Reportazh/ ‘Brigada’ me punëtorë e pajisje vjen nga jashtë për të vjelë ullinjtë në Golem të Lushnjes

Fermerët e zonës kodrinore të Lushnjes kanë çelur sezonin e vjeljes dhe përpunimit të ullirit për vaj. Kamera e Report tv ndoqi nga afër procesin në njësinë administrative Golem ku kultivohen mbi 90 mijë rrënjë ullinj.  Prodhimi i këtij viti bujqësor është i mbarë dhe cilësia e vajit tepër e lartë por periudha e vjeljes është e vështirë, pasi kërkon fuqi punëtore dhe ne fshat kanë mbetur kryesisht mosha e tretë.

“Ne të dy, burrë e grua po i vjelim ullinjtë se punëtorë s’ka por dhe ata punëtorë që janë duan nga 30 mijë lek në ditë. Fëmijët i kemi në kurbet, por ata na ndihmojnë sepse kur s’mundemi ta shesim vajin, fëmijët e marrin me autobusë dhe e shesin andej”, thanë fermerët, Yzedin dhe Bujare Toska.

Këtë vakuum të fuqisë punëtore e plotësojnë disa të rinj që kanë lënë emigracionin duke krijuar brigada të vogla me 5 - 6 persona për vjeljen e ullinjve me mekanikë të specializuar dhe fermerëve u duhet të zënë radhën për vjeljen e ullinjve.

“Ne jemi mbledh 6 veta kemi formuar një grup pune dhe punojmë gjatë sezonit. Ka shumë punë, s’dimë ku të shkojmë më parë”, tha Vilson Çela, punëtor.

Fermerët janë të detyruar që të vjelin me këto brigada pavarësisht kostos së lartë.

“Punëtorët e brigadës kërkojnë 25 mijë lek për të vjelë 1 kuintal ullinj! 10 mijë lek i do fabrika, 5 mijë transporti. Çfarë më mbetet mua pastaj?!”, tha fermeri Miti Çapuni.

Sokol Hajdari, një i ri që ka ardhur nga emigracioni për të ndihmur familjen në vjeljen e rreth 1500 rrënjëve ullinj, shprehet se nese nuk do ta përballojë vetë vjeljen do të jetë i detyruar të marrë punëtorë.

“Kostoja është e lartë, por s’kemi çfarë bëjnë jemi të detyruar të marrim edhe punëtorë se nuk e përballojmë dot”, tha ai.

Në këtë njësi administrative ushtrojnë aktivitetin 6 punishte vaji. Pronari i njërës prej tyre, Refit Çela thotë se ka nje teknologji të veçantë për thyerjen me gurë të ullirit dhe bërjen e vajit me kanistra e presa mekanike, çka rrit cilësinë e vajit. Sa i përket tregut, ai thotë se mënyra e vetme për t'u ardhur në ndihmë fermerëve është lidhja e kontratave qoftë me individë privatë apo tregtare te medhenj.

“Duhet të bëhen kontrata me fermerët për shitjen e vajit sepse aktualisht shkon me bidona jashtë vendit përmes agjencive turistike”, tha Refit Çela, përpunues.  

Në nisje të sezonit një kg ullinj tregtohet me 80 deri në 120 lekë ndërsa një litër vaji me 650 deri në 700 lekë.

 

R.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit