Replikat e Kryeministrit Rama në
seancën e sotme parlamentare

Fjala e Kryeministrit Rama në seancën e sotme parlamentare:
Në ndërkohë që të gjithë prisnim të flisje [zoti Berisha] për Byronë  e Hetimit, fole për byronë politike. Nuk e kuptova këtë rrëshqitje në të kaluarën, por faktikisht të takonte këtu në këtë sallë, që të korrigjoje vetveten dhe të mos merrje një gjobë të madhe për gënjeshtrat, siç vetë propozove herën e kaluar. Një javë më parë, në këtë foltore nuk ke lënë gjë pa thënë, duke kërkuar që të vinte në parlament drafti i dakortësuar i Byrosë së Hetimit. Nuk është faji ynë që e ke bërë partinë si kopsht pa drekë, ke lënë aty dikë që duhet ta çosh tek ndërkombëtarët si në takim me prindër dhe kur e lë vetëm, nuk di çfarë të thotë, se nganjëherë të kupton dhe nganjëherë s’të kupton. E bashkë të dy keni bërë një çorap të madh dhe çfarë keni thënë javën e kaluar, e keni ngrënë komplet këtë javë dhe faktikisht, tani po thoni ekzaktësisht atë që kemi thënë ne. Kështu që mirë do të ishte një qëndrim serioz, për t’i dhënë fund kësaj farse të madhe që e orkestruat vetë dhe që në fund ju nxori kaq gënjeshtar dhe kaq të çliruar vidash, ta mbanit.

Përsa i përket vizitës së Sekretarit të Shtetit, sërish the gjëra të pavërteta. Vizita e Sekretarit të Shtetit ishte planifikuar të bëhej në fund të vitit të shkuar, në kuadër të vizitave që Sekretari Kerry bëri në rajon. Stacioni i Shqipërisë, që ishte stacioni përfundimtar, u anulua për shkak të impenjimeve të Sekretarit të Shtetit në negociatat me Iranin.

Faktikisht, ndryshe nga çfarë i propaganduat ju në mënyrën më të paturpshme shqiptarëve, që “ai vizitoi të gjithë rajonin dhe bojkotoi regjimin e oligarkëve të Tiranës”, impenjimi ishte i qartë që vizita do të kryhej në kohën më të përshtatshme, në fillim të këtij viti. Ti i di mirë, - por nuk le njeri pa futur në atë vorbullën tënde dhe vetëm ti mund të mbash fjalime ku në të njëjtin fjalim flet për Nexhmije Hoxhën dhe për John Kerry, tjetërkush në botë nuk bën këtë, - që Sekretari i Shtetit nuk vjen për të kërkuar ato që the ti. Në atë aspekt nuk ka asnjë problem mes nesh dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është një vazhdë e një angazhimi që ne e respektojmë dhe do të vazhdojmë ta respektojmë. Zoti Kerry vjen këtu, sepse është  një vizitë e planifikuar për të vizituar Shqipërinë edhe në kuadrin e kontakteve me rajonin dhe në kuadrin e marrëdhënies së ngushte mes SHBA dhe Shqipërisë, që tanimë kanë firmosur edhe një dokument të partneritetit strategjik.

Po ashtu mos e përsërit më gënjeshtrën e votës në Këshillin e Sigurimi. Të paktën gënje për çështje lokale, por mos gënje për çështje globale. Ne nuk mund të të ndalojmë të gënjesh, se ti gënjeshtrën e ke profesion, por mos gënje për çështje globale dhe mos përfshi edhe miqtë dhe partnerët e Shqipërisë në botën e gënjeshtrave. Gënje për këto punët e  brendshme, por mos gënje për marrëdhëniet ndërkombëtare, se është turp më i madh sesa për punë e brendshme.

Kjo është një gënjeshtër qesharake. Nuk kemi bërë ne asnjë devijim vote dhe qëndrimesh në raport me SHBA-në dhe nuk kemi ndërmend ta bëjmë. Asnjëherë nuk kemi marrë meritën për këtë dhe asnjëherë nuk kemi thënë që jemi me të mirë se ju në këtë pikë. Ky është një qëndrim që reflekton qëndrimin e popullit shqiptar, socialist apo demokrat, që në këtë aspekt nuk ka dallime. Çfarë diferencash kërkon të bësh këtu?! Ku do të dalësh e përse i bën këto?! Sepse nuk ke asnjë respekt për popullin tënd, këtu është problemi! Kujton se shqiptarët janë dele që mund t’i marrësh e t’i çosh nga të duash.

Besoj se në këtë pikë nuk ka asnjë arsye që të bëjmë debat. Gënje sa të duash për të mbuluar mungesën e kapaciteteve të birit tënd politik, që e ke lënë aty të administrosh kopshtin. Merre në takim me prindër, në çdo takim që bën me partneret, por të lutem shumë, mos e lër vetëm se të turpëroi edhe ty. Të mjafton turpi që ti i krijon vetes vetë, jo më të mbash edhe turpin e tij. 
 
***
Ju shmangët detyrimin që të flisni këtu për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe për mashtrimin e madh publik që bashkë me administratorin e kopshtit pa drekë keni bërë, duke i rënë komplet ndesh të vërtetës. Mirë është ta thoni këtu se përse e keni gënjyer publikun shqiptar në mënyrë të përsëritur dhe keni mohuar një fakt shumë të thjeshtë, që drafti i Byrosë Kombëtare të Hetimit që qeveria shqiptare ka sjellë në Parlament është drafti me të cilin jeni dakordësuar ju, 100%.

Ju të tjerët mund të mos merrni përsipër të flisni se nuk dini gjë. Ju zonja Topalli e dini më mirë se të tjerët se në dorë të kujt ka ngelur Partia Demokratike. Të paktën mos bëj hipokrizi këtu, sepse dihet botërisht se çfarë mendimi ke për administratorin e kopshtit. Po them një gjë që ti e thua përditë me këdo që takon.

Për Byronë Kombëtare të Hetimit është bërë një propagandë e shfrenuar shpifjes dhe gënjeshtrash. Pasi ne kemi sjellë apo kemi miratuar draftin 100% të dakordësuar, jo 99%, por 100% të dakordësuar me ju, - nuk e di se me kë, se nuk dihet kujt i ka mbetur në dorë ajo parti, - tani ju dilni dhe thoni një gënjeshtër edhe më të madhe, që ky është drafti që më nxori mua cullak, çka është një shpifje dhe një gënjeshtër shumë e madhe, që vë në pozitë të vështirë jo ne, as kam hallin se juve vë në pozitë të vështirë ju, por vë në pozitë të vështirë partnerët tanë dhe mbi të gjitha krijon një konfuzion total tek publiku.

Prandaj nuk ju kushton asgjë që të dilni këtu dhe të thoni që ne jemi dakordësuar me këtë draft, por tani kemi ndryshuar mendim dhe mendojmë njësoj siç mendonte dhe Kryeministri dhe qeveria, që pavarësisht dakordësisë, kjo është pjesë e procesit të reformës në drejtësi. Ne pikërisht këtë thamë dhe jo diçka tjetër, kur na thoshit pse e mbani draftin, silleni tani. E kur ne e sjellim, ju thoni nuk është ky. Është 100% drafti i dakordësuar dhe këtë nuk e them unë. Është drafti 100% i dakordësuar me partnerët që kanë ndihmuar me ekspertizën e tyre për konceptin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj mos insistoni në këtë, edhe pse ju nuk keni faj, se tjetër ju thonë partnerëve, tjetër ju thonë juve dhe tjetër publikut, pastaj kthehen prapë tek ju dhe në fund, ju e keni fajin prapë.

E vërteta është kjo dhe publiku, mediat, të gjithë të interesuarit duhet ta dinë që ne i kemi qëndruar pikë për pikë jo vetëm draftit, por edhe një kërkese të bërë nga partnerët. Nuk kishim nevojë për ju se Byroja Kombëtare e Hetimit kalon me shumicë të thjeshtë, por ishte një kërkesë e partnerëve që e ne respektuam, që në procesin e diskutimit të ekspertëve, për shkak të programit që SHBA kanë çelur, të financimit të Policisë së Shtetit dhe për shkak të marrëveshjes së bërë me FBI-në, të përfshiheshin edhe ekspertë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike. Ne ramë dakord, se për ne nuk ka asnjë problem dhe jeni përfshirë dhe jeni dakordësuar pikë për pikë. Unë nuk e kam zakonin e paraardhësit tim që të tregoj në publik se çfarë më tha ky apo ai ambasador apo i huaj dhe nuk kam për ta bërë, por edhe një herë po ju them: Jeni bërë shumë qesharakë me këtë histori, që ka nxjerrë në pah një të vërtetë që të gjithë e dimë, por që këtë herë ka dalë në pah në mënyrë ulëritëse, që jeni parti që liderin e keni në shtëpinë e vet dhe kryetarin e keni për ta marrë përdore në takim me prindër dhe prandaj është krijuar ky konfuzion e kjo situatë qesharake. Por si ka mundësi që pas kësaj që krijuat, përsëri doni të na akuzoni neve! Si ka mundësi që ta përktheni këtë si shprehje të nevojës sonë apo timen diktatoriale, për të marrë në kontroll Byronë dhe për të bërë namin e zi!

Kjo është e papranueshme. Nuk do të kisha folur fare, nëse ju nuk do të kishit bërë marrëzinë që t’i binit ndesh vetes suaj, duke e kthyer në akuzë dhe shpifje për ne. Në qoftë se do të thoshit ky është drafti, - siç është dhe e vërteta, - por tani jemi dakord që të vazhdojmë procesin siç thoshim ne, nuk kishim pse bënim debat, por debatin e shkaktoni ju. Pa pasur fare nevojë, hidheni prapë në sulm. Kjo është e papranueshme. Prandaj Sali çohu këtu dhe thuaj të vërtetën për Byronë Kombëtare të Hetimit. Lëre Nexhmijen se ti ka shpjeguar Andi Bushati aq mirë çështjet e Nexhmijes dhe të tjerëve në bllok, - është edhe dëshmitar okular i përpjekjeve të tua me valixhe druri, thotë ai, - dil këtu dhe thuaji shqiptarëve të vërtetën. Mos bëj gabimin të gënjesh prapë, sepse do të ballafaqoj me fakte të shkruara që pastaj, jo të tërhiqesh siç thua ti, - se për t’u tërhequr, ti nuk tërhiqesh kurrë, je si ai që se lë muri, - por të provohet edhe një herë tjetër se keni thënë gënjeshtra, gënjeshtra dhe vetëm gënjeshtra.  
 
***
Dole tre herë këtu dhe tre herë i gjëmove bishtit tënd, duke ardhur vërdallë dhe nuk the prapë, atë që unë të kërkova shumë thjeshtë. U more me kë nuk u more, por nuk u more me thelbin e pyetjes sime: Pse gënjen dhe pse gënjeni për Byronë Kombëtare të Hetimit?

Na përmende të gjithëve Komisionin e Venecias që solli raportin. Por kur e solli Komisioni i Venecias, opinionin e vet? Komisioni i Venecias, opinionin e vetë kishte kohë qe e kishte sjellë, kur zotrote dole javën e kaluar në këtë tribunë dhe ja se çfarë ke thënë, meqë nuk ke kurajon t’i qëndrosh fjalëve të tua, meqë je një gënjeshtar profesionist dhe gënjeshtarët profesionistë merren me gënjeshtrën e ditës e nuk marrin përsipër gënjeshtrën e djeshme. E ke pranuar edhe vetë publikisht, ç’faj kam unë që populli më merr seriozisht, ne bëjmë fushatë dhe fushata kështu e ka etj.. Fushata jote permanente është të gënjesh çdo ditë. Pastaj dhe bën sikur tregon historira që tregojnë sesa korrekt je. Sot java ke thënë këtu: “Çfarë ka Byroja e Hetimit, zotëri? Jua them unë, absolutisht! Ligji që kanë përpunuar ekspertët amerikanë përputhet tërësisht, duke marrë parasysh edhe vërejtjet e Venecias, me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Përputhet tërësisht. Kush e pengon thoni ju? Ja ku është!” - domethënë unë. “Kryetari i PD-së i ka thënë faktorit ndërkombëtar silleni menjëherë që ta votojmë.”

Domethënë të enjten ju keni konfirmuar draftin që ne e kemi sjellë menjëherë.

E vërteta është kjo që po ju them unë, që drafti është 100% i dakordësuar dhe i konfirmuar si draft i dakordësuar nga partnerët, varianti që ka ardhur në Parlament. Kjo përpjekje, kaq tinëzarë dhe kaq e ulët, për të vazhduar të këmbëngulni në gënjeshtrën tuaj është e patolerueshme. Kryetari juaj- drejtori i kopshtit pa drekë - ka dalë përditë e ka thënë: “Nuk ka lidhje Venecia, ç’ punë kemi me Venecian. Sillni draftin ta votojmë sot, se lufta ndaj korrupsionit nuk pret asnjë minutë”.

Ndërkohë që unë, në këtë tribunë e kam thënë që drafti është gati dhe ne konsiderojmë që duhet ta marrë në shqyrtim Komisioni i Reformës. “Silleni këtu ta votojmë sot,” ka thënë ky që është një gënjeshtër lëvizëse, ambulante, që shkon e vjen nga shtëpia në Parlament, nga Parlamenti tek kopshti pa drekë, nga kopshti pa drekë në takim me prindër. Gënjeshtër ambulante! Sikur gënjeshtra të kishte një shëmbëlltyrë, në gjithë planetin do të zgjidhte Saliun! Një gënjeshtar i paparë, profesionist, që njësoj si ata që shkojnë këndojnë dhe i dinë përmendsh këngët, ashtu gënjen, sikur këndon. Flet këtu, përçart, një orë, fillon nga epoka e gurit dhe nuk jep përgjigje se çfarë pati që i ra ndesh.

Po e them edhe një herë tjetër se drafti i votuar nga qeveria është drafti i dakordësuar dhe edhe në rrëfimin e gënjeshtarit ishte krejtësisht e pavërtetë rruga e draftit, është ndryshe. E para, partnerët amerikanë kanë mbështetur draftin që ne kemi votuar në këtë Kuvend. E kanë mbështetur dhe e kemi punuar partnerët amerikanë dhe me ekspertët e FBI-së. Mbasi ra në Gjykatën Kushtetuese, kemi rifilluar punën me ta. Kjo është e vërteta! Kur kemi filluar punën me ta, ata na e kanë kërkuar - jo i ke marrë ti me telefon - dhe ne kemi qenë absolutisht dakord që edhe ju të përfshiheni dhe kjo nuk ka pasur fare lidhje me procesin e reformës në drejtësi. Zero!
Është një gënjeshtër komplet edhe që në variantin e parë, Byroja varen nga Kryeministri, është gënjeshtër komplet që në variantin e dakordësuar, Byroja ka ndonjë lidhje me Kryeministrin. Varianti dakordësuar është që Byroja është një njësi hetimore ku Prokurori i Përgjithshëm ka veton për drejtorin e hetimin dhe njëkohësisht ku hetimi kryhet në bashkëpunim me prokurorinë. Nuk ka asnjë shpikje këtu. Është një strukturë e thjeshtë dhe shumë efikase, sipas këndvështrimit tonë. Keni rënë dakord ju. Dakord, ndërruat mendim dhe erdhët tek mendimi ynë, por pse dolët dhe sulmuat përsëri me gënjeshtra dhe me shpifje,  duke i rënë ndesh të vërtetës?! Kjo është pyetja ime.
Uroj që ai që merr ti në takim me prindër të ketë kurajon që këto që the ti këtu për ekspertet  e reformës, t’ia thotë Sekretarit të Shtetit. Nëse do ta ketë këtë kurajo dhe nëse do ta inkurajosh që këto që thua këtu, për konsumin mizerabël për të politikës tënde të ditës, t’ia thuash Sekretarit të Shtetit kur të vijë këtu, nëpërmjet atij, - aq sa di ti thotë ai, se edhe ato që ia thua, gjysmën e merr vesh, gjysmën nuk e merr vesh, apo atyre u thotë s’kam çfarë t’i bëj atij e ty të thotë çfarë t’i bëj atyre dhe ky është një hall më vete, por nuk është halli ynë, por halli i një partie demokratike që është pa kokë. E kam thënë këtu që ditën e parë, një parti që mbi qafë ka një kokë në shpi dhe një kokë papunë, dy koka.

Atëherë, thjeshtë tërhiqni atë që thoni për draftin, nuk duam asnjë lloj ndjese, por duam vetëm që kjo çështje të mbyllet me të vërtetën. Nuk kemi pasur ne asnjë negociatë, fare dhe asnjë kod, fare. E kemi mbyllur negociatën dhe kemi rënë dakord. Çfarë negociate! Kemi rënë dakord nëpërmjet partnerëve për këtë draft. Kodi i heshtjes dhe kodi i fjalës janë përralla me mbret. Po të ishte me kode, nuk dilje të gënjeje dhe nuk del as sot të gënjesh. Respekto kodin e thjeshtë të një negociate të mbyllur me sukses, falë partnerëve. Habi e madhe si ka mundësi që gënjen sa here hap gojën dhe i bie hasha fjalëve të tuaja, sa herë ke nevoje e të është bërë kaq ves, saqë edhe kur s’ke nevoje, përsëri i bie hasha fjalëve të tua.

Ne sollëm draftin siç e thamë dhe siç u angazhuam këtu, një javë përpara: Do e sjellim draftin dhe do ia japim komisionit. Këtë thamë ne. Kush të vuri përpara përgjegjësisë, që çohesh dhe na tregon përralla! E nuk po flas për tjetrin që përfundimisht, me moshën në gjendje civile është i përgjegjshëm, por me çfarë bën, mesa duket nuk e ka kapur moshën për të mbajtur përgjegjësi për veprimet e veta. Një javë përpara ishe këtu dhe opinioni i Komisionit të Venecias ishte i ditur. Babagjysh gënjeshtar! Mjerë nipërit dhe mbesat e tu, të kesh babagjyshin, gënjeshtarin më të madh të kombit.
 
***
Nuk arrij dot të pajtohem me faktin që një gënjeshtar profesionist, në moshë të thyer, del këtu dhe gjuhën shqipe e lexon sipas nevojës për gënjeshtrën e tij dhe një parti e tërë e duartroket. Nuk arrij dot të pajtohem me këtë. Kjo është shqip: Absolutisht, ligji që kanë përpunuar ekspertët amerikanë përputhet tërësisht, duke marrë parasysh edhe vërejtjet e Venecias, me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë dinjiteti keni dhe çfarë raporti keni me veten dhe me të vërtetën! Po të ishte kështu siç thotë gënjeshtari, nuk do thuhej fjalia tjetër “silleni menjëherë që ta votojmë”. Atëherë, çdo të thotë “silleni menjëherë që ta votojmë”?!

Unë besoj se mjaftuan të gjitha këto herë dhe njerëzit e kuptuan atë që sot ishte thjesht për t’ju rifreskuar kujtesën, sepse e kanë parë dhe e kanë dëgjuar çdo ditë fantazmën e SHQUP-it, duke dalë atje dhe duke përsëritur në mënyrë insistuese se “nuk ka punë Venecia, por sillni draftin”. “Lufta kundër korrupsionit nuk pret një minutë, jo më një natë”, thoshte ai.

Kështu që në këtë pikë, thjesht e vetëm desha të jap mundësinë të korrigjoni qëndrimin skandaloz, të gënjeshtërt, në raport me një punë të dakordësuar me partnerët. Nuk deshe ta bësh, por kjo është puna jote. Rëndësi ka që edhe këtë herë, ata që dua të kuptojnë dhe që nuk e kanë kuptuar akoma, mund të kuptojnë se çfarë raporti keni ju me të vërtetën, me reformën në drejtësi, me luftën me korrupsionin dhe krimin dhe të gjitha bashkë.
Për pjesën tjetër, unë nuk dua t’i hyj më gjatë historive me gratë e rinisë tënde, Nexhmijen, Viton, se as i kam njohur dhe as i kam takuar ndonjëherë. Kanë qenë gratë e rinisë tënde, të adhuruara sigurisht. Diku mundeshe, diku s’mundeshe, diku ta hapnin derën, diku s’ta hapnin, por që u rrije tek dera, kjo është një dëshmi që ti nuk ke përse e mohon. Andi Bushati nuk bëri zgjedhje që të lindte aty, po ti ç’deshe që u turre aty me kokë? Kishe nevojat e tua, ambiciet e tua si komunist i ri, që doje të rriteshe në hierarkinë e Partisë së Punës, t’ju jepje atyre gjithçka, t’ju jepje në dispozicion që të gjitha, t’ju rrije me veshin tek zemra dhe të shihje në ju rrihte mirë apo keq, ti axhustoje zemrën. Edhe mos e thuaj që nuk ke pranuar të bëhesh mjeku personal, se e di sa keq dukesh apo jo. Nuk munde të bëheshe, edhe ata kishin arsyet e tyre, mesa duket, por ti nuk ke pse thua s’kam pranuar. Ndërkohë që nuk kuptoj ku ishte lidhja mes valixhes së drurit dhe të parëve të tu e të parëve tanë. Nuk e kuptova këtë, pse druri të kujtoi stërgjyshin. Ndërkohë që ajo është një metaforë për të treguar se me çfarë zelli, pasioni, dashurie për partinë, me çfarë adhurimi për shokun Enver, për shokun Hysni, për shoqen Vito, për shoqen Nexhmije, për shokët dhe shoqet me radhë, ti ke bërë gjithçka. Llogarite, ke bërë xhiro me varkën e Sulo Gradecit, i ke rënë liqenit rreth e rrotull, vetëm që të shihje nga larg  Nexhmijen kur dilte atje të ndente rrobat.

Ti mund të thuash sot se i flisje djalit të Nexhmijes kundër Partisë së Punës. Edhe këtë e thua ti, por fakti është që këto nuk është se ty ti thotë njeri. Ti kapesh vetë. Ti bën sikur je heroi që shpëtove  Shqipërinë nga komunizmi, ndërkohë që të gjithë e dinë se çfarë roli pate ti, sesi u fute ti në atë lëvizje dhe sesi e morë më qafë Partinë Demokratike. Të të kujtoj Viton Kapon, thua se nuk e dija që Vito bënte krime dhe i pashë më vonë, prandaj qaja kur vdiq Hysni Kapo dhe ja bëra Vitos, fustanin qull me lot, ç’na gjeti! Këto janë gjëra që ti i ke bërë e nuk t’i përmend njeri, por ti e kërkon vetë, bën sikur ke ardhur nga hëna këtu, me shpatë që të na shpëtosh nga komunizmi. Ajo që sot ka rëndësi është që ti je edhe një herë tjetër, një gënjeshtar profesionist, i pashërueshëm dhe që Partia Demokratike është një organizatë pa kokë, me një lider në shtëpi dhe me një kryetar që rri aty dhe e merr ti përdore, për takime me prindër.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Durrës, 47 vjeçari bie aksidentalisht nga ballkoni dhe humb jetën