/ATSH-AFP/ - Kryeministri italian, Matteo Renzi, në vizitë në Uashington, reagoi sot për imigrantët e mbytur këto ditët e fundit në Mesdhe duke konfirmuar se problemi nuk mund të zgjidhet pa një stabilizim të situatës në Libi.
"Është një det, jo një varr", deklaroi Matteo Renzi në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin amerikan, Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë.
"E vetmja zgjidhje është paqja dhe stabilizimi i institucioneve libiane", shtoi ai.
Duke përmendur situatën e sigurisë, kryeministri italian theksoi se të gjitha vendet e rajonit ishin të shqetësuara.
"Ne duhet të jemi më koshientë për faktin se puna që duhet të bëhet i përket Libisë, por gjithashtu të gjithë Afrikës dhe do të thoja mbarë botës", theksoi ai.
Përkrah tij, presidentit amerikan, Barack Obama përmendi shqetësimin amerikan përballë krijimit të zonave të kontrolluara nga terroristët.
"Shteti Islamik kërkon me çdo kusht të përhapë kaos në Libi për të vendosur një pjesë të grupeve të tij atje", theksoi presidenti amerikan.
"Koordinimi me Italinë dhe partnerët e tjerë kyç do të jetë shumë i rëndësishëm", shtoi ai.