Renè Char, poet i
egërsisë dhe i misterit

Renè Char, poet i<br />egërsisë dhe i misterit
Poeti frëng, René Shar, (1907-1988) gëzon një famë klasike, të nëndheshme, por të sigurt. Çdo shkrimtar e ka fanar librin e tij “Egërsi e mister”. Shifrat flasin: shitjet e tij janë të krahasueshme me ato të Elyarit, të Mishosë e Sen-Xhon Persit. Veprat e tij në Plejadë, gjejnë 8 deri 10 blerës çdo vit; kjo është aq sa Bodëler, pak më pak se Rembò e pak më shumë se Apoliner.  René Shar paraqitet si figurë mbrojtëse, i përkushtuar për të
lartësuar poezinë e për t’i shërbyer perandorisë së saj: “Arti im e hiri im qëndrojnë […] për të emëruar - pasi e kam njohur – Bukurinë dhe për të siguruar shtigjet e territoreve të saj.”

Leximet e parasokratikëve (Empedoklit, Heraklitit, Parmenidit, etj.), të Rembòsë, Lotreamonit e të alkimistëve të mëdhenj, i japin atij vizionin e një misioni poetik më thelbësor. Poeti e kishte vendosur qysh  në rininë e tij që t’i përkushtohej artit të vet. Poezia e Sharit, poezi për lartësimin drejt një përsosmërie, kërkon më shumë se përkujdesje, një kondensim të fuqishëm.

Lexuesi, ashtu si te Raketat e Bodlerit (Bodleri këtu përparon në  kohë dhe vështron pikërisht nga barka e tij e dhimbjes, kur na përcakton ne), shikon te “fragmenti” rënesharian mundësinë për të kapur në disa rreshta të fuqishëm një mendim që, në tkurrjen e vet, i ngjan pikërisht poezisë, më shumë se shtendosjes së prozës.

Dominik Blank, interpretuese e poemave të René Sharit, pohon se është fjala për një autor që na rrit, duke na larguar me goditjen e parë përtacinë. Shari përmbledh gjithë bukurinë e vështirësinë e një poezie të denjë. Nëse poezia e tij u shpaloset individëve të formuar, nuk kërkon më pak njohje prej tyre, aq të ngarkuara me kuptime janë fjalët e saj. Shari lëvron aforizmin me një autoritet të sigurt, si një kërcim profetik. Duke bashkuar të kundërtat në vazhdën e Héraklitit, poezia e tij mbahet nga një tension poetik dhe imazhe të skalitura që shkëlqejnë si meteorë.
 
KOSITJA
O natë, unë s’kam sjellë nga lumturia jote veç pamjes erëmirë të elipseve të zogjve të pakapshëm! Asgjë s’e diktonte lëvizjen veç dorës tënde të polenit që mbështetej mbi ballin tim me marramendjet e një llambe luletaçeje. Në afërsi të dëshirës mullarët blu të qiellit ishin njëri pas tjetrit të ngritur, sepse vdekja atje poshtë ishte Fishkësi, i lashti me maskë, aktori i pabesë, kimisti i udhëtimit të nëmur. Mbështetem një çast mbi luharen e shiut të furishëm e thadroj gjuhën e tij. Djersët e mia të qengjit të zi provokojnë sarkazmin. Krupa më zmadhohej nga miratimi i befasishëm prej të cilit nuk arrij të ruaj drejtimin. Hallka e ardhur me vonesë mbyllur në kalorinë Pithiane, ngopur me zjarr e pleqëri, me cilin shoqërues do të lidhesha unë? Zë vend i pavënëre mbi tirandën e skafit deri në kohën e luleve kur do kuqërrojë hiri im. O natë, unë s’kam mundur ta shpjegoj në galaktikë Vegimin e asaj me të cilën u lidha ngushtësisht në kohërat e dëlira të arratisjes! Kjo
Motër e çastit rrotullonte zemrën e ditës. Nderim atij që marshon me siguri përkrah meje, deri në fund të poemës. Ai do të kalojë nesër NË KËMBË përkundrejt erës.

 
I SHTRENJTI IM TUZON
Kur dhimbja e pat vendosur atë mbi çatinë e tij të lakmuar, një dituri e spikatur u shfaq tek ai pa mjegulla. Ai nuk gjendej më në lirinë e tij ashtu si dy rrema në mes të oqeanit. Dëshira e ethshme që e robëronte për të folur, qe strukur me ujërat e errëta. Aty-këtu ngulmonin ca fërgëllima të rralla me anë të cilave ai gjurmonte llapashitjen e dobët. Një pëllumb graniti gjysmë me maskë maste me krahët e tij mbeturinat e hallakatura të veprës së madhe të gllabëruar. Mbi shpatet e lagët, gërsheti i shkumave dhe rrjedha e mjerë e formave të shpërndara. Në shekullin e rreptë që po shpalosej, do të hiqej privilegji për të korrur pa zeher. Të gjitha rrëketë e lira e maniake të fantazisë kishin mbaruar më në fund së hedhuri vickla. Në mbarim të jetës atij do t’i duhej t’i lëshohej ndërmarrjes së re, asaj që përpjekja vigane ia kishte miratuar në çdo feksje të ditës. Dita vorbullonte mbi Tuzon. Vdekja nuk ka, si urthi i dystuar, shpresën e dëborës. Në zgavrën e qytetit të përmbytur, briri i hënës nakatoste gjakun e fundit dhe llucën e parë.
 
TRI MOTRAT
E dashura ime me fustan feneri blu,
unë puth të nxehtin e fytyrës tënde,
ku shtrihet drita që kënaqet fshehurazi.
Unë dashuroj e dënes. Jam i gjallë
dhe zemra jote është ky Yll i Mëngjesit
në vazhdimin ngadhënjimtar që kuqëlon përpara
se të prishë betejën e konstelacioneve.
Larg nga ty, ç’ velë që e neverit erën
bëhet mishi im.
 
I
Në Vazon e kohërave të papërfillshme
Fëmija që do lindte ishte prej shkumësi,
Parakalimi i degëzuar i stinëve
E strehonte në bar të panjohurën.
Njohuria e pjesëtueshme
Shtynte me rrebeshe pranverën.
Një aromë fushe
Hapte lulen që përvijohet.
Komunikimi që e shpërdorojnë,
Lëvore apo ngricë lëshuar përdhe;
Vesh pamjen, shpurrit gjakun;
Syri krijon misterin e puthjes.
Dhurues jete në rrugën e gjerë,
Vorbujt e erës mbërritën gjunjazi;
Dhe ky hov, shtrati i lotëve
Lebetitet prej tij nga një fishkullimë e vetme.
 
II
E dyta vikat e merr arratinë
Nga bleta e rrugës e bliri i rubintë.
Ajo është një ditë e erës së përjetshme,
Zari blu i përleshjes, përgjuesi që buzëqesh
kur lira e tij shqipton: “Ajo që unë dua, do të jetë.”
Është ora për të heshtur,
Për t’u bërë kalaja
që e ardhmja lakmon.
Gjuetari vetë e braktis shtëpinë e brishtë:
Gjahu i qepet atij pa pasur frikë më.
Qartësia e tyre është aq e mprehtë, shëndeti aq i ri,
Sa këto dy që ikin pa u vënë re
Nuk i ndjejnë motrat që i marrin ato me vete
Me një gojëz të gjatë hiri në pyjet e bardhë.
 
III
Ky fëmijë mbi supin tënd
Është fati yt e barra jote.
Toka ku përflaket orkideja.
Mos e rraskapitni atë.
Qëndroni lule e kufi,
luleshtrydhe e gjarpër;
Atë që mbledh iluzioni
Streha e braktis shpejt.
Shuhen sytë e rrallë
Dhe fjala që zbulohet
 
Dhimbja që zvarritet mbi pasqyrë
Është nikoqire e dy zgavrave.
Shpatulla e dhunshme hapet përgjysmë;
I shurdhët duket vullkani.
Toka ku ulliri shkëlqen
Krejt copëtohet kalimthi.
Pishtari i dorëlëshuarit
Livadh i zhuritur në karantinë
Ti re kalo përpara
Re e rezistencës
Re e shpellës
Stërvitës hipnoze.
E vërteta vazhdon
Novatori i hardhucës
Tërheq tërkuzën e poteres
Matet krevati
Me trajtat e shtira të kofshës
Gjaku memec që çlirohet
Rrotullon mbrapsht akrepat
Përtërin dashurinë pa e hetuar.
Shenja e krasitësit
Sepse dielli e formonte palloin në mur
Në vend që të udhëtojë mbi kurrizin e pemës. 
 
Meteorët e fuqishëm
Në pyll dëgjohet krimbi të gufojë
Krizalidna që kthen në fytyrën e kulluar
Lehtësimin e saj të natyrshëm
Njerëzit kanë uri
Për mishra të fshehtë për mjete gjakatare
Ngrihuni shtazë për t’u prerë fytin
Për të merituar diellin.
Në horizontin e dukshëm
Rrugët e mëdha
Flenë në hijen e duarve të saj
Ajo ecën në agoni
E nesërmja
Si një vazhdë pluhuri.
Ndërtesa e bukur
e parandjenjat
Dëgjoj të rrjedhë në këmbët e mia
Detin e vdekur dallgët përmbi kokë
Fëmija korridor-shëtitës i egër
Njeriu imitim iluzioni
Sytë e kulluar në pyll
Kërkojnë duke qarë kokën e banueshme.

 
UDHËTIM
Mbi rrugën që futet tutje
Një kalë s’ngrihet më.
Currili inatos një çift;
Pastaj bari i një dege të ulët
Bën një çati, e atë ia zgjat atij.
Nën lulen bojë karafili të shqopave
Nuk rënkon pikëllimi.
Skifterët, zogjtë grabitqarë, kunadhet, qentë e mive,
Dhe farandolat e përzishme
Mbeten në krahinat barbare.
Thekra cakton kufirin
Midis fierit e grackës.
Lëshoje një të shkuar të papërfillshme.
Çfarë duhet
Shkopi i pranverës në ballë,
Që reja të përgjumet
Pa i përpirë sytë tanë?
Çfarë i mungon
Lumturisë së të qenit e galopit të shuar,
Sëpata e futur midis të dyve?
Dërrmoje - varfanjakun! Ik që këtej, rob!
Djersitja e kasapëve
Ende hipnotizon Merindolin.
 
Shënimi hyrës është pjesë e parathënies së Çlirim Kokonozit për librin e tij të ri 
Rene Shari: Vetëtimat e mugut. Po ashtu edhe poezitë janë përkthyer nga Çlirim Kokonozi, e janë shkëputur nga ky libër.
 
Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.08.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në Shëngjin, por me intensitet më të ulët

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në Shëngjin, por me intensitet më të ulët