Tani Blerta aspiron Oscarin. Ambicje, kjo e mbështetur pastër nga ky rrugëtim i gjatë festivalesh ndërkombëtare, ku “Kthimi” nje metrazh i shkurtër që flet për rikthimin në familje të një të humburi gjatë luftës, korr suksese njëri pas tjetrit.
Ambicja tjetër e Blerta Zeqirit? Të mund të jetojë me filmat e saj, për të cilat deri tani ka punuar thuajse pa pagesë duke marrë kohë nga koha e saj, e duke sakrifikuar edhe në familje.
Kjo artiste e re është entuziaste jo vetëm për veten, por edhe për brezin e saj, e bindur se tashmë ka ardhur koha për shqiptarët.
Sapo keni fituar “Zemrën” e Sarajevës. U mësuat tashmë me çmimet, festivalet e huaja, apo keni sërish emocione sa herë që fitoni? Ishte e parashikueshme kjo “zemër”? Ka një domethënie tjetër ky çmim për ju?
Çdo fitore eshte e rëndësishme ne mënyrën e vet dhe nuk besoj se njeriu mësohet ndonjëherë me çmimet. Kësaj radhe rëndësi të veçantë kishte fakti se filmi u shfaq ne Festivalin e Filmit në Sarajevë, në një festival i cili ka lindur gjatë luftës në Bosnje. Përvoja e qytetit të rëndon mbi supe kur je atje, ndërsa në kontrast me historinë, njerëzit atje janë të hareshëm. Shfaqjen e fiilmit e kam shikuar me ethe, pasiqë filmi Kthimi merret me pasojat e luftës dhe shfaqej në një vend me histori të ngjashme me Kosovën. Kam ndjerë lehtësim të madh kur e kam parë se filmi po komunikon edhe me publikun boshnjak. Fitorja në këtë festival kishte rëndësi të madhe edhe për faktin se juria kishte qenë unanime në vendim dhe atë e thanë. Festivali i filmit në Sarajeve e ndan edhe nje çmim tejet të rëndësishëm që është nominimin per Europen Film Academy Aëard (EFA). Ata kanë një juri të vecante e cila I shikon të gjithë filmat e shkurtër ne festival dhe pastaj juria vendos se cili është filmi më i mirë për t’u nominuar për European Film Aëards. Ky cmim I takoi Kthimit. Kjo më gëzon tej mase sepse EFA është një lloj Oscar-i evropian. Në një mënyrë u ktheva me 2 çmimet më të rëndësishme për film të metrazhit të shkurtër në festival dhe natyrisht që ndjehem mirë.
Që nga janari i këtij viti kur u vlerësuat në Sundance, festivalet dhe cmmet nuk kanë reshtur për filmin tuaj. Sa janë bërë deri më sot? Cili është më I rëndësishmi prej tyre?
Filmi ka marrë pjesë në mbi 20 festivale dhe ka rrëmbyer 5 çmime ndërkombëtare dhe 6 kombëtare. Çmimi më i rëndësishëm mbetet ai që filmi mori në Festivalin e filmit në Sundance të SHBA. Pastaj vijnë nominimi për EFA, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua dhe për vendin tim besoj.
Keni shprehur ambicien tuaj për Oscar 2013. Ka shanse për të arritur një gjë të tillë?
Për t’u kualifikuar për Oscar, duhesh të kesh fituar një nga çmimet kryesore në një listë festivalesh. Sundance është njëri nga festivalet e filmit i cili mund të të kualifikojë për Oscar. D.m.th. pas marrjes së çmimit në Sundance është hapur mundësia edhe për Oscar 2013. Tani mbetet të shihet nëse Akademisë do t’i pëlqejë mjaftueshëm filmi “Kthimi” që të mund ta nominojë atë për Oscar.
Shpesh kritika analizon filmat nga një këndvështrim që mund të duket surprizë edhe për vetë regjisorin. Ju ka ndodhur një gjë e tillë me “Kthimin”?
Jo, nuk kam pasur ndonjë kritikë befasuese. Disa shkrime që janë bërë për filmin, mendoj se i kanë bërë njerëz që e njohin shumë mirë fushën e filmit dhe të artit në përgjithësi dhe ata e kanë bërë një analizë shumë të thellë dhe të drejtë filmit. Ndoshta mund të them se jam befasuar se sa mirë e kanë kuptuar qëllimin tim në film.
Ndër filmat që keni bërë, janë dy që kanë fituar më së shumti çmime. “Exit” dhe “Darka”. Tek këta dy filma por edhe tek “Kthimi” vihen tre protagonistë. Ka ndonjë domethenie numri tre apo është një rastësi?
Tani më bëtë të mendohem edhe për filmat e tjerë (“OK” e “FEMIJET”) dhe qenka e çuditshme që gjithmonë e paskam treshen. Nuk e kam menduar asnjëherë. Nuk është diçka e vetëdijshme. Ndoshta deri në intervistën tjetër do të kem kohë të mendoj dhe ta gjej PSE-në e treshes.
Nga filmat tuaj vihet re përzgjedhja e kujdesshme e skenareve. Cili është sekreti?
Tema është shumë e rëndësishme. I kam qejf temat që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Pastaj duhet ta kem lirinë që të vazhdoj eksplorimin në atë temë të caktuar, sepse shumë shpesh kam dëshirë që nga situatat e temat e mëdha, të bëj filma të thjeshtë e minimal. E kam të domosdoshme të kem lirinë që t’ia jap draftin përfundimtar skenarit. Shumë shpesh filmat e mi janë të koncentruar në vend dhe në kohë. Më pëlqejnë skenaret e thjeshtë dhe të koncentruar në një ngjarje, vend apo kohë. Këto janë skenare që rrallë të bien në dorë.
Cila është mënyra juaj e të bërit film?
Mendoj se shkolla franceze ka ndikuar që në punën time forma estetike të luajë një rol shumë të rëndësishëm. Tema e cila trajtohet më dikton mënyrën e filmimit, të aktrimit, të pamjes, të tonit, montazhit etj. Secili element duhet të jenë në funksion të temës e cila trajtohet. Për këtë arsye filmat që i kam punuar unë janë të ndryshëm për nga stili: Kam filma të cilët i kam punuar me kuadra të gjatë dhe që nuk lëviz kamera fare, sepse kam dashur që kamera të luajë rolin e vëzhguesit pasiv, kam të tjerë që kam punuar në formë dokumentareske, ku kamera shikon me kuriozitet çdo detal, pastaj filma me ngjyra, pa ngjyra, me pak ngjyra, të zbehtë, me montazhë konvencionale, me montazhë me kërcime etj.etj. Kam dëshirë të eksploroj me mënyra filmimi dhe me stile dhe gjithmonë zgjidhjet regjisoriale m’i përcakton tema që trajtoj dhe ajo çfarë dua të them. I dua dialogjet dhe gati nuk mund të paramendoj film pa dialogje. E dua zërin në film, është një prej pjesëve më të rëndësishme në film për mua. Shumë shpesh kam filluar punën në film duke u frymëzuar nga një tingëllimë, apo nga një dialog, e gati asnjëherë nga një fotografi. Gjithashtu nuk më pëlqen përdorimi i muzikës në filma, sepse mendoj se është mënyrë e lehtë për të arritur tek emocionet. Deri më tani në asnjë film timin nuk kam përdorur muzikë.
Keni bërë një film me shumë pak buxhet, shumë pak kohë… dhe keni korrur një sukses të madh. Si ia dolët?
Mendoj se suksesi ka ardhur si rezultat i punës së palodhshme. Ka vite që punoj pa ndërprerë në filma. Vitet e fundit gati kam bërë nga 2 filma të shkurtër në vit, gjithnjë pa buxhet, ose me buxhete tejet të vogla. Këtë e kam bërë sepse e dua punën në film dhe mund të them që shumë shpesh vitet e fundit i kam sakrifikuar pushimet e fëmijëve të mi për të punuar në film. Shpresoj se nuk do të ma marrin inat kur të rriten. Gjithashtu njëlloj meritues për suksesin janë edhe të gjithë bashkëpunëtorët e mi në filma, sepse ata gjithnjë kanë ardhur për të punuar për paga simbolike dhe pse kanë pasur dëshirë që të punojmë së bashku. Tani dëshira ime më e madhe është që të mund të punojë bashkë me ta në projekte më të mëdha dhe më të rëndësishme në të ardhmen.
Të paktin njërin prej filmave e keni shkruar dhe drejtuar bashkë me motrën tuaj. Si është të punosh në familje?
Në kohën kur kam punuar filmin “Exit” bashkë me motrën time Lenditën, ne kemi jetuar bashkë dhe kemi qenë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Kemi pasur ide të ngjashme artistike. Kemi funksionuar si një. Më kujtohet një rast gjatë xhirimit të filmit “EXIT” kishim një problem në skenar të cilin nuk dinim si ta zgjidhnim. Asokohe ne ndanim dhomën e gjumit bashkë. Një natë pasi që na kishte marrë gjumi, kemi filluar të bisedojmë në gjumë për zgjidhjen e problemit. Dhe kështu të nesërmen në mëngjes na kujtohej të dyjave zgjidhja e njëjtë që e kishim gjetur së bashku në gjumë gjatë natës. Tani ndaj shumë mendime artistike me burrin tim, Keka Kreshnik Berishan, i cili është montazhier i filmave të mi. Mund të them se gjithmonë ndiej nevojë të rrethohem me njerëz të mençur të cilët më nxisin të menduarit. Kam pasur fat të kem njerëz të tillë në familje, me të cilët pastaj shumë në mënyrë spontane ka filluar bashkëpunimi.
Regjisore femra shqiptare janë të pakta. Ka një shpjegim sipas jush?
Është e vërtetë që regjisoret femra janë të pakta në numër, sepse në fillim edhe akademia e arteve në një farë mënyre ka provuar t’i dekurajojë femrat prej drejtimit të regjisë, sepse profesorët kanë menduar se femrat martohen dhe aty mbaron karriera e tyre. Pas vitit 1999 (pas luftës) fatëmirësisht politika e universitetit ka ndërruar dhe femrat nuk janë diskriminuar në regjistrim shkollash, si më parë. Si rezultat I kësaj sot kemi një numër shumë të madh të regjisoreve të reja shumë të mira të cilat vetëm kanë filluar ta dëshmojnë veten.
Ende ne, regjisoreve femra, nuk na është dhënë mundësia që të punojmë filma të metrazhit të gjatë, mirëpo shume shpejt do të ndodh edhe kjo. Gjithkah nëpër botë kanë filluar të dallohen regjisoret femra sepse ato po sjellin një ndjeshmëri të re. Më në fund është koha e femrave, edhe për shqiptaret.
Në këndvështrimin tuaj si regjisore e re, ku gjendet kinematografia shqiptare në te gjitha trojet?
Jemi në fillim fare të rrugës, mirëpo jemi duke shkuar rrugës së duhur. Para 10 vjetësh kur udhëtoja nëpër festivale me filmin EXIT më kujtohet fare mirë se nuk kishte as edhe një shqiptar tjetër nëpër festivale që të mund të takoje. Atehere në fillim paraqitjet në festival kanë qenë shumë më të pakta, edhe pse p.sh. Gjergj Xhuvani solli çmim me “Parullat” dhe shumë filma tjerë të metrazhit të gjatë e të shkurtër kanë udhëtuar dhe kanë sjellë çmime nga festivalet. Mirëpo dallimi mes atëherë dhe tani është se tani, po shkove në cilindo prej festivaleve të mëdha, gjithmonë mund të takosh shqiptarë ose në programet zyrtare të festivaleve, ose nëpër marketet e filmit, ose me ndonjë shqiptar aktor apo ndonjë muzikë shqip në film apo shfaqje. Gjithashtu i ke edhe përfaqësuesit e festivaleve vendore në festivale dhe qendrat kinematografike, producentë, regjisorë... Po fillojmë ngadalë që të ndërtojmë rrugën drejt industrisë së filmit dhe kjo më bën të ndjehem shumë e lumtur. Po e ndjej se ka ardhur koha e shqiptarëve.
Cfarë aspironi të arrini duke u marrë me kinema?
Dëshira ime më e madhe do të ishte të mos jem e obliguar të punojë punë anësore për të mbijetuar. Sikur një ditë të arrij të jetoj, t’i paguaj faturat dhe t’i shkolloj fëmijët me punë në filma, kjo do të ishte realizim i ëndrrës.
Sërish te “Kthimi”. Ka festival e të tjera në axhendë?
Tani filmi do të shfaqet në Montreal të Kanadasë, në Ëashington, St Peteresburg të Rusisë dhe më e rëndësishmja është dhjetori pjesëmarrja në EFA, që është si një lloj i Oscar-it Evropian. Filmi do të marrë pjesë edhe në festivale që zhvillohen në Milëaukee dhe Ëashington Ëest të SHBA-ve si dhe në Naoussa të Greqisë.
Në Sundance jeni shprehur se do të bëni një film të gjatë. Është i njëjti projekt që keni në duar? Mund të na tregoni diçka më shumë rreth tij?
Filmin e metrazhit të gjatë po e shkruaj bashkë me burrin tim Keka Kreshnik Berisha. Ky është bashkëpunëtori im i ngushtë në këto 7 vjetët e fundit në secilin projekt timin filmik. Është dramaturg dhe montazher jashtëzakonisht i mirë, i cili deri më tani ka punuar ekskluzivisht me mua. Edhe ky film, sikur edhe shumica e filmave të mi, ka si temë shkeljen e të drejtave të njeriut dhe ka 3 personazhe kryesore. Puna në skenar po na shkon më ngadalë se që kemi menduar, sepse jemi të obliguar të punojmë edhe punë tjera anash për të mbijetuar, mirëpo me rëndësi është që jemi duke punuar dhe besoj se deri në vitin 2014 do të kemi të gatshëm filmin e metrazhit të gjatë.
(ro.rro/shqiptarja.com)