STRASBOURG - Kryeministri i Italisë Matteo Renzi, duke folur për të parën herën pas marrjes së Presidencës së BE-së, prezantoi sot prioritetet ku do të përqëndrohet puna e unioni evropian, gjatë mandatit të shtetit italian.

Ndryshe nga paraardhësit e tij, Renzi e mbajti fjalimin e tij pa letra të shkruara, por me “duar në xhepa”, ku theksoi se BE nuk ka të ardhme pa zgjerim të mëtejshëm të unionit.

"Nëse ne vazhdojmë të mbyllemi brenda kufinjve tanë nuk do të shkojmë asgjëkundi. Roli kryesor i Evropës nuk është vetëm në aspektin ekonomik, por edhe dimensioni njerëzor. Ne përfaqësojmë një fener të qytetërimit, qytetërimin e globalizimit. Italia nuk kërkon rrugë të shkurtra, por do të bëjë pjesën e saj. Nëse do të bashkojmë burokracitë tona, unë ju garantoj se mjafton vetëm e jona. Ne kemi një identitet që merr frymë brenda nesh. Nuk dua të nënvlerësoj çështjet ekonomike dhe financiare, por këto nuk janë vlera më e madhe që ka unioni" theksoi Renzi.

Duke folur për politikat ekonomike që do të ndjekë BE gjatë Presidencës italiane Renzi nënvizoi se nuk duhet parë nga e kaluara, por duhet punuar shumë dhe së bashku që Bashkimi Europian të rikthehet lider në politikën globale dhe ekonomike.

"Pa rritjen, jo Italia por Evropa nuk ka të ardhme. Nuk dua të gjykoj të kaluarën. Ne jemi të interesuar që e ardhmja të fillojë menjëherë. Bota po ecën me një shpejtësi dy herë më të madhe se ajo e Evropës. Duam apo të rikupërojmë këtë distancë? Evropa duhet të rigjejë rolin e saj si pararojë e zhvillimit, inovacionit,  kapitalit njerëzor. Lidhur me çështjet ekonomike unë ju garantoj, se ne do të dëgjohemi me forcë, me forcën e një vendi që më shumë ka dhënë se sa ka marrë." nënvizoi Renzi

Kryeministri italian Matteo Renzi mbërriti paraditen e sotme në Strasburg dhe përpara se të futej në  sallën e Parlamentit Europian u takua fillimisht me eurodeputetët italianë dhe më pas me Presidentin e sapo rizgjedhur të PE Martin Schultz.

Ditën e djeshme, ashtu siç pritej, Greqi ka dorëzuar Presidencën e Bashkimit Europian duke ia lënë rradhën mandatit 6 mujor të Italisë. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)