Zgjerimi i diasporës shqiptare nëpër botë, po kthehet çdo vit e më shumë në një burim të rëndësishëm i të ardhurave për mijëra familje në vend.

Vetëm në gjysmën e parë të vitit emigrantët sollën në Shqipëri përmes kanaleve zyrtare të transfertave 621 milionë euro, por kjo shifër do të ishte shumë më e lartë nëse në të do të përfshiheshin edhe paratë që vijnë në cash. Në raport me vjet remitancat janë rritur me 89 milionë euro.

Banka e Shqipërisë në shifrat e fundit të publikuara thotë se vetëm në tremujorin e dytë të vitit janë dërguar në formën e remitancave 347 milionë euro, ose 23% më shumë se vjet në të njëjtën periudhë.

“Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, prurjet valutore nga emigrantët arritën në rreth 347 milionë euro, duke u rritur me 23% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e remitancave u evidentuar si nëpërmjet kanaleve formale të transferimit, ashtu edhe në formën cash, duke kontribuar në mbështetjen e të ardhurave të familjeve shqiptare dhe të konsumit të brendshëm”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Remitancat janë rritur edhe më shumë gjatë këtij viti, për shkak të SEPA, pasi shqiptarët për të dërguar para për të afërmit e tyre përmes transfertave paguajnë më pak komision.

Prej tetorit të vitit të kaluar çdo pagesë që vjen në llogarinë e një qytetari nuk ka komision më të lartë se 3 euro, pavarësisht vlerës që ka.

Vetëm në dekadën e fundit, emigrantët kanë sjellë 8.6 miliardë euro, dhe sipas të dhënave rreth 1/3 e popullsisë së vendit përfiton nga këto dërgesa.

Një raport i INSTAT i publikuar në fund të vitit të kaluar tregonte se diaspora shqiptare ka arritur në 2.2 milionë qytetarë. Vendet që numërojnë një numër të lartë shtetasish shqiptarë, janë: Italia, Greqia, Gjermania, Franca, SHBA apo Mbretëria e Bashkuar. Pikërisht prej këtyre shteteve vijnë edhe flukset më të mëdha të remitancave.