TIRANE- Në kryeqytet, në disa rrugë, është thuajse e pamundur të kuptosh nëse t'i po ecën në rrugën e përcaktuar për kalimtarin, apo pa dashje, je futur brenda një lokali. Kjo pasi, pronarët e lokaleve, sapo bie një rreze dielli, e kanë bërë zakon të nxjerrin tavolinat, karriget duke zaptuar të gjithë trotuarin duke zgjeruar kështu aktivitetin e tyre. Dhe këtë e bëjnë qyl, pa paguar asnjë taksë, por duke majmur fitimet në xhepat e tyre. Madje në disa rrugë, ku qarkullimi i automjeteve është i kufizuar ose me orar të limituar, lokalet kanë zënë edhe rrugën e destinuar për kalimin e makinave. Dhe nuk bëhet fjalë për një fenomen që ndodh diku në periferi të Tiranës, por një fakt thuajse të natyrshëm, që ta zë syri kudo. Sidomos më i përhapur ky fenomen është në zonën e ish-bllokut, në rrugën pedonale, në të dy anët e bulevardit "Zogu I", në lokalet që janë përballë Parlamentit, te 9-katëshet, etj. Ndërkohë që për të gjithë këtë hapësirë që shfrytëzojnë pronarët e lokaleve duket se kanë marrë edhe miratimin e drejtuesve të bashkisë, pasi ata paguajnë për çdo tavolinë, por nuk paguajnë për zënien e hapësirës publike. Në këto rrugë, kalimtarët e kanë thuajse të pamundur të kalojnë dhe për të lëvizur, duhet të futen mes për mes rreshtit të tavolinave, të kapërcejnë karriget e atyre që po shijojnë kafen pa u bezdisur se janë në rrugë dhe u kanë "hyrë në pjesë", kalimtarëve. Më i vështirë bëhet kalimi në këto zona, për nënat e reja që shtyjnë karrocat me të vegjlit e tyre dhe për të bërë këtë duhet të zbresin në rrugën e makinave. Të njëjtin fat kanë edhe personat me aftësi të kufizuar që përdorin si mjet lëvizjeje karrocat e invalidit.
PREMTIMI I BASHKISE
Në fakt, pak kohë pasi erdhi në krye të bashkisë, Lulzim Basha, premtoi se nuk do të torelojë askënd dhe të gjitha hapësirat publike do u kthehen qytetarëve. Madje policia bashkiake, nisi në fund të shtatorit, fazën e parë të aksionit për lirimin e trotuareve dhe hapësirave publike. Të shpërndarë në disa zona të kryeqytetit, punonjësit e kësaj policie u kanë marrë lokaleve, si masë të parë, vazot e luleve, me të cilat kishin rrethuar hapësirat publike. Ndërsa për karriget ata kishin paguar taksat përkatëse, ndërkohë kreu i kësaj policie, që udhëhoqi aksionin, premtoi se ata do të riktheheshin sërish pas dy javësh dhe nëse pronarët e lokaleve nuk i kishin hequr edhe tavolinat do të aplikonin gjobat që shkojnë deri në 100 mijë lekë të reja. Por pavarësisht këtij aksioni të nisur me bujë të madhe, ku policët bashkiakë hoqën nga rrugët dhe nga trotuaret, mjetet e ngurta, vazot me lule, tabelat, kangjellat, etj, gjithçka mbeti vetëm këtu. Karriget, tavolinat dhe pajisjet e tjera vazhdojnë të mbajnë të pushtuara hapësirat publike që në të vërtetë u përkasin të gjithë qytetarëve. Asokohe, bashkia e Tiranës deklaroi se "aksioni do të vazhdojë dhe me 4 fazat e tjera, derisa trotuaret dhe rrugët t'u kthehen qytetarëve. Bashkia është e vendosur të zbatojë ligjin", por duket se bashkia e Tiranës ende ka shumë punë për të bërë, për të mbajtur premtimin.
(sg/shqiptarja.com)