TIRANE- Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet deklaron se ambasada greke ka refuzuar të marrë rezolutën për çëshjten çame dhe relacionin shpjegues.  Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të kësaj partie informohet se PDIU dhe Shoqata Çamëria i kanë dërguar në mënyrë zyrtare çdo ambasade të vendeve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, rezolutën për çëshjten çame dhe relacionin shpjegues.

“Të gjitha ambasadat e kanë marrë këtë rezolutë, përveç njërës, ambasadës greke në Tiranë, e cila ka refuzuar të marrë, qoftë edhe letrën e projektrezolutës.”- thuhet në njoftimin për shtyp.

Nëpërmjet një njoftimi të dytë për shtyp PDIU shpreh keqardhje për faktin që ambasada Greke në Tiranë refuzoi të lexojë rezolutën. Për PDIU-në “kjo është një sjellje e vazhdueshme e palës greke, për të mbuluar diellin me shosh, për një çështje që tashmë të gjithë e dinë se ekziston.”

Sipas PDIU, Ambasada “humbi shansin të lexonte zyrtarisht thirrjen për fqinjësi të mirë dhe kërkesën për të zgjidhur çdo problem të të drejtave të njeriut. Ky është thelbi i rezolutës, të cilën ambasada greke refuzoi akoma edhe ta marrë në dorë.”

PIDU vë theksin se rezoluta thërret për fqinjësinë e mirë dhe drejta e njeriut. “Në Evropën e Bashkuar, ku Shqipëria po aderon, ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se dialogu, debati dhe pranimi i argumentit nga çdo palë janë baza e vlerave evropiane. Fqinjësia e mirë dhe të drejtat e njeriut, për të cilat thërret rezoluta, janë premisa e vetë dialogut. Shpresojmë që këto leksione, të cilat ne i njohim dhe shteti grek shpesh ka tentuar t’ua përcjelli vendeve jo anëtare në BE, t’i kthejë në radhë të parë, në veprime të saj”, baht e ditur në njoftimin për shtyp të PDIU-së.

Në fund të deklaratës PDIU shkruan se për të lehtësuar punën e Ambasadës Greke, do e ridërgojë rezolutën në gjuhën greke, pasi ajo që u refuzua ishte në anglisht.

Më 10 dhjetor PDIU dorëzoi rezolutën çame në Kuvend, ku kërkohet shfuqizimi i ligjit grek të luftës, rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë. Ndërkohë që 2 ditë më parë, (8 dhjetor) Ministria e Jashtme greke nëpërmjet zëdhënësit të saj, Gregori Delavekuras, përcolli mesazhin se “Nuk ekziston çështja çame. Kushdo mendon se ka ndonjë një problem mund t’i adresohet drejtësisë greke".

*Lajmi u publikua fillimisht në orë 10:25 dhe u përditësua në 20:30 të 19 dhejtorit


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)