Këshilli Kombëtar i territorit ka miratuar të enjten 6 projekte të rëndësishme me një vlerë investimi prej 250 milionë eurosh. Por ndërsa Zëvendëskryeministri Niko Peleshi zbardhi vlerën totale të investimeve, mister mbetën projektet dhe veçanërisht investitorët e tyre.

Report TV arriti të mësojë së bëhet fjalë për gjashtë projekte investimesh, ku më i rëndësishmi është një rezort turistik gjigand në Gjirin e Lalzit.

Bëhet fjalë për Një resort turistik me vlerë 180 milionë euro, një projekt sportiv e argëtues me vlerë 9 milionë euro, 3 Hidrocentrale me me vlerë 22 milionë euro, 3 Centrale Elektrike Fotovoltaike me vlerë totale investimi 9.75 milion Euro, 2 projekte (rikonstruksion i Teatrit të Operas e baletit dhe Bibliotekës Kombëtare) me vlerë totale investimi 14,8 milionë euro, dhe në fund një projekt me 3 investime në industri me vlerë totale 13 milionë euro.

Resorti 180 milionë euro është investimi madhor i radhës që i shtohet fshatrave turistikë ekskluzivë që po pushtojnë vitet e fundit gjithë Gjirin e Lalzit. Por për kritikët, këto fshatra hermetikë dhe ekskluzivë, nuk po nxisin ekonominë e zonës.

Këto investime janë të orientuara në pjesën dërrmuese nga ndërtimi i apartamenteve dhe vilave për klientët VIP, dhe jo zhvillimi i shërbimeve turistike që do përfshinte edhe banorët e zonës.

Disa shoqata i kanë kërkuar Qeverisë të mos lejojë shfrytëzimin e zonave tërësisht për fshatra turistikë. Ato kanë propozuar që së paku 50% e zonave të përdoret për shërbime turizmi, gjë që do ndihmonte dhe ekonomitë e zonave.

Projektet e miratuara nga KKT
 
Në sektorin energjetik:

 
• 3 HEC-e 22 milionë Euro
 
• Resort turistik 180 milionë Euro
 
• Sport, argëtim dhe turizëm 9 milionë Euro
 
• 3 Centrale Elektrike Fotovoltaike 9.75 milionë Euro
 
• 2 Rikonstruksion i TOB dhe Bibliotekës Kombëtare 14,8 milionë euro
 
• 3 projekte industriale 13,6 milionë euro

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com