Reportazh nga Beogradi/ 2 "fytyrat"
e Serbisë me Kosovën dhe shqiptarët

Reportazh nga Beogradi/ 2 "fytyrat"<br />e Serbisë me Kosovën dhe shqiptarët
Në qendër të Beogradit askush nuk merr mundimin të kthejë kokën drejt meje, vetëm sepse po flas shqip me miqtë e mi në zemër të Serbisë. Buzëqeshja e recepsionistit nuk ndryshoi kur pa pasaportën time shqiptare, e po ashtu, as shitësi riosh i suvenireve, nuk nguroi për të më treguar objektet simbolike e historikë të vendit të tij, edhe pasi mori vesh se nga isha. Edhe pse mes objekteve që 25-vjeçari shet, është edhe një bluzë në të cilën është stampuar Vladimir Putin, me nënshkrimin “Kosova është Serbi. Krimea është Rusi.” askush nga ne të dy, unë shqiptarja, dhe ai serbi, nuk ndikohemi nga ky slogan,që mbase mes gjyshërve tanë, mund të ishte shoqëruar me krisje pushkësh. Tashmë, kjo është një rrjetë merimange, ku qytetarët e dy vendeve me histori të komplikuar, nuk ngecin më.

Bluza me stampimin e Putinit, me mbishkrimin %u201CKosova është Serbi%u201D
Bluza me stampimin e Putinit, me mbishkrimin “Kosova është Serbi”

E njëjta temperaturë karakterizon dhe takimet tona, një grup gazetarësh shqiptarë, me kolegë serbë, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Për Sonja Licht, Presidente e Fondacionit për Ekselence Politike, problemi më i madh mes palëve, është se nuk e njohim njëri-tjetrin.

Ne nuk dimë shumë gjëra për njëri-tjetrin, dhe ky është problemi kryesor mes dy vendeve. Duhet të intensifikojmë komunikimin horizontal, ky qytetarët të shkëmbehen mes tyre. Duhet të ketë linja ajrore, dhe pse tashmë e kemi një. Po ashtu, hapja e autostradës mund të jetë një zgjidhje që e shpëton Beogradin dhe Tiranën nga mungesa e komunikimit dhe infrastrukturës”-thotë Licht.

Mbizotëron bindja se marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të mira sidomos pas ndeshjeve të famshme të futbollit mes dy kombëtareve, që me sa duket, kanë ndikuar për çlirimin e energjive negative mes palëve, e po ashtu, për të mësuar më shumë për njëri-tjetrin.

“Patatja e nxehtë” e çdo diskutimi e takimi, natyrisht është çështja e Kosovës, por kur flet me analistë dhe gazetarë  serbë, ajo nuk është më e tillë. Në media nuk u kushtohet shumë hapësirë çështjeve të Kosovës.

“Kur Kosova është në faqen e parë, numri i shitjeve ulet. Kosova nuk është interesante për qytetarët”-na thotë Vukasin Obradovic, drejtues i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë. Ekspertët e ekonomisë kanë filluar të artikulojnë qëndrime se Serbia nuk duhet të investojë më në Kosovë, çka përbën një pranim të butë të humbjes së autoritetit serb mbi të.

“Elita politike po e kupton dita-ditës se Kosova është e humbur, dhe nuk duhet të harxhojmë kohë dhe para me të”,-thotë Veran Matic, drejtor i lajmeve në B92.

Gati po bindem se, ashtu si qytetarët, gazetarët dhe shoqërinë civile, edhe shtetet tona nuk i ndan më asgjë. Marrëdhëniet janë ngritur në një stad të lartë bashkëpunimi, ku gati-gati, duket se po shkëlqejnë, sidomos kur kujtoj dy vizitat e kryeministrave Vucic dhe Rama në kryeqytetet respektive.

Buzëqeshja e munguar e një zyrtari që ma pret në katin e parë të Ministrisë së Jashtme Serbe, për të na shoqëruar në takimin me një diplomat të rëndësishëm të institucionit, është sinjali i parë, se bindja ime ka qenë në mos e gabuar, sipërfaqësore.

Zyrtari pëshpëriti gati si robot mbiemrin e tij teksa i dha dorën secilit prej nesh, na e kurseu një “Welcome” qoftë edhe për kortezi, dhe në heshtje të plotë na drejtoi për në sallën e takimit me diplomatin e rëndësishëm me gradën e lartë “Ambasador”. Edhe pse takimi ishte informal, u gjendëm në një tryezë të stërgjatë, ku përballë u vendosën 4 zyrtarë serbë me mimika të ngurta, që na kaluan të gjithëve një lexim të shpejtë optik, por shumë të vëmendshëm. 

Nuk di pse, po vetëm në këtë moment mu kujtua se vinim nga një vend, ambasadori i të cilit, prej 5 muajsh ishte i shpallur “non grata” nga Serbia, sepse një adoleshent në Tiranë gjuajti me gurë autobusin e kombëtares serbe të futbollit.

Sapo filluam të prezantonim vetveten, vërejta se si në mënyrë të rrufeshme, dy prej zyrtarëve të tavolinës përballë, ulën kokat dhe rrëmbimthi filluan të mbanin shënim çdo fjalë që thuhej. Dy stenografë për një takim informal me 4 gazetarë shqiptarë? “Impresionuese”. Ditmir Bushati do të na kishte pasur “zili”. Zyrtari me gradën diplomatike “ambasador” me një mimikë fytyre që nuk e shquaj dot në ishte buzëqeshje dinake a shkëlqim sysh të vëmendshëm, tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira.

“Sigurisht që marrëdhëniet janë më mirë se dy vite më parë. Ne kemi marrë angazhimin dhe kemi filluar një punë të mirë me shkëmbimin rinor. Ne duhet ta fillojmë nga ekonomia, pastaj nga politike. Shumë më shumë serbë duhet të vijnë të shijojnë bregdetin tuaj, e po ashtu, shumë shqiptarë, duhet të vijnë të shfrytëzojnë ujërat termalë në Serbi. Sigurisht që për Kosovën ndahemi. Ne e konsiderojmë atë pjesë tonën, ndërsa Shqipëria nuk mendon kështu. Pavarësisht kësaj, marrëdhëniet mes vendeve do të ecin përpara, të pa ndikuara nga kjo diferencë në qëndrime”-tha zyrtari “ambasador” i Ministrisë së Jashtme Serbe.

Një prej kolegeve të mia e pyeti se si mund të evoluojnë qëndrimet politike mbi Kosovën, duke marrë në konsideratë faktin se Serbia është në prag zgjedhjesh. Diplomati serb drejtoi shtyllën kurrizore, dhe tha: “Jemi këtu për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë, jo për çështjen e Kosovës. Ta kalojmë këtë çështje”. Ky ishte refuzimi i parë i butë.

E pyeta zyrtarin serb se, ndryshe nga ç’kishin premtuar Rama dhe Vucic, nuk po nënshkruhej marrëveshja për njohjen e diplomave. “Ambasadori” tha se kjo nuk ishte më e nevojshme. Habia ime u lexua në fytyrë, pasi dy kryeministrat e trumbetuan këtë si një arritje të madhe të shkëmbimeve të gjeneratës së re. Menjëherë u përfshi në bisedë “ministri-këshilltar”, të cilit, siç duket nuk i shpëtoi pa u lexuar shprehja ime e fytyrës. “Kjo nuk është e nevojshëm. Dy vendet nuk  kanë pse të nënshkruajnë një marrëveshje specifike, kur sipas Konventave Evropiane ministritë tona përkatëse unifikojnë diplomat e të interesuarve.”

Në atë moment, diplomati “ministër-këshilltar”, nga pozicioni i kërrusur, hetues, hoqi menjëherë syzet e varura mbi hundën me kurriz, dhe ngriti zërin. “Si mund të ndodhë kjo në një territor që është pjesë e shtetit serb? Ata njerëz jetojnë çdo ditë në Serbi, marrin shërbimet publike në Serbi, shërbehen nga administrata janë, kërkojnë një punë në Serbi, e ju pretendoni që duhet të mësojnë me libra të miratuara nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë?” Kostumi i tij prej diplomati ishte zhveshur, dhe komunikimi tërë pasion dhe ton të lart, e nxori “nudo” para 4 gazetarëve që thjesht po pyesnin. “A e dini ju që fëmijët e familjeve minoritare serbe në Kosovë nuk flasin asnjë fjalë shqip? Pse duhet të sillemi ndryshe ne?”

Në dalje të godinës kupton se ndryshimi edhe kur vjen nga lart kërkon kohë të mbërrijë poshtë. Ndryshimi  për qytetarët do të ndodhë atëherë kur "kimia" në marrëdhëniet mes dy kryeministrave të përshkojë edhe shtresat e tjera të burokracisë dhe shoqërisë.. 

Serbia m'u shfaq me dy fytyra: një ajo e shoqërisë civile dhe medias dhe një fytyrë gati e pandryshuar në ministrinë e punëve të Jashtme. Një fytyrë e shekullit 21 dhe një e shekullit 20….

Bombardimi
Godina e televizionit publik serb, e bombarduar nga NATO në 1999, nuk është rindërtuar. Përballë saj është vendosur Ministria e Punëve të Jashtme, në mënyrë që godina e thërrmuar të jetë panorama e detyrueshme e çdo delegacioni që vjen, me qëllim kompleksimin e tyre.
 


Godina e Televizionit Publik Serb, e bombarduar nga NATO në 1990
Godina e Televizionit Publik Serb, e bombarduar nga NATO në 1990

Media
“Kur Kosova është në faqen e parë, numri i shitjeve ulet. Kosova nuk është interesante për qytetarët”-na thotë Vukasin Obradovic.
 
Kosova
“Elita politike po e kupton dita-ditës se Kosova është e humbur, dhe nuk duhet të harxhojmë kohë dhe para me të”,-thotë drejtor i B92.


ministria e jashtme serbe
Ministria e Puneve te Jashtme e Serbise

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois