A ka marrë para kjo gjyqtare e kryqëzuar si shembulli i korrupsionit? Për herë të parë nga oborri i SPAK ishte vajza e mitur e Enkelejdës e cila dha një tjetër version. 13 vjeçarja betohej që nëna e saj nuk kishte  marrë kurrë para por ishte detyruar të shkelë ligjin.

"Ajo ka pasur një arsye shumë të fortë për t'i liruar ata. Vetëm kur ka një arsye shumë të fortë. Mund të jetë detyruar për të liruar kriminelët", thoshte ajo.

Për mikrofonin e ReportTv nëna e gjyqtares ka një falënderim dramatik. Ajo uron kryeministrin Edi Rama pasi sipas të moshuarës nëse vajza e saj gjyqtare nuk do të ishte arrestuar do ishte vrarë nga bota e krimit.

"Edi Ramën që ma burgosi vajzën e falënderoj shumë. Do ma kishin vrarë", thotë nëna.

"Ne skemi dashur që t'i hapim telashe. Për shembull, tek ekspozita në orën 7:30 të mbrëmjes para disa ka vërshëllyer një tullë kaq e madhe përpara tyre dhe vajzës së vogël. Nuk e gjetën dot kush e hodhi dhe ne nuk informuam", denoncon babai.

Këto janë pamje ekskluzive që report tv sjell nga banesa e gjyqtares, një apartament 65 m2 në lagjen Komuna e Parisit në katin e 11 të këtij pallati ndërtuar në vitet 2000. Belul Hoxha tregon se është blerë në 2002 dhe ai ka ende këstin e fundit prej 4500 dollarë të papaguar.

Brenda kësaj shtëpie ku e gjithë hapësira shfaqet në kaos,  gjetëm djalin e sëmurë të gjyqtares, Redid, vajzën e mitur Antian dhe prindërit e gjyqtares. Kuzhina e kthyer në dhomë fjetjeje me tre krevate dhe ballkoni i përshtatur në kuzhinë janë dhomat ku flinte dhe ushqehej gjyqtarja me 3 fëmijët e saj.

"Këtu fle Enkelejda. Prej 17 vitesh ka kërkuar që të lëvizë nga Kruja për djalin që është sëmurë", thotë mamajë në mikrofonin e Report Tv.

Pyetjes se a ka marrë vërtet para dhe ku i ka ccuar paratë vajza e tyre që akuzohet se ka liruar kriminelët e mëdhënj mamaja thotë "asnjë lek nuk ka marrë ajo. Eda ka qenë e detyruar, ajo nuk e bënte atë punë kurrë. Erdhi SPAK këtu dhe u habitën kur panë se ku fle gjyqtarja".

Babai Beluli thotë se paratë e gjetura në shtëpi janë për këstin e shtëpisë se ende nuk e kanë me dokumente.

Më 17 Janar 2020 Ministrja e Drejtësisë do të kërkonte për herë të parë publikisht ndjekjen penale të gjyqtares Enkelejda Hoxha. Kjo kërkesë erdhi pasi Hoxha liroi nga burgu Endrit Doklen, të njohur si ish anëtar i bandës së Durrësit.

"Vendimi skandaloz i gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha, për lirimin me kusht të një tyë dënuari me burgim të përjetshëm, në thyerje flagrante të ligjit sjell në kujtesën e publikut se shqetësimi ynë për gjyqtaren është adresuar që më datën 8 janar 2018 pas publikimit të lajmit të lirimit të një tjetër të dënuari me burgim të përjetshëm, Gent Tafili. I jam drejtuar KLGJ-së për pezullimin e menjëhershëm të gjyqtares nga detyra dhe marrjen e masave për shkarkimin e saj. I kam kërkuar njëkohësisht prokuorisë hetimin ndaj gjyqtares", deklaronte ministrja Etilda Gjonaj.

Por ky s'do të ishte hetimi i vetëm ndaj Enkelejdës, e cila vazhdoi në sistemin e drejtësisë duke dhënë vendime në kundërshtim me ligjin.Më pas ajo liroi Hekuran Billën të ekzekutuar për hakmarrje e deri më 11 Shkurt 2021 kur ajo u arrestua për llogari të SPAK. Hetimet ndaj saj janë fokusuar në përfshirjen në korrupsion, pasi dyshohet se ka marrë para për të liruar kriminelët nga burgu.

Aktualisht është inspektori i lartë i drejtësisë që kërkon shkarkimin e gjyqtares për shkeljen ligjore, kurse hetimet e SPAK nuk provuan se ajo mori para apo u kap në flagrancë. Sipas dosjes ishte ndikimi i avokatit Aldo Tabaku lidhja e gjyqtares me botën e krimit. Por ende hetimet s'kanë sqaruar dhe dhënë një përgjigje edhe pyetjes së vajzës së mitur apo të prindërve të saj.

Kush e kërcënonte gjyqtaren të shkelte ligjin?

"Eda nuk ka sjellë në këtë shtëpi asnjë lek. Nuk e di ku janë këto para që akuzojnë këto institucionet shtetërore. Kemi 19 vite në këtë banesë", ripërsërit mamaja.

Nëse këto pamje janë simboli i korrupsionit atëherë shqiptarët ende si kanë harruar vilat luksoze, aksesorët e florinjtë apo bizneset milionere të gjyqtarëve të cilët janë përjashtuar nga sistemi i vettingut apo janë larguar për të mos u përballuar me të.

Gjyqtarja Hoxha kërkoi një ditë më parë lirimin nga ish kolegët e saj me argumentin se s'ka kush kujdeset për fëmijët e saj të mitur, vajzën dhe djalin me probleme shëndetësore. Por kjo kërkesë u rrëzua.