Gardhi që rrethoi kantierin ku pritet të ndërtohet resorti luksoz në Zvërnec, është hequr. Ishte ai rrethim që solli përplasjet e ashpra në Zvërnec, të qytetarëve me rojet private të kantierit më 30 maj.

Protestat u 'ndezën' për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti luksoz nga dy investitorë nga Katari me vlerë që pritet të shkojë deri në 4 miliardë dollarë. 'Harta' e protestave është zgjeruar deri në kryeqytet, ndërsa në koordinim me Tiranën, pritet të zhvillohet paralelisht një tjetër protestë nesër në Vlorë.

Pas hedhjes së gurëve, tërheqjeve zvarrë të protestuesve nga rojet private e përdorimit nga ana e tyre të sprayt me piper, sot situata në kantier duket e qetë. Makineritë e punës janë larguar e i vetmi element sigurie që ka mbetur në zonë është një kabinë pa roje brenda.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se kompania ndërtuese ‘Zvërnec south Adriatic Development’ është gjobitur për shkak të përdorimit të telave me gjemba si rrethim. Përplasjet e 30 majit, kanë çuar në arrestimin e 3 rojeve private të ‘Major Security’, pezullimin e licencës për këtë kompani dhe ‘Myrto Security’ si dhe pezullimin nga detyra të Drejtorit të Komisariatit të Vlorës.