Fushata e rekrutimit për ushtarë/detarë aktivë në Forcat e Armatosura kësaj radhe u ndal në qytetin e Beratit. Vetë ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u takua dhe bisedoi nga afër me nxënësit maturantë të gjimnazit “Babë Dudë Karbunara” të këtij qyteti.
 
Ministrja u foli nxënësve për avantazhet dhe arsyet përse një i ri duhet t’i bashkohet Forcave të Armatosura.
 
“FA janë një mundësi e jashtëzakonshme për punësim, një mundësi e jashtëzakonshme për t’u shkolluar në akademitë më të mira botërore, duke filluar që nga SHBA, e deri në vendet fqinje. Kush do të vendosë ta sfidojë të ardhmen, ta sfidojë opinionin dhe ta ketë të sigurt rrugën në karrierë, është i mirëpritur të vijë të konkurrojë, të aderojë, të mësojë, të trajnohet, të edukohet, të përparojë në FA të Republikës së Shqipërisë. Është pa as më të voglin dyshim pjesa më elitë, më e mirë, më e dedikuar e shoqërisë shqiptare. FA janë një mundësi e jashtëzakonshme për të përparuar në karrierë”, tha ministrja Kodheli, e cila i konsideroi yje pjesëtarët e FA.
 
kodheli ne berat

“Vajzat dhe djemtë në uniformë janë yje për shkak të sakrificës që bëjnë, yje për shkak të vetëmohimit, yje për shkak të mundit për të mbërritur atje ku mbërrijnë, të devotshmërisë, disiplinës, sinqeritetit me të cilin punojnë, që e dallon këtë strukturë nga gjithë strukturat e tjera dhe nga profesionet e tjera”,
u tha ministrja, maturantëve.
 
Krahas ambicies për të vazhduar një shkollë të lartë dhe mundësive që FA ofrojnë, ministrja Kodheli u foli nxënësve të këtij gjimnazi edhe për vështirësitë që paraqet ky impenjim.
 
Për t’u futur nuk është aq kollaj, por për të gjithë ata që do t’ia mbërrijnë, do shikoni që do të keni shumë më tepër respekt për veten, dhe të tjerët për ju, dhe kjo është shumë e rëndësishme për njeriun. Ndaj unë ju ftoj, patjetër dhe ju sfidoj në pozicionin e ministrit, ta tentoni. Do të gjeni drejtësi, dashamirësi dhe oportunitete e shanse shumë të mëdha. Uroj që një ditë të riktheheni në qytetin tuaj duke e gjetur veten gjeneralë, kolonelë, drejtues forcash, përfaqësues të Republikës së Shqipërisë në të gjithë strukturat e NATO, me eksperienca të mëdha edhe të rikujtoni me shoqërinë e vjetër këtë bisedë modeste”, përfundoi fjalën e saj ministrja Kodheli.
 
kodheli ne berat

Pas takimit ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dha një intervistë për gazetën e këtij gjimnazi si dhe iu përgjigj interesit të mediave, lidhur me këtë proces, ku bëri të ditur se nga qyteti i Beratit deri tani, janë paraqitur rreth 60 aplikime.
 
Fushata rekrutimit për ushtarë/detarë aktivë që ka nisur në FA dhe përfundon më 25 shkurt, do të vijojë edhe në disa qytete të tjera të vendit.
 
Për vitin 2016 është planifikuar që në FA të rekrutohen 600 ushtarë/detarë aktivë. Plani i rekrutimit është konceptuar të realizohet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë në dy faza, ku faza e parë shtrihet në muajt mars–maj dhe faza e dytë në muajt tetor–dhjetor 2016. Në çdo fazë do të rekrutohen 300 vetë.


Redaksia Online
Shqiptarja.com