Reporterët Pa Kufij i është përgjigjur kryeministrit Rama lidhur me lirinë e shtypit në Shqipëri, pasi ky i fundit citoi raportin e një startup-i me Inteligjencë Artificiale që tregonte se zëri i opozitës dominonte hapësirën mediatike.

Organizata i thotë Ramës që ta investojë energjinë në adresimin e problemeve të lirisë së medias në Shqipëri, ndërsa shpreh gatishmërinë edhe për dialog.

“Kryeministër Edi Rama, në vend që të përpiqeni kot të provoni se indeksi i Reporters Without Borders (#RSFIndex) është i gabuar, ne propozojmë që energjia të investohet në adresimin e problemeve kronike të lirisë së medias në Shqipëri. Së bashku me partnerët e saj lokalë, RSF është e gatshme për një dialog mbi propozimet e saj”, shkruan Reporterët Pa Kufij në rrjetin X.

Raporti i ‘Reporterëve Pa Kufij’ e rendit Shqipërinë në vendin e 83-të lidhur me lirinë e shtypit dhe transparencën e medias, duke pësuar rënie krahasuar me një vit më parë.

Rama u kundërpërgjigj duke publikuar raportin e SIGMA-OECD që vlerësonte Agjencinë për Media dhe Informim, por organizata tha më pas se “mat lirinë e medias, jo komunikimin e qeverisë.” Ajo ngriti shqetësime edhe për sulmet politike, kërcënimet ndaj gazetarëve dhe abuzimet me zbatimin e ligjit.

Më pas, kryeministri ndau edhe një raport të AMA-s që konfirmonte mbizotërimin e opozitës në hapësirën televizive. Për raportin e “Bulletin Intelligence” të publikuar së fundmi, Rama i tha organizatës se rrëzon tezën e tyre për media nën shërbim të qeverisë.