Nga dita e premte deri të martën e javës së ardhshme (6-10 shkurt), parashikohen reshje të dendura shiu në Durrës që mund të shkaktojnë përmbytje.
Prefektura ka kërkuar që strukturat përkatëse të jenë në gatishmëri maksimale dhe të ndërmarrin masa parandaluese.
“Bazuar në informacionin e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak për periudhën 06.02.2026 – 10.02.2026, parashikohen reshje shiu me intensitet të lartë në territorin e Qarkut Durrës, të cilat mund të shkaktojnë vështirësi dhe problematika.
Nisur nga situatat e mëparshme që reshjet intensive kanë shkaktuar mbi banesat, bizneset, infrastrukturën dhe jetën e përditshme të qytetarëve, është e domosdoshme që të gjitha strukturat përgjegjëse të tregojnë gatishmëri maksimale, përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.
Në këtë kuadër, kërkohet marrja e masave parandaluese, monitorimi i vazhdueshëm i situatës në terren, raportimi i menjëhershëm për çdo problematikë që mund të lind si dhe koordinim ndërinstitucional për përballimin e çdo emergjence të mundshme.
Institucioni i Prefektit do të vijojë ndjekjen e situatës dhe do të qëndrojë në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha strukturat përkatës”, thotë njoftimi.

Komente










