Më shumë se sa prova për këtë ndryshim të tendencës, ka të dhëna. Këtë vit, për shembull, në Tiranë janë regjistruar 600 fëmijë më shumë në klasat e fillores. "40% të kthyer nga Italia, të tjerët nga Greqia", shpjegon Ismail Ademi, konsulent ndërkulturor si dhe ideator i takimit "20 vjet emigrim shqiptar në Itali" që është zhvilluar në Tiranë. Një nga sponsorat është INAS CISL, që ndihmon mes të tjerash kë dëshiron të bashkojë kontributet shoqërore të mbledhura në vende të ndryshme. Ka ardhur për të njoftuar hapjen e një selie në qytet. Sepse kush kthehet, pa ndihmë, rrezikon të humbasë atë që ka vënë mënjanë gjatë viteve të punës në Itali. "Presim që të kthehen gjithnjë e më shumë", tregon presidenti Antonino Sorgi. Zv/ambasadori Giuseppe Berletti shton: "Njerëzit emigrojnë duke ndjekur "rregullën e 5-ës", thënë ndryshe kur fitojnë 5 herë më shumë se në Atdhe. Përndryshe kthehet". Një konstatim, më shumë se sa një profeci. Në sinkronë me krizën ekonomike që këtu te ne fillimisht u thith falë parakolpit human të emigrantëve, të parët që u pushuan nga puna.
Sipas numrave të Teuta Grazhdani të Organizatës Ndërkombëtare të Migrantëve, në vitin 2011 janë kthyer nga Italia 1053 shqiptarë. Por nuk ka numra për kthimin vullnetar. Kjo organizatë "po përpiqet t'i mbledhë përmes Ministrisë së Arsimit", shpjegon sociologu Rando Devole, "meqenëse shumë familje emigrantësh kanë kërkuar ndihmën e shkollave përsa u përket fëmijëve". As Caritas Migrantes nuk ka të dhëna të sakta. Por ajo që është tepër specifike janë historitë që kjo tendencë mishëron.
Altin Prenga është rikthyer në 2009. Njëmbëdhjetë vjet më parë, kur ishte 15 vjeç, ishte nisur vetëm. Në Trentino punonte në përpunimin e sallamit në një gastronomi. "Të lash pjatat në një restorant me yjet Michelin ishte shumë formuese", thotë me një italishte që nga pastërtia duhet të bëjë më turp shumë italianë, "më pas hapa një agriturizëm në liqenin e Garda-s". Gjërat ecnin jo keq, por jo keq nuk ishte aq sa duhet: "Nuk ndjehesha i vlerësuar. Isha larguar sepse këtu nuk mund të jetoja më. Kur kjo u bëri përsëri e mundur u riktheva". Duke vendosur në valixhe një nga idetë italiane për eksportim: filozofinë Slow Food. "Shqipëria është një vend që, pas 50 vitesh dietë komunizmi, ka harruar traditën gastronomike. Na vjen turp të bëjmë barinjtë, të ndotim duart me tokën". Ndërsa ai do ta kthejë në modë. Një orë e gjysëm larg kryeqytetit ka hapur Mrizin e Zanave, i pari vend në Shqipëri që mban vulën Carlo Petrini. "Lënda e parë vendase, kuzhinë e sinqertë, si ajo e gjyshes. 10-12 euro për person. Im atë më tallte: shqiptarëve nuk u pëlqen t'u kujtosh të kaluarën, preferojnë ta harrojnë. Por në fund fitova unë". Dhe takimi ynë shtyhet për dy orë sepse për drekë, papritur, vjen Kryeministri Sali Berisha dhe zv/kryeministri i Kosovës.
E ngjashme edhe historia e Blerim Kokomanit. Në 1991, vetëm 14 vjeç, ishte ndër të parët që besuan se te ne ishte Amerika. Mori një varkë, shkoi në Brindisi dhe pas një kalimi përmes një instituti minorenësh mbërriti në Reggio Emilia ku ka bërë kurse për kasap dhe marangoz. Nga një i afërm te tjetri, ka bërë xhiron e Itali derisa gjeti vokacionin në një kantinë umbre. Në fillim merrej me vozat e verës, por ishte kaq i shkathët saqë një enolog i rëndësishëm e mori si krah të djathtë. Më pas ai tërhoqi edhe të vëllanë: fitonim mirë, harxhonim pak ("70% e të ardhurave shqiptare vjen nga emigrantët") dhe çdo vit blinim një hektar tokë në Shqipëri. Exit strategy graduale e zyrtarizuar tre vite më parë me lindjen e Kokomani Vineyard. "Vitin e kaluar bëmë 56 mijë litra. Hapëm një pikë shitjeje në Tiranë. Dhe bëjmë tregti me Shtetet e Bashkuara". Për italianët thotë se jemi "kreativë, nuk rrinë kurrë në një vend. Dhe në këtë sektor mund t'i jepni mënd të gjithë botës!". Duket se më shumë e beson ai sesa ne. Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, përveçse ngjyrosi me alegri pallatet gri të sovjetikëve, është i famshëm për një batutë: "Italianët janë shqiptarë të veshur me Versace". Blerimi është shumë elegant, por i një lloji shumë më të thjeshtë.
Ajo që ka të përbashkët me bashkatdhetarët e tij të kundëreksodit është një maturi e parakohshme. I sheh, u flet dhe tregojnë të gjithë dhjetë vite më shumë në krahasim me një bashkëmoshatar europian. Ajo në kanalin e Otrantos, mes skafistëve dhe financierëve, ishte një lojë shumë më impenjuese sesa ajo mes rojeve dhe hajdutëve që adoleshentët italianë kishin lënë pas prej pak kohësh. Të gjithë të martuar, me dy-tre fëmijë: ky nuk është një vend për përtacë. Armand Voksi nuk përbën përjashtim. Në 1991 kalon një seri kufijsh për të mbërritur në Gjermani. Bën kamerierin dhe dërgon lekët në shtëpi. Më pas, me kursimet e shtatë viteve, regjistrohet në fakultetin e arkitekturës në Firence. Me një performancë unike, më shumë se sa të rrallë: diplomohet në kohë, në një gjyhë që e mësoi gjatë vitit të parë të universitetit. Profesori i tij i urbanistikës e merr si ndihmës, fiton një doktoraturë kërkimi: shkëlqyeshëm dhe bollshëm për çfarëdo standardi italian, por jo për një njeri që kur ishte i vogël mbante me bukë familjen e tij. "Nuk shikoja, në një periudhë kohore mesatare, mundësinë që të hapja një studio dhe të kisha një kurs timin dhe u ktheva". Sigurisht tani është kërkues në universitetin e Tiranës, por me një rrogë trefish në krahasim me atë të doktoraturës italiane. Nga Firence i mungojnë miqtë dhe "oferta kulturore. Por tashmë, me fluturime prej 100 euro, mund të shkoj edhe dy herë në muaj". Ndërsa këtu puna e tij kryesore është plani rregullator i një qyteti anarkist, i menduar për 300 mijë banorë të trefishuar nxitimthi gjatë viteve 90 ndërsa infrastruktura nuk rritej me të njëjtin ritëm. "Nuk ka një parking të vetëm. Baraket që janë kthyer në shtëpi janë gjysma abuzive. Pranë disa lokaleve të qendrës ka ende rrugë të pashtruara. Është një sfidë e madhe".
Kush e di nëse do arrijë t'u shpjegojë hoteleve të reja moderne që nuk është rasti të imitojnë diskotekat dhe se niveli i cilësisë nuk matet me decibelët që lëshojnë. Pak si plazhet në Salento, të bukura pa fund po të mos ishte për dj-të që në mes të pasdites i kthejnë në ferr nën diell. Ka tragete që tashmë të dërgojnë për 40 euro. Dhe prej dhjetorit 2010 nuk ka më nevojë për viza. Ka nga ata që marrin me vete në shtëpi Slow Food, dikush tjetër të tmerrshmen disco on the beach. Takoj të tjerë të kthyer. Altin Shuaipi që në Firence ka studiuar arte të bukura, por që i duhej të kënaqej me punën si kamerier ndërsa këtu bën fotografin. Shumë i sjellshmi Edvin Kukunja nga Torino, ish-menaxher impiantesh sportive por që dëshironte të shfrytëzonte diplomën në juridik dhe tani, ndërsa bën praktikën ligjore, punon edhe si spin doctor për disa politikanë premtues vendas.
Rroga mesatare mbetet e ulët, rreth 250 euro, por është edhe e vërtetë se me 25 mijë euro blihet një apartament në periferinë e parë të kryeqytetit. Më mirë një shtëpi në Tiranë apo një garazh në Romë? Fusha tërheqëse italiane reziston. Përtej programeve televizive, emrave të lokaleve, ekziston edhe Shqip, një e përditshme që është fotokopja mahnitëse e Repubblica. I njëjti format, faqosje, font. Nëse kishte të drejtë Armani kur thoshte se "imitimi është forma më e lartë e adhurimit", atëherë na duan ende shumë. Dhe ne i përçmojmë më pak. Në klasifikimin e frikësuesve tanë të preferuar janë zëvendësuar nga rumunët dhe ndoshta edhe nga kinezët. Ky të paktën është përfundimi i takimit. Verifikoj në fund në Internet me "Albanese" dhe "kriminalitet" si fjalë kryçe. Del një histori e tmerrshme e një tipi që ka vrarë të shoqen dhe të dashurin e saj, të bijën dhe të fejuarin. Nuk duhej kjo, pikërisht tani që po rikrijonin një reputacion. Por më pas shikoj mirë dhe Albanese ishte mbiemri i një tipi në Manduria. Përsa i përket dhunës në familje, mos t'u vijë keq legistëve, nuk marrim leksione nga askush.
(Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com)