TIRANE- Pas marrjes në pyetje të ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami nga prokuroria, dje TV Klan ka dalë hapur në mbrojtje të ish-ministrit që i dhuroi 1.2 milionë dollarë me reklama. Arben Imami është kallëzuar nga ministria e Mbrojtjes aktuale Mimi Kodheli për abuzime në procedura e tenderime të reklamave shtetërore nga të cilat pjesën e luanit e ka përfituar televizioni Klan. Sipas TV Klan kontrolli I brendshëm I ministrisë së Mbrojtjes përgëqnjeshtron vetë ministren duke konkluduar që nuk ka pasur asnjë shkelje. Ja teksti I plotë I kronikës I transmetuar mbrëmë nga TV Klan.

“Shfryhet tollumbacja e Mimi Kodhelit për reklamat. Raporti final i Drejtorisë së Audititmit të Brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes nuk përmend asnjë akuzë ndaj ish ministrit të mbrojtjes Arben Imami, ndryshe nga padia penale e dorëzuar në Prokurori për të ashtuquajturën çështjen e reklamave.

Televizioni Klan, disponon materialin e plotë prej 35 faqesh ku Drejtoria e Auditit të Brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, shqyrton, analizon dhe jep konkluzionet e saj për disa nga procedurat e ndjekura nga kjo Ministri në kohën që drejtohej nga ish-ministri Arben Imami, ku sigurisht më e rëndësishmja është ajo për reklamat, procedurë që u padit në Prokurori nga ministrja Kodheli, me 9 Dhjetor të vitit të shkuar.

Por cilat ishin akuzat e znj. Kodheli për para-ardhësin e saj Imami?
Mimi Kodheli (9. 12. 2013): “Për konsumin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti, si dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik. Kemi të bëjmë me një padi të mirë-argumentuar, të përgatitur nga një grup ekspertësh, të cilët kanë shqyrtuar deri në detaje të gjithë këtë aferrë korruptive dhe kanë dalë me konkluzionin se kush ka qenë pjesë e kësaj procedure duhet të përgjigjet përpara drejtësisë. Kjo është gjëja e vetme që duhet të bëja në kushtet e të ndodhurit përpara këtyre fakteve dhe provave të pamohueshme”.

Akuzat e ministres Kodheli edhe pse të rënda, rezulton se nuk janë bazuar në Raportin Final të Auditimit, por në projekt – raportin. Pasi dalja publike e znj. Kodheli ku akuzon ish-ministrin Imami dhe bën të ditur se padia do t’i dërgohej Prokurorisë është bërë në datën 9 Dhjetor 2013, ndërsa raporti final është dorëzuar zyrtarisht nga Drejtori i Drejtorisë së Auditit të Brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, z. Edmond Gore në datën 14 Janar 2014. Pra, më shumë se një muaj më vonë nga dalja publike e znj. Kodheli.

Por, çfarë thotë shprehimisht në konkluzionet e saj drejtoria e Auditit për çështjen e procedurës së reklamave.
Zero gërmë apo fjalë ku të citohet qoftë edhe një akuzë e vetme për shpërdorim detyre, shpërdorim kontributesh apo shkelje e barazisë në tender apo ankande publike.
As për ish-ministrin Arben Imami dhe as për ndonjë nga  punonjësit apo ish-punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes të vënë dhe ata nën akuzë.

Në konkluzionet e Drejtorisë së Auditit të Brendshëm, të firmosur nga drejtori Edmond Gore, i emëruar në fillim të këtij viti nga vete znj. Kodheli, emri i Arben Imamit apo çdo emër tjetër nuk përmendet as për shkelje administrative apo penale, por gjithashtu edhe nuk propozohet asnjë masë ndëshkuese, as administrative dhe as financiare për asnjë nga personat e tjerë të akuzuar zyrtarisht nga znj. Kodheli, një pjesë e të cilëve vazhdojnë të punojnë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Siç rezulton në këtë raport të kontrollit të vetë Mimi Kodhelit e gjithë zhurma dhe akuzat ndaj Imamit kanë qenë të sajuara dhe pa asnjë bazë konkrete. Kodheli nga njëra anë i kërkon Prokurorisë burgosjen e Imamit dhe nga ana tjetër ajo vetë nuk bën asnjë akuzë për reklamat. Raporti i Kontrollit i Ministrisë së Mbrojtjes në përfundim të kontrollit të procedurave të reklamës mjaftohet me rekomandimet dhe sugjerimin për të ndryshuar vendimin e qeverisë për procedurën e reklamave sepse sipas tyre ky vendim lë shteg për paracaktimin e fituesit në të tilla raste. Por propozimi për ndryshimin e vendimit të qeverisë zyrtarizon përjashtimin e çdo përgjegjësie për procedurat e ndjekura më parë nga Imami apo stafi i tij.

Ky raport konfirmon se Imami dhe stafi i Ministrisë së Mbrojtjes kanë vepruar drejt dhe në përputhje të plotë me procedurën e parashikuar nga ligjet dhe vendimet në fuqi. Kur Mimi t’i ndryshojë ato mbetet t’i zbatojë me korrektesë procedurat e reja, por të akuzosh para-ardhësin nëpër konferenca shtypi për korrupsion dhe shpërdorime dhe t’i kërkosh Prokurorisë burgosjen e tij pa përfunduar kontrollin është shpërdorim i pastër i postit të Ministres. Mimi çdo ditë i kërkon Prokurorisë të veprojë me dosjet e dërguara në Prokurori ndaj Imamit, ndërkohë që kontrolli i saj në ato dosje nuk ka gjetur asnjë shkelje dhe nuk ka bërë asnjë akuzë. 

Është amoralitet politik t’i kërkosh Prokurorisë burgosjen e kundërshtarit për më tepër t’i bësh edhe presion publik Prokurorisë pse nuk vepron kur vetëkontrolli i Mimit e nxjerr Imamin dhe zhurmën e reklamave pa asnjë përgjegjësi”.(TV Klan)

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)