Puto i drejtoi Institutit të Historisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike se nuk është drejtë që këtë vit të kremtohet 100-vjetori i principatës shqiptare të Vidit dhe të anashkalohet 70-vjetori i Çlirimit të atdheut nga okupatorët nazifashistë.

Në përgjigjen e tij drejtori i Institutit të Historisë, profesor Beqir Meta, njofton se krahas regjimit të Vidit, Instituti i Historisë do të kremtojë dhe 70-vjetorin e Çlirimit (“Shqiptarja.com”, 13 mars 2014). E nëse kjo është e vërtetë, mbetet përsëri një çështje e errët për t’u sqaruar.

Z.Beqir Meta sugjeron që në vlerësimin e këtyre ngjarjeve jubilare të përdoret kandari i farmacisë. Edhe për këtë pikë jemi dakord. Megjithatë, çështja qëndron se me kandarin e cilit farmacist do t’i peshojmë të gjitha këto ngjarje të historisë sonë të re. Kjo për arsyen se kohët e fundit tek ne ka dy kandarë: njëri shkencor, tjetri politik.
 
Më 29 nëntor 1944 Shqipëria rifitoi pavarësinë kombëtare, të cilën e kishte humbur 5 vjet e gjysmë më parë më 7 prill 1939. Rifitimi i pavarësisë kombëtare për një popull liridashës është një fitore e madhe historike. Fitorja merr vlerë të shumëfishtë kur për realizimin e saj shqiptarët bënë një luftë të armatosur disavjeçare, gjatë të cilës dhanë me mijëra djem e vajza dëshmorë.

Veç kësaj, kur pavarësinë e paguan me dhjetëra mijë shtëpi djegura, pa llogaritur vuajtjet e shumta që pësuan nga okupatorët dhe kolaboracionistët dhjetëra mijë qytetarë nëpër burgje dhe internime, vijmë në anën e kandarit: çfarë i dha princ Vidi Shqipërisë gjatë regjimit të tij, i cili vazhdoi vetëm gjashtë muaj. Sigurisht që ai nuk i dha Shqipërisë pavarësinë. Ai pavarësinë e gjeti të sanksionuar; nga kryengritjet shekullore çlirimtare të shqiptarëve dhe nga vendimi i Kuvendit të Vlorës, që shpalli pavarësinë në 28 nëntor 1912 dhe vendimi që u mor nga gjashtë fuqitë e mëdha më 29 korrik 1913, me të cilin njohën pavarësinë e Shqipërisë. Ai nuk dha asnjë kontribut, qoftë edhe moral, për pavarësinë. Madje ai erdhi në fron me vendimin që morën fuqitë e mëdha pa pyetur popullin shqiptar.

Madje, ai zbriti në Durrës më 7 mars 1914 i shoqëruar nga luftanijet e shteteve evropiane që e sollën atë në fron.
Megjithatë, patriotët shqiptarë e përkrahën me të drejtë, pa rezerva, ardhjen e tij në fron. Ata u treguan të gatshëm të jepnin jetën e tyre për të mbrojtur princin e Shqipërisë, mbasi ai simbolizonte për ta ekzistencën  e shtetit shqiptar të pavarur.

Për regjimin e Vidit, profesor Beqir Meta sheh vetëm një vlerë politike, se shtete e huaja duke e njohur atë si sovran, nënkuptonin njohjen Shqipërisë si shtet i pavarur. Unë nuk e di se për cilin shtet flet drejtori i Institutit të Historisë. Nëse flet për Rumaninë ë afërt apo Japoninë e largët, të cilët e njohin Vidin si sovran të Shqipërisë,këtu jemi në rregull. Nëse e ka fjalën për Turqinë Serbinë, Greqinë, Austrinë e Italinë, të cilët, pasi e njohin Vidin si sovran të Shqipërisë, i vunë mina fronit të tij, gabohet rëndë. Princ Vidi nuk diti ta mbronte pavarësinë e Shqipërisë, as fronin e vet mbretëror.

Veç të tjerave, ai ka përgjegjësi për urdhrin kategorik që i dha kolonelit Tomson, të nënshkruante më 10 prill 1914 protokollin ogurzi të Korfuzit, me të cilin Shqipëria lejonte që viset e saj jugore, qarqet e Gjirokastrës e të Korçës të fitonin autonominë si provinca greke në gjirin e shtetit shqiptar...
Po t’u shtojmë këtyre edhe trashëgiminë politike që na la princ Vidi në lidhje më të ashtuquajturin Vorio-Epir, nga i cili vazhdojmë të kemi shqetësime edhe sot e kësaj dite, kemi të drejtë të pyesim profesor Beqir Metën të na thotë me gojën e tij ose të na përgjigjet me dorën e tij se “Nga cila anë e kandarit të tij peshon regjimi i princit Vid?”
 
Personalisht jam i mendimit se regjimi i princ Vidit mund të trajtohet me një konferencë shkencore vetëm për ta shtjelluar me vështrim kritik, ku të mbisundojë ana negative. Regjimin e Vidit mund ta vlerësojnë pozitivisht vetëm ata që harrojnë interesat kombëtare të atdheut, rrjedhimisht vetëm ata që gjunjëzohen para politikës së fuqive të huaja, të cilët me dashje ose pa dashje shkallmojnë themelet e kombit shqiptar.    
 
Shkrimi u publikua sot (14.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore