Në Berat u rihap pas tre vitesh restaurimi dhe rikualifikimi Muzeu Etnografik, një nga asetet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit.
Pas një periudhe trevjeçare restaurimi dhe rikualifikimi, Muzeu Etnografik në Berat ka rihapur dyert për vizitorët vendas dhe të huaj. Në ceremoninë festive të organizuar me këtë rast morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Rihapja e muzeut vjen pas një sërë ndërhyrjesh restauruese dhe konservuese, të realizuara nga Qendra Muzeore Berat në bashkëpunim me Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore pranë Fakultetit të Historisë në Universitetin e Tiranës. Projekti përfshiu konservimin e koleksionit arkeologjik të muzeut, duke rikthyer identitetin dhe vlerat historike të një numri objektesh me rëndësi të veçantë muzeale. Po ashtu, disa veshje origjinale etnografike iu nënshtruan proceseve të specializuara të pastrimit dhe dezinfektimit, për të frenuar dëmtimet e shkaktuara nga koha.
Drejtori i Muzeut Etnografik, Miklor Pasku, falënderoi të gjithë kontribuuesit në realizimin e projektit, duke e cilësuar muzeun si një thesar të jashtëzakonshëm të Beratit dhe një dëshmi të rëndësishme të historisë dhe traditës së qytetit.
Edhe kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Ceca, vlerësoi mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe angazhimin e ministrit Blendi Gonxhja në realizimin e restaurimit. Sipas tij, Muzeu Etnografik do të vijojë të jetë një nga pikat më tërheqëse për turistët, ashtu si vetë qyteti i Beratit.
Punimet restauruese në monumentin e kulturës të kategorisë së parë përfshinë restaurimin e çatisë, rehabilitimin e sistemit të kullimit të ujërave të shiut, realizimin e drenazhimit të jashtëm dhe ndërhyrje në themele për mbrojtjen afatgjatë të objektit nga lagështira dhe degradimi.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua rehabilitimit të elementeve mbajtëse prej druri, si kolonat, trarët dhe petavrat, të cilat përbëjnë një nga tiparet më karakteristike të arkitekturës tradicionale beratase. Gjithashtu u kryen punime për forcimin e mureve, restaurimin e suvatimeve, si dhe zëvendësimin e elementeve të amortizuara të dyshemeve dhe tavaneve, në përputhje me standardet e restaurimit për monumentet e kulturës.
Ndërhyrje u realizuan edhe në sistemin e ndriçimit të pazarit të improvizuar në katin përdhes, me synimin për të evidentuar më mirë atmosferën e jetës qytetare dhe zejet tradicionale të Beratit.
Muzeu Etnografik i Beratit ruan një koleksion prej rreth 1300 objektesh, të cilat pasqyrojnë kulturën, traditat, zejet dhe mënyrën e jetesës së qytetit ndër shekuj.
Komente










