Renis Gjoka: “Besoj në suksesin e hapave që kam hedhur”

Renis Gjoka: “Besoj në suksesin e hapave që kam hedhur”
Renis Gjoka ish-vokalisti i grupit “Burn” prej disa kohësh ka formuar grupin e tij, i cili quhet “Renis Gjoka Band”. Në një intervistë për suplementin THASH&THEM, Gjoka ka rrëfyer ecurinë e kësaj faze të re të karrierës së tij. Gjithashtu ai është shprehur edhe për projektet e tij muzikore të cilat priten të jenë të afërta dhe mjaft të sukseshme. Ndërkohë këngëtari i cili është identifikuar me rrymën rock thotë se së shpejti do të vij në duet së bashku me xhaxhain e tij, Aleksandër Gjoka, një ndër emrat më të famshëm të muzikës shqiptare.

Keni hyrë tashmë në një etapë të re të karrierës suaj muzikore, si po ecën ajo?

Jam shumë i kënaqur me ecurinë e deritanishme, ndonëse sapo ka startuar kjo etapë e re.

Si po shkon puna me djemtë e Renis Gjoka Band?

I jemi futur punës duke bërë prova intensive dhe them se kemi arritur aty ku duhet.

Mbi ç’kritere përzgjodhët djemtë e bandës suaj?

Pak a shumë e kam patur një ide se më kë duhet të bashkëpunoja në vijim, por me pas me anë të provave fillestare kam vendosur se cilët duhet të kisha në band.

Pjesë e bandës suaj është edhe Gjergj Kaçinari, djali i kompozitorit të njohur shqiptar, si është të punosh me të?

Është një kënaqësi pasi Gjergji është një djalë shumë i talentuar dhe me shumë energji.

Si kanë qenë koncertet gjatë kësaj vere?

Përveç pjesës 1 mujore të pauzës që nevojitej për të formuar bandën e re, çdo gjë tjetër ka qenë shumë në rregull. Kemi zhvilluar shumë koncerte, që në momentin kur u ndjemë gati për të dalë në skenë.

Kur do ta kemi singëllin tuaj të parë?

Mund t’ju siguroj që nuk do të vonojë shumë.

Pse ia besuat këngën tuaj Big Bastës?
Faktikisht Big Basta i cili është një nga miqtë e mi më të mirë përveçse është një tekstshkrues shumë i mirë, po merret me tekstin e një prej këngëve të mia që do të publikohen në të ardhmen. Është një këngë të cilën e ka kompozuar Endrit Shani dhe akoma nuk kam menduar se për çfarë do ta konsumoj si këngë. Gjithsesi kam menduar, që duhet ta kem pasi është një këngë vërtet shumë e bukur.

Do ti qëndroni besnik rrymës rrok, edhe tani që po vazhdoni karrierën tuaj solo?

Jo jo. Tani direkt te tallavaja (qesh).

Keni provuar të eksperimentoni në rryma të tjera muzikore?

Siç e kam shprehur, do të eksperimentoj në shumë rryma deri në limitin e profilit të muzikës Rock (qesh).

Do t’iu shohim në ndonjë kompeticion të ardhshëm të muzikës shqiptare?

Po. Me 99% po.

Kur do të dal në treg dueti me xhaxhanë tuaj, të mirënjohurin Aleksandër Gjoka?

Nuk do të vonojë më shumë se 1 muaj e gjysëm (qesh).

Sa suport e keni Sandrin në karrierën tuaj?

Sandri ka qenë gjithmonë suporti im moral.

Sa afër e keni ndjerë publikun, tani kur po zhvilloni karrierën tuaj solistike?

Të them të drejtën, e kam ndjerë pak a shumë se do të kisha mbështetje maksimale, por është kënaqësi më vete kur vjen momenti që e provon (qesh).

Duket se i jeni përkushtuar vetëm punës, keni gjetur pak kohë për të pushuar këtë verë?

Të them të drejtën vetëm 2-3 ditë pushime kam bërë, por kam menduar që të bëj dhe disa ditë të tjera në shtator.

Përveç muzikës a ka Renis Gjoka një tjetër hobi?
Librat. Është një detyrë e domosdoshme për tu shplodhur.

Po familjarëve tuaj sa kohë i kushtoni?
Faktikisht kohët e fundit nuk kemi patur shumë kohë për të ndenjur bashkë. Kemi ndenjur aq sa kemi pasur mundësi, pasi secili prej nesh ka qenë i angazhuar me punët e veta. Gjithsesi, tani që vjen vjeshta kam përshtypjen se do të kemi shumë më shumë kohë për t’ia kushtuar njëri-tjetrit (qesh).

Me cilin jeni më shumë i lidhur?
Të gjithë i dua dhe nuk i ndaj, gjithsesi me vëllanë rri më shumë.

Nëse nuk do të merreshit me muzikë, çfarë do të bënte Renis Gjoka?

Nuk e kam menduar, por siç e kam thenë edhe diku tjetër, kam përshtypjen se do të bëja një jetë më të “varfër” nga ana shpirtërore, pasi do të më mungonte muzika.

Çfarë është muzika për ju?

E dashur e përjetshme (qesh).

Besoni se do të keni më shumë sukses vetëm apo me Burn?

Ju si mendoni? Po të besoja këtë të dytën, do të bëja hapin e të parës?!

Su/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Pamje/ Festivali i Dritave ndez skenën në Shirokë! Aty ku bashkohen muzika me traditën dhe bukurinë e liqenit

Pamje/ Festivali i Dritave ndez skenën në Shirokë! Aty ku bashkohen muzika me traditën dhe bukurinë e liqenit