TIRANË - Nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë, qeveria shqiptar i dorëzon Prokurorit të Përgjithshëm 5 rekomandime për vitin 2015, ku kërkon intensifikim të luftës ndaj korrupsionit dhe rritjen e hetimeve proaktive nga institucioni i akuzës.

Në 5 pikat kyçe të rekomandimeve përfshihen; Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë; luftën kundër korrupsionit; Luftën kundër krimit të organizuar; Të drejtat e njeriut si dhe Bashkëpunimin ndërinstitucional.

Veç rekomandimeve ngrihen dhe një sërë shqetësimesh që lidhen me institucionin e akuzës, ku siç dhe shihni në këtë raport të dorëzuar këtë të premte prokurorit të përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë shkruan se, “hetimet vazhdojnë të jenë më shumë të nxitura sesa kryesisht, dhe numri i dënimeve të formës së prerë mbetet i ulët në të gjitha nivelet… Më shumë punë kërkohet për të rritur eficencën e hetimeve dhe për t’i bërë më proaktive, përfshi edhe për hetimet financiare dhe hetimet për korrupsion të nivelit të lartë, korrupsion në sistemin e drejtësisë, konfliktin e interesit dhe mashtrimin me deklarimin e pasurisë”.

Ndër pikat e tjera të rekomandimeve të qeverisë shqiptare për prokurorinë janë dhe rritja e bashkëpunimit në rekrutimin e seksionit të Policisë Gjyqësore, rritjen e bashkëpunimit me njësit e hetimit dhe Task Forc për korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe shkëmbimin në kohë reale të informacioneve.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)