Replika e plotë e Tahirit me Berishën

Asnjë surprizë në fakt. Bërë kronikën e zezë (Berishës). Bëre parashikimin e motit. Bëre atë seancën e filxhanit. Lëshove disa urime dhe disa mallkime. Po mirë si nuk fole njëherë, një llaf, ta thoje për Reformën në Drejtësi? Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’i hapur rrugën Vetting-ut? Si ka mundësi një ngjarje të tillë, me rëndësi madhore për vendin, për qytetarët, po si ka mundësi zotrote nuk i kushtove një fjalë?

Ti, mjeshtër i fjalës dhe thashethemit. Ti, artisti i imagjinatës deri te vrimat më të zeza. Si ka mundësi nuk lëshove një fjalë për Vetting-un? Si ka mundësi nuk the një fjalë për Reformën në Drejtësi, ti që nuk lë llaf pa sharë Kryeministrin, mua, kolegët e mi, deputetët e mazhorancës, familjet tona. Dhe s’ka problem, ne t’i durojmë si kusur të natyrshëm të të qenit tënd këtu në parlament. Po si ka mundësi nuk the një fjalë për Vetting-un? Si ka mundësi nuk the një fjalë për Reformën në Drejtësi?

E ke një problem, përderisa u detyrove të bëje një xhiro të tërë llafesh dhe thashethemesh e nuk e the një gjysmë fjale. Nuk të lëshoi gryka një gëk për reformën në Drejtësi dhe për ligjin e Vetting-ut. Si e ke hallin?

Çfarë gjë kaq e madhe të mbylli gojën sot? Cila gjë kaq e fortë të heshti sot? Ti, burri që flet çdo gjë dhe vetëm për Reformën në Drejtësi dhe Vetting-un sot nuk fole? Si ka mundësi ti që shquhesh për guximin e fjalës, e nuk the sot një fjalë për Vetting-un? Çfarë ta mbylli gojën? Çfarë të heshti?
Bëhu burrë, çohu këtu dhe hajde fol. Çohu pra bëhu burrë edhe fol për Vetting-un! Pse nuk flet për gjyqtarët, për prokurorët, për të gjithë ata që për shkak të Vetting-ut nuk duhet të jenë më në sistemin e drejtësisë. Dhe kjo falë Vetting-ut. Çohu pse nuk flet për Reformën në Drejtësi dhe për Vetting-un! Për 25 vjet kusur që kanë mbi kurriz shqiptarët, kjo dhe falë teje, për gjyqtarët dhe prokurorët të korruptuar  që nuk japin drejtësi po nuk ju tregove paratë. Që nuk japin drejtësi po nuk ju tregove lidhjet në pushtet. Që nuk japin drejtësi në rast se nuk gjejnë një shkelje syri te ty apo te kanakarët e tu. 

Ja kjo është ajo që ta mbylli gojën. E nuk të del një fjalë për gjënë sot më të madhe. Shqiptarët kanë pritur çerek shekulli. Ti që i bën thirrje ëndrrave të shqiptarëve të viteve ’90 dhe po ti që mbolle padrejtësinë më të madhe në këto 25 vjet, pse nuk del këtu të flasësh për Reformën në Drejtësi?
Ëndrrat e shqiptarëve të viteve ’90 ishin për të bërë një vend më të begatë, një vend më të drejtë, ku drejtësia të mos jetë monopol i disave. 
Ku padrejtësia të mos jetë rregulli. Dhe ti nuk çohesh. Ti nuk u çove të flasësh as për Reformën në Drejtësi, as për Vetting-un. U përpoqët ta vononit. U përpoqët ta bllokonit. U përpoqët ta deformonit. Përdorët gjithë mekanizmat në dëshpërimin e fundit, donit të përdornit dhe mekanizmat që keni brenda sistemit gjyqësor. Sot pse s’flisni? Minimumi angazhojuni këtu, bashkë me ne që po Reformën në Drejtësi do ta çojmë përpara bashkë. 

Tani që u zhbllokua dhe ligji i Vetting-ut, Reformën në Drejtësi do ta çojmë përpara se tani fillon historia e vërtetë. E tani na duhet të punojmë më shumë për ta bërë realitet. Unë nuk po të them që, fundja të bësh një apologji të tërë për nevojën që kemi për të pasur drejtësi. Po të paktën dil këtu në emër të Partisë Demokratike dhe angazhohu bashkë me ne për ta bërë realitet reformën në  drejtësi. A do dalësh këtu Sali dhe të thuash po, Partia Demokratike angazhohet që ta bëjë realitet reformën në drejtësi. 

Do dalësh këtu ta thuash apo jo? Pse nuk e thua? Ti që je më i gjindshmi i parlamentit për të shpifur për cilin do prej nesh. Makina ime me drogë, makina e Kryeministrit me drogë, makina e vëllait të Kryeministrit me drogë, vila aty dhe paratë atje. Në kryeministri numërohen para e çfarë nuk ke thënë ti. Po mirë dakord. Ka drejtësi dhe ka institucione ky vend dhe ne duam që me reformën në drejtësi ti japim drejtësinë e vërtetë qytetarëve shqiptar.
A del këtu të angazhohesh se bashkë do ta bëjmë të mundur reformën në drejtësi. A doli dali dikush nga ju këtu në emër të Partisë Demokratike të angazhohet publikisht, zyrtarisht për ta bërë realitet reformën në drejtësi? Ja këtë nuk bëni dot ju. Ju jeni gati të dilni këtu dhe të përdridheni edhe për skafet edhe për makinat edhe për drogën edhe për hashashin dhe për të gjitha, nuk lini gjë pa thënë. 

Po për reformën në drejtësi përse nuk dilni? Po për reformën në drejtësi përse nuk dilni? Si e keni hallin? Cili gjyqtar ju ka lidhur prej fyti? Ku jeni lidhur prej fyti? Të është bërë zakon të flasësh për shtëpinë e Edi Ramës. Mirë e bën fundja se të gjithë politikanët pasuritë duhet t’i kenë nën dritën e syve të publikut dhe mirë e bën pavarësisht abuzimit. Po Edi Rama  e ka sqaruar zyrtarisht, publikisht historinë e shtëpisë së tij. 

Po ti si nuk e sqaron historinë e shtëpisë tënde. Historinë e zyrës tënde. Historinë e vilës tënde në Gjirin e Lalzit. Ti si nuk i sqaron 12 shtëpitë e vajzës tënde që i bëri gjatë 3 viteve. Pse nuk i sqaron ti këto? Fole këtu për librat e Edi Ramës. Po mirë dakord ai i shkruan vetë librat, të mirë të këqij i gjykon publiku nuk i gjykon ti. Po këtu në këtë parlament i vetmi që i shkruhen libra për të birin je ti. 

Askush nga ne. Kurrkujt në këtë parlament sot e 25 vitet e kaluara nuk ka njeri që t’i shkruaj libër për djalin. Nuk ka njeri. Je i vetmi ti, apo t’i bëjnë filma Hollywood-i? Je i vetmi ti. Po dil të paktën fol për vetingun dhe reformën në drejtësi. Lëri thashethemet, lëri mashtrimet, lëre baltën fundja. Mund të ketë hije një ditë një lloj fisnikërie këtu në këtë podium që të dalësh dhe të flasësh vërtetë për atë që presin qytetarët. Mund të ketë hije për çfarë ke qenë në këtë vend, detyrat që ke mbajtur dhe fundja për çfarë do të mbajë mend. 

Por dil e thuaj një llaf për reformën në drejtësi. Dil thuaj një fjalë për vetingun. Se mua ma do mendja se nuk ndahemi kur vjen puna për të dënuar gjyqtarët e korruptuar, pavarësisht se ti kur të zëmë në gojë Gjin Gjonin, thua lani gojën. Po të paktën dil thuaj një fjalë.

Sot dua ta falënderoj Lulzim Bashën. Dhe s’e kam fare për ironi. Ta falënderoj se sot për herë të parë, në emër të PD, shkoi në Spitalin Ushtarak, pa një punonjës policie të plagosur në krye të detyrës, dhe i falënderoi punonjësit e policisë, duke iu garantuar mbështetje. Dhe dua ta falënderoj jo me ironi Lulzim Bashën, sepse është ajo që duhet. Shyqyr Zotit, erdhi dita, kur dhe ju falënderoni Policinë e Shtetit. Dhe falëminderit që e bëtë. 

Por ndajeni mendjen! Ndajeni mendjen. Do falënderoni punonjësit e policisë, apo do i quani “çunat e krimit” këtu në këtë foltore? Ndajeni mendjen. Do falënderoni policinë apo do i quani “çunat e Sajes” këtu kur vini në këtë foltore? Do falënderoni sakrificat e policisë, apo do thoni që policia merret, ngarkon, mbjell, ruan, transporton kanabisin dhe drogën në vend? Ndajeni mendjen! Ndajeni mendjen! 

Por unë gjithsesi dua ta falënderoj Lulzim Bashën, më në fund e kuptoi që policia është e denjë për të merituar falënderimet dhe mbështetjet e secilit në këtë parlament, dhe të atij që e keni lënë atje si sekretar partie! Po, është e denjë Policia e Shtetit. Kështu që mirëserdhët aty ku duhet, për të falënderuar dhe për të mbështetur Policinë e Shtetit.

Sot policia bërë një aksion shembullor, në ndjekje të një grabitësi të një makine në Lezhë. Një polic u plagos, dhe unë gjej rastin t’i uroj – shërim të shpejtë! Dhe mbështetja jonë shkon për të dhe për familjen e tij. Dhe gjithashtu të falënderoj kolegët e tij që bënë një detyrë të shkëlqyer, për të kapur në kohë rekord, atë që plagosi policin. 

Se tani, ndryshe nga koha kur ju ishit në qeveri, kriminelët nuk ikën më në drejtim të paditur. Nuk ka më që: - bëj ç‘të duash në këtë vend, i kalon dhe nën hundë policisë, dhe nuk merresh vesh. Nuk ka më. Dhe ata që ju i përmendni emrin, Balili me shokë, të jeni shumë të bindur që është vetëm çështje orësh dhe ditësh, deri sa të kapet. 

Sepse në këtë vend, me këtë qeveri dhe me këtë polici, nuk ka asnjë nga ata kriminelë që thoni ju, që mund të mbetet larg nga duart e drejtësisë. Kjo është e sigurt dhe ky është dallimi ynë i madh me policinë që ishte dje. Ky është dallimi ynë i madh me qeverinë që ishte dje. Ky është dallimi ynë i madh me mënyrën se si ju bënit punët, me mënyrën se si bëjmë ne punët!

Sa për Agron Sojatin, meqë e përmende, unë kam detyrimin të mbroj çdo njeri që ka punuar në Policinë e Shtetit dhe çdo njeri që punon sot në luftën, veçanërisht në përpjekjet tona të përbashkëta me SHBA, për të luftuar terrorizmin.

Agron Sojati është emëruar prej meje drejtor i Drejtorisë së Antiterrorit. Eshtë emëruar në konsensus të plotë me partnerët amerikanë, sepse është një drejtori e krijuar me ta. Një drejtori që e kam gjetur me 7 oficerë gjithsej dhe është me 110 oficerë sot. Drejtoria Antiterror më e madhja në rajon. Që ka kyer operacione të shkëlqyera për të cilat kemi marrë falënderime të partnerëve tanë. Dhe janë operacione inkurajuese, për atë që duhet të bëjmë në vazhdim. 

Agron Sojati nuk ka ikur nga policia, as me shkarkim, as me masë disiplinore, asgjë. Agron Sojati ka ikur në një detyrë akoma më të rëndësishme pranë Kryeministrit. Që është krijimi i qendrës rajonale kundër radikalizmit të dhunshëm. Edhe kjo me partnerët amerikanë. Edhe kjo madje me financimin e DASH. Dhe ti vjen këtu tani e thua që Agron Sojati qenka kriminel! Unë nuk e di. Unë dhe partnerët amerikanë nuk e dikemi. Ju e dini. Në qoftë kështu, unë, Policia e Shtetit dhe partnerët amerikanë qenkemi jashtë linje. Qenke ti në linjë shyqyr zotit!

Dhe sa për hallin e madh që keni nëse e kam takuar unë Drejtorin e CIA-s apo jo... unë nuk jam nga ata që mburrem, me kujt i jap dorën nga ndërkombëtarët. 

Dhe nuk jam nga ata që ngrefem apo shkrefem se kush ma shkel syrin, apo se kë ndërkombëtar takoj. Por për t’jua hequr kuriozitetin, unë e kam takuar në takimin kryesor me Kryeministrin e vendin dhe kemi shkëmbyer prioritetet madhore që kemi, Policia e Shtetit, agjencitë ligjzbatuese në vend dhe partnerët amerikanë në luftën kundër terrorizmit. 

Ndaj boll abuzimeve dhe mos u merrni me çështje që nuk ju takojnë kur nuk keni aftësinë të kuptoni se të paktën në këto gjëra duhet të jemi bashkë.
Dhe e fundit, duhet të thoni dy fjalë për marrëveshjen për të cilën jemi duke diskutuar. Eshtë një marrëveshje mjaft e rëndësishme, marrëveshje dypalëshe me SHBA-të, të cilat falë kësaj marrëveshjeje që kemi nënshkruar ne, kjo qeveri, i jep 3 milion dollarë më shumë shtetit shqiptar, për të bërë të mundur implementimin e reformës në sistemin e drejtësisë. 

Janë parà të taksapaguesve amerikanë, për të bërë të mundur implementimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Do votoni pro, apo do votoni kundër kësaj marrëveshjeje?! Do votoni pro reformës në drejtësi, apo kundër? Do votoni pro, që ta çojmë përpara axhendën e reformës në drejtësi, apo kundër? 
Dhe dilni këtu, mos u merrni as me mua, as me drogën, ose të paktën merruni edhe me këto, por kini guxim e nxirrni nga gryka një fjalë për reformën në sistemin e drejtësisë, vettingun dhe nevojën që kemi të gjithë bashkë për të bërë akoma më shumë që më në fund ta bëjmë realitet reformën në drejtësi. 
Dhe mos lini Flamurin tani të përgjigjet, se as Lul Basha s’e mori në spital sot!

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Barcelona fiton El Clasicon e parë të sezonit, Halaand i jep leksione Chelsea-s! Juve barazon, Motta: Chiesa duhet të gjejë një klub tjetër