Rajoni i Lezhës është zgjuar këtë të mërkurë nga reshjet e dendura të shiut. Për shkak të kësaj situate dhe fluksit të madh të automjeteve, qarkullimi është vështirësuar ndjeshëm, sidomos në akset hyrëse dhe dalëse të qytetit. Në disa zona trafiku është paralizuar për disa çaste

Në terren janë angazhuar forca të policisë rrugore, asaj të rendit dhe policisë bashkiake, të cilat janë vendosur në pika të ndryshme për të lehtësuar qarkullimin dhe për të shmangur bllokimet.

Referuar parashikimeve reshjet e shiut priten të jenë prezente për disa ditë më radhë, ndaj autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në qarkullim.

Po ashtu si pasojë e këtyre kushteve atmosferike raportohet edhe për probleme me furnizimin me energji elektrike. Si shkak i defekteve në rrjet, në disa fshatra është ndërprerë energjia, ndërsa grupet e punës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndodhen në terren për rikthimin e normalitetit.