Temperaturat e larta, të pazakonta për stinën ia kanë lënë vendin borës e shiut. Mëngjesin e kësaj të marte janë zbardhur nga bora malet në Dibër e Korçë, ndërsa në zonën fushore Lezhë-Shkodër, shiu i dendur ka krijuar probleme në rrugë.
Reshjet e borës kanë përfshirë verilindjen dhe juglindjen e vendit.
Fshati turistik i Dardhës në Korçë është zbardhur, ndërsa termometri shënon zero gradë në orët e mëngjesit. Nuk ka probleme në qarkullim pasi rruga është kriposur, por sugjerohet lëvizja me goma dimërore.
Po kështu në Dibër kanë nisur reshjet e para të borës për këtë vit, deri në 700 metra lartësi. Në minierat e Bulqizës, Martaneshit dhe Tërnovës, policia bën thirrje drejtuesve të automjeteve që transportojnë minatorët të përdorin zinxhirë.
Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë natës, krijuan probleme në lagjen “Besëlidhja” të Lezhës, ku uji vërshoi në rrugë.
Me rënien e intensitetit situata u përmirësua, ndërsa problematika mbetet e pazgjidhur prej vitesh, pasi pusetat bllokohen dhe kanalizimet nëntokësore nuk përballojnë prurjet e larta.
Në Postribë të Shkodrës si pasojë e reshje u bllokua një rrugë rurale nga rrëshqitja e dherave. Rreth 20 banorë mbeten të bllokuar për disa orë, por bashkia ndërhyri për pastrimin e saj.
Sipas metereologëve, moti do të jetë i kthjellët të mërkurën, por do të dominojnë temperaturat e ulëta nga -2 deri në 13 gradë celsius.
Për shkak të kushteve të përkeqësuar metorologjike, ka pasur vonesë në nisjen e trageteve në linjën Durrës-Bari-Durrës. Autoriteti Portual ka njoftuar pezullimin e përkohshëm të lundrimit të trageteve të linjave Durrës-Bari dhe anasjelltas.
Autoriteti Portual i Durrës njofton se tragetet e linjës Durrës-Bari-Durrës nuk do të nisen sot nga portet respektive në orarin e zakonshëm, por do të nisen rreth orës 7:00 të mëngjesit të ditës së nesërme.
Reshjet e dëborës kanë përfshirë një pjesë të vendit, pas uljes së temperaturave. Në rrugët Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh dhe Dardhë deri më tani nuk paraqiten probleme në qarkullim.
ARRSH u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.
“Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit në zonat malore kanë filluar reshjet e dëborës si në Dardhë, Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh, pa sjellë probleme për qarkullimin
Kontraktorët me mjete e punëtorë janë në terren për të bërë pastrimin e akseve, shpërndarjen e kripës dhe për të mbajtur qarkullimin në normalitet
Tregoni kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, sipas njoftimit të ARRSH-së.
Reshje dëbore janë regjistruar gjatë natës në fshatin turistik të Dardhës në Korçë. Sipas informacioneve dëbora ka arritur deri në 10 cm në vende të caktuara.
Deri më tani nuk është raportuar për probleme, ndërsa vazhdon puna nga autoritetet për kriposjen e rrugës për të shmangur ngricat.
Në akset e tjera rrugore nacionale dhe turistike, nuk ka probleme në rrugë.
Temperaturat janë ulur ndjeshëm, ndërsa në Dibër dhe Bulqizë kanë nisur reshjet e para të dëborës për vitin 2023.
Reshjet janë në lartësinë 700 metra mbi nivelin e detit. Reshje e dëborës ka edhe në afërsi të minierave të zonës D, në minierat e Martaneshit si dhe të Tërnovës.
Policia lokale bën thirrje drejtueseve të automjeteve që transportojnë minatorët të kenë kujdes dhe të përdorin zinxhir në rast nevoje pasi terreni është i vështirë!
Gjatë natës ka patur edhe reshje shiu qarku Dibër por nuk raportohet për dëme apo bllokime rrugësh në zona malore.
Bashkia e Shkodrës njofton se për shkak të motit të keq ka rrëshqitje dherash në Postribë dhe për pasojë është bllokuar aksi Mes-Ura e Shtrenjtë.
‘Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka patur rrëshqitjeve të dherave dhe gurëve në segmentin rrugor Mes - Ura e Shtrenjtë në Njësinë Administrative të Postribës.
Bashkia Shkodër përmes firmës kontraktore ka nisur punën për pastrimin e dherave e gurëve, që sa më parë kjo rrugë t’i kthehet normalitetit në qarkullim. Ftojmë banorët e zonës dhe udhëtarët të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve në këtë segment rrugor.
Dëme ka patur në këtë njësi edhe në kanalin vaditës ku po bëhen verifikimet përkatëse për të nisur më pas riparimet.’- njofton bashkia.
Për shkak të përkeqësimit të motit në Vlorë është ndaluar dhënia e leje-nisjes për të gjitha mjetet e vogla lundruese si dhe anijeve të vogla të peshkimit që operojnë jashtë gjirit të Vlorës.
‘Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj gjatë datave 09-11.Janar 2023 duke filluar nga ora 20:00 datë 09.Janar.2023 në drejtimin Jug-JugPerëndim në forcën 5bft, 1.00-1.50m brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë gjirit të Vlorës në forcën 6-7bft 15-20m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.00 metra.
1. Eshte ndaluar dhënia e leje-nisjes e të gjitha mjeteve të vogla lundruese , anijeve të peshkimit që operojnë jashtë gjirit të Vlorës dhe jane njoftuar per marrjen e masave për sigurimin e tyre.
2. Mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda gjirit të Vlorës të kenë në konsideratë kushtet e parashikuara të përkeqësuara dhe marjen e masave për sigurimin e tyre.
3. Janë njoftuar drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe për merrjen e masave për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave 09-10-11.Janar 2023.
4. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht.
5. Përmisimi i situatës meteorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas datës 11 Janar 2023 ora 06:00.’- thuhet në njoftim.