Partia Demokratike kërkon ndryshimin e projektligjit të qeverisë për krijimin e rezervës së sigurisë së naftës. Deputeti Enno Bozdo depozitoi në Kuvend amendimet e opozitës, që kundërshtojnë mënyrën e financimit, procedurat e blerjes së naftës dhe përfshirjen e privatëve në menaxhimin e rezervës.

“Rezerva do të krijohet, ajo do të kërkojë nga 300 deri 350 milionë euro dhe barra për këtë do të bjerë përsëri tek shqiptarët! Dhe kjo zgjedhje nuk është detyrim që vjen nga Direktiva e BE. Aspak! Kjo është një zgjedhje me vullnet të plotë e qeverisë shqiptare”, tha Bozdo.

Sipas Bozdos, projektligji i hap rrugë edhe blerjes së karburantit përmes kontratave të drejtpërdrejta, çka PD e kundërshton duke kërkuar që procedurat të zhvillohen me garë.

“Ndërtimi i një rezerve nafte që do të kushtojë nga 300 deri 350 milionë euro, do të bëhet me lidhje të drejtpërdrejta të kontratave. Qartazi ky model që është shkelje ligjore dhe kundër interesit publik, është zgjedhje e drejtpërdrejtë e qeverisë shqiptare”, tha Bozdo.

Me amendimet e depozituara, demokratët propozojnë që kostoja e krijimit dhe mbajtjes së rezervës të përballohet plotësisht nga buxheti i shtetit, pa vendosur tarifë të re mbi hidrokarburet.

“Rezerva e sigurisë e naftës të financohet 100% nga buxheti i shtetit dhe asnjë taksë e re nuk mund të rëndojë mbi shqiptarët për këtë qëllim. Të gjitha procedurat do të mbahen me garë dhe transparencë, sipas ligjeve në fuqi”, tha deputeti demokrat.

Ndryshimi tjetër i kërkuar nga PD lidhet me menaxhimin e rezervës. Opozita kërkon që operatori që do të garantojë furnizimin me naftë në raste krize të jetë tërësisht shtetëror dhe të mos mund të privatizohet.

“Operatori publik, kompania e cila menaxhon furnizimin me naftë në rast krize, nuk mund të jetë private siç e kërkon qeveria! Ajo do të jetë 100% shtetërore dhe nuk mund të privatizohet”, u shpreh deputeti.

PD argumenton se amendimet synojnë të shmangin një barrë të re për konsumatorët dhe rritje të mëtejshme të çmimit të karburanteve.

3 kërkesat e PD

-Rezerva e sigurisë e naftës të financohet 100% nga buxheti i shteti dhe asnjë taksë e re nuk mund të rëndojë mbi shqiptarët për këtë qëllim;

-Të gjitha procedurat do të mbahen me garë dhe trasparencë, sipas ligjeve ne fuqi, sepse kemi të bëjmë me paratë e shqiptarëve, dhe jo para për t’iu dhuruar në tepsi klientëve të qeverisë;

-Operatorii Publik, kompania e cila menaxhon furnizimin me naftë në rast krize, nuk mund të jetë private sic e qeveria kërkon! Ajo do të jetë 100% shtetërore dhe nuk mund të privatizohet. Kështu do t’i mbyllim derën grabitjes së mëtejshme!