Superliga shqiptare e futbollit mbylli raundin e shtatë. Këtë të diel u zhvilluan dy ndeshjet e mbetura, teksa te tri pikët dolën Vora dhe Partizani.
Në 'Elbasan Arena' vendasit e AF Elbasanit u përmbysën 1-2 nga Vora. Kristi Qose shënoi për elbasanasit në minutën e 55-të, para se vorakët të përmbysnin me Dakën dhe Karricën. AF Elbasani me 11 pikë mbetet në vendin e katërt, ndërsa Vora ngjitet në kuotën e dhjetë pikëve në vendin e gjashtë. Në stadium nuk munguan tensionet, pasi tifozët vendas nuk e kapërdinë dot humbjen duke kapërcyer kordonët e sigurisë dhe pati një tentativë për përleshje me tifozët miq nga Vora. Ndërhyrja e policisë bëri që gjithçka të qetësohej pa pasoja.
Në Vlorë, vendasit e Flamurtarit u mposhtën 0-1 nga Partizani. Një autogol i Lorenc Trashit në minutën e 62-të i dha tri pikë "Demave të Kuq" duke bërë që Oltijon Kërnaja të debutonte me fitore në stolin e Partizanit. Nga ana tjetër Flamurtari merr humbjen e pestë sezonale dhe është ekipi i vetëm që nuk e ka fituar një ndeshje në Superligë. Trajneri i ri Francesco Moriero debutoi me humbje për vlonjatët.
Pas javës së shtatë Superliga kryesohet nga Vllaznia me 16 pikë, ndjekur nga Egnatia, Teuta dhe AF Elbasani.
Superliga, raundi 7-të:
E shtunë, 18 tetor 2025
Bylis 0-1 Vllaznia (Peralta 83' (autogol))
Egnatia 0-0 Dinamo
Tirana 0-0 Teuta
E diel, 19 tetor 2025
AF Elbasani 1-2 Vora
Flamurtari 0-1 Partizani
Renditja:
AF Elbasani u mposht 1-2 nga Vora në stadiumin 'Elbasan Arena'. Në momentin që miqtë shënuan golin e barazimit, tifozët vendas kanë kaluar një nga gardhet rrethuese mes tribunave dhe kanë tentuar të përleshen me tifozët e Vorës. Gardhi i dytë mbrojtës dhe ndërhyrja e policisë kanë bërë që situata të qetësohej dhe ndeshja të vijonte.
Komente











