Disa akse rrugore në Njësinë Administrative Shalë vijojnë të jenë të bllokuara si pasojë e reshjeve intensive, ndërsa në Kamicë të Malësisë së Madhe prurjet e larta të Përroit të Thatë kanë vështirësuar qarkullimin. Sipas Prefekturës së Qarkut Shkodër, situata paraqitej përgjithësisht e qëndrueshme në orën 09:00 të së shtunës, 14 nëntor.
Në Bashkinë Shkodër nuk raportohen përmbytje të banesave. Ndërkohë, në Shalë po vijojnë ndërhyrjet për largimin e gurëve dhe materialeve të depozituara në rrugë nga reshjet, me qëllim rikthimin e qarkullimit. Edhe në fshatin Kamicë, pjesë e Njësisë Administrative Qendër, nuk raportohet prani uji në banesa.
Në bashkitë Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz, strukturat e Mbrojtjes Civile nuk kanë raportuar problematika deri në orën 09:00.
Sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, gjatë 48 orëve të fundit janë regjistruar reshje të konsiderueshme në zonat malore dhe rreth 25 milimetra në zonat fushore. Nuk raportohen dëmtime apo probleme në infrastrukturën e kullimit dhe të mbrojtjes nga ujërat. Ndërkohë, vijojnë inspektimet përgjatë lumit Kir.
Prefektura, në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, po monitoron situatën dhe po koordinon ndërhyrjet në zonat problematike.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht banorëve të zonave malore, të shmangin kalimin në rrugët e dëmtuara dhe pranë përrenjve me prurje të larta, si dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.












Komente
Komento