VLORE-REPORT TV zbardh përplasjen me armë zjarri mbrëmë në qytetin bregdetar ku mbetën tre persona të plagosur, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Në përplasjen me armë zjarri janë përfshirë dy grupe kriminale me tre makina. Në makinën tip ‘Fiat’ kanë qenë Elis Llanaj dhe Taulant Beqiraj, te fuoristrada ka qenë Gazmend Canaj me dy persona të tjerë, ndërsa në ngjarje u përfshi edhe një makinë tip ‘Benz’, ku ende nuk dihet kush dhe sa persona kanë qenë.

Të plagosurit kanë sqaruar para grupit hetimor dinamikën, ndërsa ngjarja është fiksuar edhe nga kamerat e sigurisë. Elis Llanaj dhe Taulant Beqiraj kanë deklaruar se fillimisht ka qenë mjeti tip ‘Benz’ që i ka prerë rrugën ‘Fiatit’ ku po udhëtonin te Kisha Ortodoske. Drejtuesi i automjetit tip ‘Fiat’ ka bërë indietro duke tentuar që të largohet, por më pas ka ardhur fuoristrada ku ka qenë Gazmend Canaj dhe dy personat e tjerë. Nga makina tip fuoristradë kanë dalë Canaj me dy të tjerë duke qëlluar më armë zjarri në drejtim të ‘Fiatit’, ndërsa nuk ka munguar edhe kundërpërgjigja, pasi në vendin e ngjarjes janë gjetur 12 gëzhoja. Gazmend Canaj e kanë dërguar në spital shokët, ndërsa më pas janë larguar.

 

Ndërkohë që është identifikuar makina tip ‘Benz’ ma xhama të zinj dhe drejtuesi është shpallur në kërkim. Në spital ndodhet Canaj nga njëri grup në gjendje të rëndë, dhe dy të tjerët nga grupi tjetër jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk dihet se cila ka qenë arsyeja e përplasjes, ndërkohë që po hetohen konfliktet e vjetra mes dy grupeve kriminale. Të plagosurit Gazmir Canaj 27 vjeç, Taulant Beqiraj 27 vjeç, dhe Eris Llanaj 27 vjeç nga Vlora janë në masë arresti me burg, ndërsa në kërkim janë dy shokët e Canajt, E.M. dhe P.A. që kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ‘Fiatit’

Njoftimi i policisë Vlorë
Në vijim të veprimeve hetimore për dokumentimin e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në lagjen “28 Nëntori”, pranë Kishës Ortodokse, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbetën të plagosur tre shtetas, bëjmë me dije se:

Nga tërësia e hetimeve të kryera prej Grupit Hetimor të DVP.Vlorë në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, ka rezultuar se dy grupe personash të cilët lëviznin me 2 automjete pasi janë konfliktuar me njëri-tjetrin për motive të cilat nuk bëhen të dituara për arsye hetimore, kanë qëlluar mbi njëri tjetrin me armë zjarri.

Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, Policia ka bërë arrestimin e shtetasve:

• Gazmir Canaj, 27 vjeç, banues në Vlorë,

• Taulant Beqiraj, 27 vjeç, banues në Vlorë,

• Eris Llanaj, 27 vjeç, banues në Vlorë,

Si edhe ka shpallur në kërkim shtetasit me iniciale E.M., dhe P.A..

Si rezultat i hetimeve dhe kqyrjes së kamerave ka rezultuar se shtetasi Gazmir Canaj sëbashku me shtetasit E.M., dhe P.A., kanë shtënë me armë zjarri drejtim shtetasve Taulant Beqiraj dhe Eris Llanaj, të cilët më pas janë kundërpërgjigjur.

Policia ka sekuestruar në vendngjarje një armë zjarri tip pistoletë, 10 gëzhoja dhe 2 automjete.

Vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë Vlorë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurosisë Vlorë, për veprat penale ”Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, të parashikuar nga nenet 76 e 22 dhe 278 të Kodit Penal.

d.b/shqiptarja.com