Renis Gjoka: Në Top Fest
për çmimin e madh

Renis Gjoka: Në Top Fest<br />për çmimin e madh
Grupi “Burn” është tashmë një nga grupet finaliste të Top Fest 9. Kënga e tyre “Njerëz që takoj çdo ditë, është përgjedhur automatikisht nga publiku për të qenë, në finalen e cila do të jetë në 3 qershor, në Pallatin e Kongreseve. Solisti i këtij grupi, Renis Gjoka, thotë në një intervistë për THASH&THEM, thotë se kjo është një këngë për hipokrizinë, që gjendet kudo në art, në jetë dhe në realitet. Duket se grupi “Burn”, është futur me synime të qarta në Top Fest, duke synuar çmimin e madh të këtij eventi. “Të gjitha çmimet janë stimul e sigurisht që ndihesh i vlerësuar kur merr secilin prej tyre, por unë jam i mendimit se në garë futesh për të fituar”, shprehet solisti Renis Gjoka, i cili pohon se kënga do të shoqërohet edhe me një klip, që do të xhirohet në Shkup.


Jeni përzgjedhur automatiksht në finalen e Top Fest, ndjeni ndonjë përgjegjësi të veçantë?

Normalisht jemi shumë te lumtur. Jemi futur para kohe në finale dhe kjo na ka bërë të ndihemi shumë mirë.

Kënga me të cilën përfaqësoheni duket se ka marr shkas nga realiteti i përditshëm. Sa është pëlqyer ajo nga publiku?

Mendoj se duhet bërë një sondazh në publik për këtë pyetje (qesh).

Është pikërisht realiteti i përditshëm ai që ju frymëzon në artin tuaj?

Ne jemi munduar gjithmonë të nxjerrim në pah probleme të ndryshme sociale, që shoqëria jonë i ka me shumicë. Këtë gjë do ta bëjmë gjithmonë edhe në të ardhmen.

Sa e ndeshni hipokrizinë në jetë dhe në art?

Hipokrizia është e dukshme në çdo fushë të jetës. Nuk e ndjej vetem unë, e ndjejmë pothuajse të gjithë. Gjithsesi është një fenomen i cili është, sa aktual ashtu edhe i hershëm.

Cilin çmim do donit të fitonit në Top Fest?

Të gjitha çmimet janë stimul e sigurisht që ndihesh i vlerësuar kur merr secilin prej tyre, por unë jam i mendimit se në garë futesh për të fituar.

Si ju duken këngët e tjera konkurrese?

Ka shumë këngë të bukura e prurje interesante. Ka larmi rrymash. Ka artistë të njohur gjithashtu edhe të rinj me shumë talent. Të gjithe këta faktorë, e kane bërë këtë event shumë interesant.

Kujt i trembeni më shumë?

Jo. Nuk kemi hyr me këtë filozofi loje (qesh). Ne përpiqemi të bëjmë maksimumin e ta paraqesim veten sa më denjësisht të jetë e mundur.

Në Top Fest jeni vlerësuar me “Best neë artist”, e synoni çmimin e madh këtë herë?

Sigurisht që po. Pse jo fundja…

Renis ju jeni solisti i Grupit “Burn”, në një farë mënyre keni peshën më të madhe në grup. Si ka ardhur grupi nga krijimi deri tani?

Grupi është bërë tashmë 7 vjeç dhe mund të them se është një djalë i bindur dhe shkon shumë mirë me mësime (qesh).

Jeni të kënaqur me suksesin e arritur?

Sigurisht që po. Sukseset vijnë gradualisht. Nuk kemi pasur kurrë maninë, që të bënim një bum që në fillim. Kemi dashur që gjithmonë t’i ngjisim shkallët pak nga pak në mënyrë që kur të vinte momenti i majës, të ishim të pjekur mjaftueshëm për ta mbajtur këtë majë. Them se jemi aty ku duhet deri tani dhe jemi në rrugen e duhur. Nuk kam asnjë peng nga e kaluara përsa i përket rrugës së ndjekur.

Kujt ia besoni tekstet tuaja?

Kemi pasur shumë bashkëpunime. Më të shumtat kanë qenë me Big Bastën, të cilin e përshendes, por kohët e fundit kam filluar të shkruaj vet. Dua të përmend edhe Pirro Çakon, Pandi Laçon, Dorela Shanin, të cilët kanë qenë disa nga tekst shkruesit e këngëve tona.

Keni menduar të vini ndryshe për publikun, apo rroku është rryma që ju përfaqëson?

Sigurisht që duhet të vijmë gjithmonë ndryshe, deri aty ku është caku, korniza. Pa cënuar thelbin e konceptit që kemi për artin. Nëqoftëse vijmë ndryshe përsa i përket veshjes apo diçkaje tjetër të kësaj natyre, jemi në rregull. Por nëqoftëse ne vijmë ndryshe duke ndryshuar rrymën që përfaqësojmë atëherë do të humbiste identiteti jonë dhe ne do ishim thjesht disa “majmunë”, të cilët imitojnë çfarëdo lloj gjëje që i kalon përpara syve.

Sa e ndjeni konkurrencën mes grupeve të tjera të rrokut?

Ne kemi krijuar një “shteg” tonin në të cilin ecim të qetë. Kam pershtypjen se këtë gjë duhet të bëjmë të gjithë, pasi secili nga ne ka identitetin dhe karakterin e tij. Madje do të thoja që duhet të rritet bashkëpunimi midis grupeve dhe këngëtarëve.

Keni menduar të shkëputeni ndonjëherë prej tij?

E kam thenë gjithmonë, përsa kohë gjërat shkojne ashtu siç duhet, nuk ka arsye pse të shkëputem. Nëqoftëse gjërat ndryshojnë për keq në të ardhmen, atëherë mund të ishte një alternative për t’u marrë parasysh. Deri tani jemi shumë mire, dhe unë jam shumë i lumtur me këtë fakt.

Sa ju ka frymëzuar xhaxhai juaj Aleksandër Gjoka në karrierën tuaj?

Sandri ka qenë dhe është frymëzimi kryesor. Është një njeri që përçon shumë energji pozitive. E kam thenë e do e them gjithmonë, “ Sandri është një njeri që nuk plaket kurrë”.

Këshilloheni me të për projektet tuaja muzikore?

Të them të drejtën, rrallë. Pasi secili ka qenë i angazhuar me projektet e veta personale, por kur jam konsultuar sigurisht që kam marr këshilla shumë të vlefshme.


Cilat janë projektet e Burn, tani edhe me ardhjen e sezonit turistik?

Koncertet e verës dihen, por ne kemi në plan të realizojmë një tur në sheshet e qyteteve kryesore (rreth 12 koncerte), të shohim sa do t’ja arrijmë qellimit pasi jemi pak si vonë. Nëqoftëse nuk do ta realizojmë, atëherë do të vazhdojmë si gjithmonë me koncertet e verës dhe këtë projekt të madh do ta shtyjmë për në vjeshtë dhe dimër në salla të mbyllura. Paralel me turin, do të dal edhe albumi i ri i grupit, i cili është gati.

Po ju do të bëni pushime këtë vit?

Do kishim dëshirë dhe kemi nevojë të bëjmë shumë, por kemi frike se edhe këtë vere do bëjmë shumë pak (qesh).

Do të jeni vetëm apo i shoqëruar?

Për aq pushime sa mund të bëjmë, të dyja alternativat janë të mundura (qesh).

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzhdie

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzhdie