Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas një procesi hermetik, shpalli listën e kandidatëve për deputetë, në kundërshtim flagrant me Statusin e PD, duke zhbërë autoritetin e forumeve të larta të partisë, në kundërvënie me pretimet e tij si dhe jashtë vullnetit të bazës së Partisë Demokratike.
Në përpjekje për të ndërtuar një skuadër të tij, Lulzim Basha ka krijuar një precedent antidemokratik në PD, duke e shtyrë partinë drejt përçarjes së pashmangshme. Shkeljet janë të rënda, ndërsa paradokset e emrave dhe të renditjes së tyre, janë nga më të pabesueshmet. Megjithatë, Lulzim Basha, ka një shpjegim.
Sipas tij, emrat e përfshirë në listën fituese mbështesin Republikën e Re. Ndaj, si të tillë, lista ‘Basha’ është edhe shëmbëlltyra e Republikës së Re.
1. Humbësit e mëdhenj në krye të fushatës
Disa nga kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike, pjesë e listës fituese, nuk reflektojnë jo vetëm mbështetjen e shqiptarëve, por as të bazës së partisë. Lulzim Basha ka përfshirë në listën fituese ikonat dhe simbolet e disfatave më të rënda të Partisë Demokratike. Basha ka përfshirë në listën fituese Gent Strazimirin, i cili drejtoi fushatën për Bashkinë e Dibrës, ku PD pësoi një humbje shokuese. Pjesë e listës është edhe Halim Kosova, i cili humbi në Tiranë me një diferencë të thellë përballë Erion Veliajt. Pjesë e listës fituese është edhe Edi Paloka, i cili drejtoi fushatën zgjedhore për Bashkinë e Tiranës. Në parlamentin e ardhshëm do të jetë edhe Grida Duma, e cila fundosi PD përballë Vangjush Dakos në Durrës.
Ndërkaq, Basha ka kandiduar të dytin në Korçë Ervin Salianjin, i cili humbi përballë Belind Këlliçit, në garën për kreun e FRPD. Edhe Enkelejd Alibeaj, i cili kryeson listën në Fier, humbi thellë në Fier përballë Armando Subashit. Gjithashtu, edhe Andrea Mano, pjesë e listës fituese në Korçë, u mposht nga Niko Peleshi. Pjesë e listës fituese janë edhe disa humbës të tjerë në zgjedhjet e lokale të 2015. PD ka humbur të gjitha bashkitë ku ata kanë drejtuar fushatën. Konkretisht Basha ka përfshirë në listë Edmond Spahon, drejtues i fushatës në Durrës, Arben Ristanin, drejtues i fushatës në Vlorë, Genc Pollon, drejtues fushate në Fier, Oerd Bylykbashin, drejtues i fushatës në Lushnje, Tritan Shehun, drejtues i fushatës në Gjirokastër, Eduard Halimin, drejtues i fushatës në Kavajë apo Gert Bogdanin, mbikëqyrës i fushatës në Tiranë dhe Albana Vokshin, mbikëqyrëse e fushatës në Tiranë. Të gjithë të lartpërmendurit kanë lënë gjurmë si në humbjen e 2013 ashtu edhe në humbjen e 2015.
2. Shkelja e statusit dhe shmangia e Kryesisë
Lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike është produkt i një procesi krejtësisht hermetik, individual dhe anti-statutor. Duke përjashtuar Sali Berishën, lista ‘Basha’ nuk është konsultuar me drejtuesit e tjerë të partisë, ndërsa nuk ka marrë as miratimin e Kryesisë së Partisë Demokratike dhe forumeve të tjera të larta drejtuese. Neni 37 i Statusit të PD parashikon se Këshilli Kombëtar i PD, përpos të tjerave, vendos të gjitha kandidaturat elektorale, sipas propozimit të Kryesisë së PD, me përjashtim të atyre që statuti parashikon ndryshe. Në rastin konkret, Lulzim Basha, për të evituar debatet, ka shmangur si Kryesinë e PD, ashtu edhe Këshillin Kombëtar. Një nga arsyet se pse Basha e ka shmangur Kryesinë është fakti se 24 anëtarë të saj janë përjashtuar nga lista fituese.
3. Çamët dhe grekët brenda një liste
Brenda një liste dy kauza të ndryshme, që mbrohen nga dy individë që do të garojnë nën siglën e PD brenda Qarkut të Vlorës. Dashamir Tahiri, ish-deputeti i PDIU-së, që u bashkua me PD do të jetë i pesti në listën e kandidatëve të kësaj force politike në qarkun e Vlorës. Ndërkohë dy vende sipër tij, konkretisht i treti në listë ndodhet Vangjel Dule kreu i PBDNJ, parti e minoritetit grek. Të dy garojnë në Vlorë nën siglën e PD-së. Tahiri kur u zgjodh deputet në Vlorë u zotua për zgjidhjen e çështjes Çame e kjo maksimizoi votën për PDIU-në në qarkun e Vlorës në 2013. Ndërkohë, Vangjel Dule është një ndër kundërshtarët më të fortë në parlament të Çështjes Çame. Sakaq me këto zgjedhje mesa duket Dashamir Tahiri dhe Vangjel Dule do dalin së bashku për të kërkuar votën e banorëve të Qarkut të Vlorës, ndonëse kauzat e tyre janë të ndryshme dhe kundërshtojnë ashpër njëra-tjetrën.
4. Djali i Fahri Balliut në vend të Ridvan Bodes
Përjashtimi i gardës së vjetër së Partisë Demokratike nuk janë e vetmja befasi e listës së forcës më të madhe opozitare për zgjedhjet e 25 qershorit. Edhe emrat e rinj të përfshirë në lista janë një tjetër vendim i papritur nga Lulzim Basha. Jo vetëm vajza e Dëshmorit të Demokracisë, Azem Hajdari, Rudina është pjesë e listës për kandidatë për deputetë nga PD, por edhe Klevis Balliu, djali i Fahri Balliut, botuesit të Gazetës 55, do të garojë për një vend në Parlament. Djali i Fahri Balliut pritet të zërë vendin e ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode. Deri para shpalljes së listës, dukej e pabesueshme që Ridvan Bode të zëvendësohej pikërisht nga djali i Fahri Balliut.
5. Përjashtohet kreu i FRPD Belind Këlliçi, humbësi Salianji në listë
Kur pritej që 35 për qind të listës fituese të dominohej nga përfaqësues të FRPD, befas, kreu i vetë FRPD Belind Këlliçit nuk përfshihet në listën e kandidatëve për deputetë. Por, paradoksi nuk mbaron këtu. Në vend të kreut të FRPD, Belind Këlliçit, Lulzim Basha ka vendosur të përfshijë në listën fituese Ervin Salianjin, i cili ka humbur me vota përballë Belind Këlliçit. Salianji garon i dyti në Qarkun e Korçës, duke u bërë de fakto pjesë e parlamentit të ri. Pra, në parlament hyn dikush që nuk reflekton vullnetin e të rinjve të Partisë Demokratike, shprehur me votë, por ai që përfaqëson vullnetin e kryetarit. “Dhe unë kam marrë një vendim dhe e ruajta për tua komunikuar ju e përmes ju të gjithë të rinjve demokratë anembanë Shqipërisë. Atyre që u dhanë bukuri kësaj gare të mrekullueshme me votën e tyre, atyre që me të drejtë kërkojnë përfaqësim më të madh në vendimmarrjen e kësaj partie, e kësaj shtëpie të lirisë dhe çdo të riu e çdo të reje shqiptare por edhe prindërve të tyre u them sot se unë kam vendosur ti propozoj Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike adoptimin e kuotës së përfaqësimit të të rinjve prej 35 % në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, pati premtuar Basha.
6. 24 anëtarë të Kryesisë së PD jashtë liste
E pazakontë. 24 anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike kanë mbetur jashtë listës së kandidatëve për deputetë. Anëtarët e Kryesisë përbëjnë edhe lidershipin e Partisë Demokratike. Disa nga anëtarët e Kryesisë jashtë listës janë Fatbardh Kadilli, Enno Bozdo, Valbona Mezini, Ivi Kaso, Nevila Xhindi, Besart Kadia, Ardian Turku, Jamarbër Malltezi, Endira Bushati, Laura Vorpsi. Këta drejtojnë departamentet dhe sekretariatet e Partisë Demokratike, por megjithatë kanë mbetur jashtë listës fituese.
7. Skandali me listat, emrat me ‘probleme’
Sipas Lezo.al, janë plot 29 emrat e rinj të konkurruar nga PD, të cilët janë akuzuar për vepra të ndryshme, ndonëse nuk rezultojnë të dënuar. Këta 29 emra të rinj, të paktën një në çdo qark, do t’i bashkohen pa dyshim një “armate” të deputetëve ekzistues, të kryesuar nga vetë lideri Basha, që në të shkuarën kanë janë akuzuar për lloj-lloj aferash. Sipas Lexo.al sh-kryetari i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku, ka përfunduar nën hetim për lejet e dhëna pa kriter në komunën e tij, leje që kanë shkatërruar kurorën e gjelbër të kryeqytetit. Ai ka shpëtuar nja atentati në banesën e tij, kur persona të paidentifikuar e qëlluan me antitank. Ish-kryetar i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka është përballur me drejtësinë pas një kallëzimi të IMKT-së, pasi lejimit të dhjetëra lejeve pa leje në bashkinë e tij. Helidon Bushati, kandidat për deputet në Shkodër, është përballur me akuza për korrupsion nga koha kur u caktua prej Halim Kosovës, si Drejtori i ri i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Enri Ceno është kandidat në Durrës.
Ai është djali i Petrit Cenos, i akuzuar në mënyrë të përsëritur dhe nën hetim për korrupsion, favore dhe falsifikim të dokumenteve gjyqësore. Shkëlqim Fortuzi, ish-drejtor i tatimeve Durrës dhe ish-kryetar i Bashkisë në Sukth është i akuzuar për disa afera korruptive në të dy pozicionet që ka mbajtur. Vullnet Topalli, ish-drejtues i Policisë gjatë kohës së PD-së, është kallëzuar për shpërdorim detyre së bashku me Florenc Hoxhën. Ish-drejtori i AKSHI, Endri Hasa, ish-punonjës i SHIK-ut, është akuzuar si i përfshirë në çështjen e fshirjes së kamerave të sigurisë gjatë 21 janarit. Gjithashtu, figuron se ka falsifikuar letrat për të përfituar kredi të butë strehimi. Luan Baçi, ish-Drejtori i Shërbimit të Automjeteve në Fier, u arrestua në vitin 2012 dhe u pezullua nga detyra për shkak të pranimit të ryshfetit në lëshimin e patentave. Çuditërisht, gjykata e liroi pak kohë më vonë. Ligoraq Karamelo, ish-kreu i OMONIA-s në Korçë, përfundoi nën hetim për shkak të përfshirjes së tij në aferën e ngritjes së varrezave ilegale për ushtarët grekë në Korçë. Fatmir Guda, ish-kreu i Bashkisë së Leskovikut, është ndjekur në të shkuarën për korrupsion dhe abuzim me listat e personave që përfitojnë ndihmë sociale. Xhemal Gjunkshi, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, sipas dokumentave të publikuara në “Ëikileaks” ka qenë një prej figurave kryesore që ka përfituar nga shitja e pajisjeve të vlefshme ushtarake për skrap, si dhe në disa afera të tjera korrupsioni të ndodhura në ushtrinë shqiptare.
Lista e kandidatëve
Lulzim Basha, pas një procesi hermetik, shpalli listën e kandidatëve për deputetë, në kundërshtim flagrant me Statusin e PD, duke zhbërë autoritetin e forumeve të larta të partisë, në kundërvëni me pretimet e tij si dhe jashtë vullnetit të bazës së partisë.
Belind Këlliçit
Kur pritej që 35 për qind të listës fituese të dominohej nga përfaqësues të FRPD, befas, kreu i vetë FRPD Belind Këlliçit nuk përfshihet në listën e kandidatëve për deputetë. Por, paradoksi nuk mbaron këtu. Në vend të kreut të FRPD, Belind Këlliçit, Lulzim Basha ka vendosur të përfshijë në listën fituese Ervin Salianjin.
Listave e humbësve të PD
- Lulzim Basha, nën drejtimin e tij PD humbi thellë zgjedhjet lokale, humbi zgjedhjet e pjesshme në Dibër, në Korçë dhe Kolonjë.
- Grida Duma fundosi PD përballë Vangjush Dakos në Durrës.
- Gent Strazimirin, drejtoi fushatën për Bashkinë e Dibrës.
- Halim Kosova humbi në Tiranë përballë Erion Veliajt.
- Enkelejd Alibeaj, humbi thellë në Fier përballë Armando Subashit.
- Anton Koka, humbi në Kopliku përballë Tonin Marinajt.
- Andrea Mano u mposht nga Niko Peleshi.
- Edi Paloka drejtoi fushatën për Bashkinë e Tiranës.
- Ervin Salianjin humbi përballë Belind Këlliçit për kreun e FRPD.
- Edmond Spahon, drejtues i fushatës në Durrës.
- Arben Ristanin, drejtues i fushatës në Vlorë.
- Genc Pollon, drejtues fushate në Fier.
- Oerd Bylykbashin, drejtues i fushatës në Lushnje.
- Tritan Shehun, drejtues i fushatës në Gjirokastër.
- Eduard Halimin, drejtues i fushatës në Kavajë.
- Gert Bogdanin, mbikëqyrës i fushatës në Tiranë.
- Albana Vokshin, mbikëqyrëse e fushatës në Tiranë.
Ish-kryeministri Sali Berisha është distancuar nga listat e kandidatëve për deputetë të PD-së. Në një mesazh të publikuar pas pyetjes së një qytetari, Berisha thotë se listat janë hartuar nga Lulzim Basha, pasi janë detyrë e tij dhe se ai nuk ka pasur asnjë rol në hartimin e tyre. “Faleminderit për mesazhin. Me këtë rast ju siguroj se lista e kandidatëve të PD është ekskluzivisht vetëm e kryetarit dhe jo e ish-kryetarit i cili pa asnjë keqardhje ka pasur zero rol në listën e re. Por unë mendoj se është e drejtë ekskluzive e kryetarit të zgjedhë ekipin e tij. Me urimet e mia më të mira për ju, me respekt Sali Berisha”, shkruan Berisha.
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com