Republikanët kushtëzojnë ndihmat për Ukrainën me politikat e migrimit

Republikanët kushtëzojnë ndihmat për Ukrainën me politikat e migrimit

Një grup njerëzish duke ecur përgjatë murit, pasi e kanë kaluar kufirin me Meksikën për të kërkuar azil në SHBA, 24 tetor 2023.

Ligjvënësit amerikanë do të përpiqen këtë javë të arrijnë marrëveshje për dërgimin e ndihmave të reja në Ukrainë - vendin që është në luftë kundër pushtimit rus.

Por, për të pasur sukses, ata do të duhet të merren vesh fillimisht për një çështje që i ka ngatërruar me dekada.

Republikanët në të dyja dhomat e Kongresit e kanë bërë të qartë se nuk do të mbështesin ndihma shtesë për Ukrainën, nëse ato nuk shoqërohen me masa për sigurinë kufitare, që do ta menaxhonin fluksin e migrantëve në kufirin SHBA-Meksikë. Por, koha për marrëveshje është e shkurtër.

Një grup i vogël dypartiak në Senat po punon për një kompromis të ngushtë, por edhe nëse ia del ta arrijë, nuk ka asnjë garanci se ai do të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve, pasi republikanët këmbëngulin në ndryshime të përgjithshme të politikave të kufirit dhe të migracionit në SHBA.

Republikanët shpresojnë se demokratët do të ndiejnë presion politik për t’i pranuar disa nga propozimet e tyre për kufirin, pasi kalimet e paligjshme të tij kanë arritur një mesatare ditore prej më shumë se 8.000 vetash këtë vjeshtë.

Presidenti Joe Biden, i cili garon për rizgjedhje vitin e ardhshëm, është përballur me presion edhe nga demokratët e tjerë për fluksin e migrantëve. Por, përse disa çështje janë të vështira për t’u zgjidhur?

Sistemi i azilit

Ndryshimi i sistemit të azilit për migrantët është prioritet kryesor për republikanët. Përpara se të avancojnë drejt azilit në SHBA, ata duan ta bëjnë më të vështirë për azilkërkuesit që të dëshmojnë qysh në intervistat fillestare se kanë frikë nga persekutimi politik, fetar ose racor në vendin e tyre.

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë miratuar tashmë legjislacionin që do t’i ndalojë familjet në kufi, do t’iu kërkojë migrantëve ta bëjnë kërkesën për azil në një port zyrtar të hyrjes dhe do t’i ndalojë ata ose do t’iu kërkojë atyre që të qëndrojnë jashtë SHBA-së derisa çështja e tyre të përpunohet.

Ligji amerikan dhe ai ndërkombëtar u japin migrantëve të drejtë për të kërkuar siguri nga persekutimi, por numri i njerëzve që aplikojnë për azil në SHBA, ka arritur tashmë nivele të larta.

Senatorja e Arizonës, Kyrsten Sinema, e cila është pjesë e negociatave të Senatit, tha në një intervistë në radion e Arizonës se një nga qëllimet e ligjvënësve është të sigurojnë se “ata që janë këtu duke kërkuar azil, ta kenë një arsye të vërtetë për azil”.

Konservatorët e vijës së ashpër në Dhomën e Përfaqësuesve, që nuk kanë gjasa ta mbështesin ndihmën e mëtejshme për Ukrainën, kanë sinjalizuar gjithashtu se nuk do të pranojnë ndryshime të politikave që devijojnë shumë nga një projektligj, i miratuar në maj, që do ta ribënte sistemin e migracionit të SHBA-së.

Qëndrimi i tyre do të thotë se për çdo marrëveshje nevojitet një lloj mbështetjeje nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve.

Disa progresistë kanë thënë tashmë se do të kundërshtojnë çdo ndryshim në politikën e migracionit, të iniciuar nga republikanët.

“Zgjidhjet mizore, çnjerëzore dhe të pazbatueshme, të ofruara nga republikanët, do të shkaktojnë më shumë çrregullime dhe konfuzion në kufi”, ka thënë përfaqësuesja demokrate, Pramila Jayapal, kryetare e Grupit Progresiv të Kongresit.

Infrastruktura dhe përforcimi

Ligjvënësit mund ta kenë më të lehtë të arrijnë konsensus në fusha të tjera të politikës kufitare, veçanërisht kur bëhet fjalë për personelin e kufirit dhe përforcimin e tij.

Negociatorët kanë shqyrtuar hapat që mund të ndërmerren për ta përforcuar infrastrukturën ekzistuese në kufi, duke përfshirë punësimin dhe rritjen e pagave për oficerët e patrullave kufitare, si dhe përmirësimin e teknologjisë.

Shtëpia e Bardhë, gjithashtu, dëshiron të instalojë teknologji të re imazherike në portet e hyrjes, që do t’iu mundësojë autoriteteve t’i skanojnë shpejt automjetet për importe të paligjshme.

Republikanët thonë se kjo nuk mjafton. Ata duan përforcime më të mëdha, përfshirë zgjerimin e murit kufitar, që ka nisur nën ish-presidentin Donald Trump.

Çfarë kërkon Biden?

Kërkesa urgjente e Bidenit për Kongresin përfshin ndihmën për Ukrainën, Izraelin dhe aleatët e tjerë të SHBA-së, së bashku me 14 miliardë dollarë për forcimin e sistemit të migracionit dhe të sigurisë kufitare.

Paratë do të shkonin për punësimin e më shumë agjentëve të patrullës kufitare, gjyqtarëve të migracionit dhe oficerëve të azilit.

Kjo është pjesë e strategjisë së Bidenit për t’u larguar njëkohësisht nga politikat e ashpra të Trumpit, por edhe për t’u përshtatur me realitetin e kalimeve të kufirit SHBA-Meksikë.

Megjithatë, sondazhet tregojnë zhgënjim të madh me trajtimin e migracionit nga ana e Bidenit - gjë që i lëkund edhe shanset e tij për rizgjedhje.

Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, i tha një komiteti të Senatit këtë muaj se administrata është përballur me “fenomenin global” të njerëzve që migrojnë - në numra që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Sistemi ynë i prishur i migracionit ka nevojë urgjente për reforma”, tha Mayorkas.

Demokratët kanë prioritete të tjera për migracionin, të tilla si zgjerimi i rrugëve legale të migrimit dhe autorizimet për punë për migrantët që tashmë gjenden në SHBA. Demokratët kanë paralajmëruar, gjithashtu, për rrezikun e vonimit të ndihmave për Ukrainën.

“Është gabim të krijohet një situatë ku duhet bërë reforma të rëndësishme të migracionit - në të kundërtën, nuk dërgojmë para për t’i ndihmuar njerëzit në Ukrainë”, tha senatori nga Illinoisi, Dick Durbin, demokrat i rangut të dytë në Senat.

Republikanët, deri më tani, janë shprehur të vendosur për ta adresuar çështjen e Ukrainës dhe atë të kufirit në të njëjtën kohë./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi miraton ndërtime strategjike në zonat e mbrojtura, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Drejtori u pezullua se legalizoi pallatin me 4 kate pa leje, ja kush e merr drejtimin e Kadastrës së Lezhës

Drejtori u pezullua se legalizoi pallatin me 4 kate pa leje, ja kush e merr drejtimin e Kadastrës së Lezhës