Replikë me Zonjën Hoxha

Replikë me Zonjën Hoxha
Nga Remzi Lani
Për një njeri që e ndjek sadopak shtypin e huaj, është një fakt i njohur që nga pranvera e këtej, Nexhmije Hoxha jepe intervista majtas e djathtas, nga njëri skaj i kontinentit në tjetrin. Duket se zonja Hoxha kërkon t'i mbushë mendjen botës sepse në Shqipëri nuk e beson më njeri.
Para së gjithash në intervistën dhënë javën e kaluar "L'evenemment du jeudi", zonja Hoxha kërkon të bind të tjerët, se nuk është ajo që ishte zhytur në korrupsion, por ministrat e sotëm. Dhe si "argument" përmend udhëtimet, avionët, aeroportet.
Zonjë, ju e keni të pamundur të dilni nga koncepte tuaj të mbrapshta të izolimit. Për ju ministria duhet të udhëtojnë si në kohën tuaj, nga zyra e tyre, te zyra e Enverit. Vetëm kaq. A e dini ju politika e sotme nuk bënë dot as pa ato kalimet "e shpejta" që juve u shqetësojnë. Sa për punën e parave për të cilat juve merakoseni, po ju themi se janë shumë pak nga ato të harxhuara nga fëmijët tuaj në udhëtimet e tyre nëpër Evropë. Të paktën Ministrat po i sjellin diçka Shqipërisë, po ata zonjë, ç' sollën? Padashur kemi zbuluar diçka, Juve u interesojnë thashethemet për "korrupsionin" e qeveritarëve të rinj, të cilat s'ka përse të mos besojmë që i përhapni ju dhe njerëzit tuaj të fshehtë.
Kërkoni të justifikonin më pushtë shpenzimet tuaja skandaloze. Dhe si "argument" na nxirrni se shumë njerëz vinin te ju dhe trokisnin në derën tuaj. Thoni se ishin dhjetë mijë kosovarë. Jemi të detyruar t'ju kujtojmë se për periudhën që ju përmendni, pra nga marsi 1990, një shifër e tillë nuk është e vërtetë. Ishte e vështirë në atë kohë të trokisje në portat e Shqipërisë, jo më në portën tuaj. Llogaria e komisionit qeveritar ("të ashtuquajtur" thoni ju) juve ju duket "e ndyrë", po mos vallë punët tuaja na paskëshin qenë të pastra?
Shqiptarët thoni ju, "s'kanë as idenë më të vogël se ç'është luksi". Natyrisht zonjë, pasi luksi ishte vetëm për ju. Për shqiptarët ishte vetëm radha, racioni. Dhe, natyrisht edhe përçmimi juaj prej monarkeje, që nuk e fshihni dot as në deklaratën e mësipërme. JU nuk harroni të shprehni qëndrimin tuaj ndaj demokracisë, deshëm të thoshim, kundër demokracisë. Për ju studentë janë vandalë, njerëzit që mbushëm sheshin "Skënderbej" në 20 shkurt janë vandalë, etj, etj. Kudo shihni vetëm vandalë, vandalë dhe komplotistë.
Na nxorët mallin e Enverit kur folët për "komplotin e bulonave". Pacaka se nga fantazia jeni larg tij dhe gjërave u bini fare shkurt. Për shembull, duhet të thoni se në këtë komplot është dhe dora e CIA-s amerikane, e KGB-së sovjetike dhe e MOSSAD-it izraelit etj, etj.
Që zonja Hoxha nuk i beson ato që shkruhen nëpër gazeta për diktatorin, kjo është një gjë krejt normale. Ata që i shkruajnë nuk besoj se kanë ndërmend t'i ndryshojnë mendjen asaj, as për Enverin, as për Stalinin. Por, sesa "i ëmbël dhe thellësisht demokrat" ishte Enveri e dëshmojnë mijërat e të persekutuarve edhe të përndjekurve në të gjithë Shqipërinë. Por natyrisht Enveri kërkonte demokraci "me rregull", domethënë me kërbaç.
Zonja Hoxha në intervistën e saj bënë një konstatim interesant. Enver Hoxha ishte i vetmi intelektual i Byrosë Politike të tjerët ishin punëtorë dhe injorantë vullnetmirë. Na lind një pyetje: kush i zgjodhi këta injorantë dhe përse zgjodhi pikërisht këta? Përgjigja: ose sepse me ta merrej vesh më mirë, ose për t'i nënshtruar më lehtë. Apo jo, zonjë? Se në qoftë se Enveri nuk dinte kush futje në burg, siç thoni ju (?!) nuk mund të thuash se nuk e dinte edhe se kush futje në Byronë Politike.
Ah, po harruam, siç thotë zonja Hoxha, "ky qe fati".

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf