TIRANE-Situatat absurde me të cilat mund të hasesh në spitalet publike shqiptare janë nga më të paimagjinueshmet. Dhe jashtë kësaj liste nuk ngelet as qendra universitare spitalore "Nënë Tereza", e cila në vendin tonë konsiderohet si maja e shërbimit shëndetësor.

Në katin e parë të Onkologjikut, një prej pavijoneve i cili ka një fluks të madh pacientësh në çdo ditë të vitit, në katin e parë vjen një erë e tmerrshme. Kjo pasi poshtë shkallëve që të çojnë në katet e sipërme, ku janë të akomoduar edhe shërbimet e rëndësishme të këtij spitale, gjithçka është kthyer në një banjo, me kuptimin e vërtetë të fjalës. Aty në fakt është edhe një derë e vogël, e cila me sa duket të zbret në bodrumet e këtij spitali, por që nuk përdoret asnjëherë. Duke qenë se banjot e katit të parë, në të shumtën e rasteve nuk funksionojnë, të sëmurë që presin me orë të tëra në radhë, apo të afërm të tyre, me sa duket i bien shkurt dhe i kryejnë nevojat e tyre personale brenda në spital. Këtu nuk ka vend për të drejtuar gishtin se kush e ka fajin, por ajo që na shqetëson është fakti së nëse ne si vizitorë të këtij spitali vëmë re një gjë të tillë, si ka mundësi që drejtuesit, apo bluzat e bardha që kalojnë një pjesë të madhe të kohës në këtë korridor, nuk i shqetëson fare era e rëndë?

Te 6-katëshi, i cili po rikonstruktohet kanë lëvizur vetëm disa shërbime. Në disa të tjera, tek të cilat nuk po ndërhyhet brenda në pavijon, ama llaci dhe tullat janë tek dera, dhe i gjithë pisllëku që marrin vizitorët e shumtë, apo vetë bluzat e bardha kur dalin jashtë kësaj dere futet brenda nëpër dhomat e shtrimit. Madje, si për ironi, ata duhet të durojnë edhe zhurmat e tmerrshme të gurit fleksibël që përdorin herë pas herë punonjësit që po rikonstruktojnë spitalin e sëmundjeve të brendshme.
(Korridori i spitalit Onkologjik, i mbushur me urine)
(Shkrimi eshte botuar dje ne gazeten "shqiptarja.com")