Reichel: “Presim që ndryshimet në
administratë të jenë të argumentuara”

Reichel: “Presim që ndryshimet në<br />administratë të jenë të argumentuara”
Intervistë për Deutsche Wellen e Ernst Wolfgang Reichel, drejtor Drejtorie për Vendet e Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë.

Zoti Reichel, në çfarë niveli janë marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë?
Marrëdhëniet tona janë realisht të shkëlqyera. Edhe me qeverinë e mëparshme kemi pasur marrëdhënie të tilla. Unë jam në Tiranë për të vendosur kontakte paraprake me qeverinë e re dhe jam optimist se bashkëpunimi do të vijojë të jetë po në këtë nivel, madje edhe më i mirë nga e shkuara.

Cilat do të jenë në vijim fushat kryesore të bashkëpunimit mes dy vendeve?
Qeveria e re po shpreh interes për mbështetje dhe këshillim në disa fusha dhe ne jemi shumë të kënaqur për të kontribuar aty ku do ta kemi të mundur. Kjo ka qenë vazhdë në angazhimin tonë, sepse nuk duhet të harrojmë që Gjermania është një ndër donatorët e mëdhenj për zhvillimin dhe demokratizimin e Shqipërisë. Prej rreth dy dekada e gjysmë projektet dhe pragramet zhvilluese janë më shumë se 1 miliard euro. Ne jemi miq dhe aleatë në shumë fusha, të dy vendet i takojnë NATO-s, Shqipëria ndan vlerat tona, në aspiratën e vet për anëtarësim në BE, kështu kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe lidhje të ngushta.

Në tre vitet e fundit Shqipëria nuk ka arritur të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Nga pikëpamja juaj, aq sa ju e njihni situatën, a ka shanse qe deri në fund të vitit të arrihet këtë herë ky objektiv?
I përgjigjem pyetjes tuaj direkt: po, dhjetori është i mundshëm, por ama jo i garantuar. Duke ju referuar çështjeve shumë të rëndësishme qe janë ngritur në vendimet e mëparshme të Komisionit Europian për Shqipërinë, dihet që duhen rezultate dhe hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne shohim deri më tani angazhime dhe gjallëri në përballjen me këto sfida të rëndësishme.

Këto janë dhe ndër çështjet që ju po diskutoni në Tiranë në kontaktet me autoritetet?
Jam këtu duke parë nga afër ambiciet dhe qëllimet kryesore të kabinetit të ri për 100 apo mbase 200 ditët e para të punës, për t'i përkthyer ato në atë që ju pyetët më herët, në mundesitë që ka Shqipëria në marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Aktualisht në Shqipëri po zhvillohet një debat i madh mes mazhorancës dhe opozitës mbi qëndrimin ndaj administratës publike. Gjermania prej vitesh është një nga vendet e BE që ka një kontribut shumë të madh në kualifikimin e personelit të saj në nivele të ndryshme. Cili është opinion juaj në bazë të informacionit që keni?
Shikoni, administrata publike në Shqipëri ka qenë një problem shumë serioz në të shkuarën. Për shkakun se ka pasur lëvizje masive pas një ndryshimi qeverie, apo pas ndryshimit të një ministri, a një drejtuesi në nivel të caktuar. Ajo që presim është që tashmë ndryshimet në administratën publike të jenë të argumentuara. Nuk po përpiqem të them se nuk duhet të ketë asnjë zëvëndësim. Një gjë e tillë ndodh dhe në Gjermani përshembull, ku ka lëvizje, por këto të kryera në një mënyrë të balancuar. Pa i hyrë detajeve për interpretimin e ligjit të vjetër shqiptar ose ligjit të ri, në fund të fundit, mendoj se duhet të bëhet një diferencim mes lëvizjes së arësyeshme në nivele të larta në administratë, me ndryshimet masive që mund të bëhen si në të kaluarën, kur ndjekës të një partie politike të caktuar zëvëndësohen me ndjekësit e një partie tjetër.

Do t'i kthehem edhe njëherë objektivit të Shqipërisë për anëtarësimit në BE. Cila është pritmëria e Gjermanisë në këtë proces?
Qeveria e re është duke duke hyrë në zyrë me ambicie të reja dhe ide të freskta dhe ne shpresojmë se këto do të materializohen në kryerjen e pritmnërive që ka BE. Në mënyrë të veçantë në përballjen me shqetësimet, si lufta kundër korrupsionit, reformimi i sistemit të drejtësisë, lufta kundër krimit të organizuar etj. Janë objektiva që marrin kohë për të pasur efekt, por matja e angazhimit nis tani, për të parë hapat e parë konkretë dhe impaktin në vijimësi për qytetarët.

Marrë nga Deutsche Welle
Redaksia online
(ar/sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit