Riatdhesohen eshtrat e Zogut,
reagimet e partive politike

Riatdhesohen eshtrat e Zogut, <br />reagimet e partive politike
TIRANE - Eshtrat e Ahmet Zogut do të varrosen sot në Shqipëri. Dy ditë më parë eshtrat e tij u zhvendosën nga Parisi, u preheshin që nga viti 1961. Pasi kanë udhëtuar prej Parisit për 24 orë me linjën Turkish Airlines, në mesditën e 15 nëntorit në Stamboll është zhvilluar një ceremoni nderimi nga autoritetet turke. Dje në orën 08.15 eshtrat e Mbretit Zog mbërritën në atdhe, me një ceremoni pritjeje që kryesohej nga Princi Leka II, e fejuara e tij zonja Elia Zaharia, përfaqësues të lartë të qeverisë shqiptare, përfaqësues të oborrit mbretëror. Në ceremoninë e pritjes së organizuar nga qeveria shqiptare eshtrat do të rivarrosen në Mauzoleumin e familjes, ku bashkohen të gjithë pjesëtarët e Familjes Mbretërore që nuk janë më në këtë jetë: nëna e Ahmet Zogut, Sadije Zogu, Ahmet Zogu dhe Mbretëresha Xheraldina, biri i tyre Leka Zogu I me princeshën Suzanë. Arkivoli me eshtrat e Ahmet Zogut do të transportohet në shtratin e një topi, me nderime ushtarake. Arkivoli do të vendoset në Pallatin e Brigadave, ish Pallati Mbretëror. Atje do të zhvillohet edhe ceremonia e nderimit që nis nga ora 10.00 deri në orën 12.00 të paradites. Pas ceremonisë, arkivoli do të transferohet tek Mauzoleumi i Familjes. Trashëgimtari i Ahmet Zogut në Shqipëri, Leka Zogu II, bashkë me të fejuarën zonjën Elia Zaharia do të presin e përcjellin të ftuarit në ceremonialin e sotëm në Pallatin e Brigadave. Përfaqësues të familjes së Zogut pohojnë se kanë konfirmuar edhe pjesëmarrjen e disa përfaqësuesve të familjeve mbretërore. Zëvendëskryeministri i Hungarisë ka mbërritur mbrëmë në Tiranë dhe është takuar me kryeministrin Berisha. Po ashtu, kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe princi i Rumanisë, presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga, si dhe përfaqësues të shqiptarëve nga Maqedonia.

Zhvarrosja dhe homazhet në Paris
Procedurat për zhvarrosjen e eshtrave që ndodheshin në varrezat e Thias, në Paris, filluan më 14 nëntor me një ceremoni zyrtare shtetërore të organizuar nga qeveria franceze. Ceremonia u realizua nën interpretimin e Himnit të Flamurit dhe të Himnit Francez nga Banda e Ushtrisë Franceze, si dhe me nderimet ushtarake nga një togë e Legjionit të Nderit. Qeveria shqiptare u përfaqësua nga Ministrja Majlinda Bregu, zëvendësministrat Arben Ristani dhe Ekrem Spahiu, si dhe nga Ambasadori i Shqipërisë në Paris Ylljet Aliçka dhe anëtarë të Familjes Mbretërore, ku ishte edhe znj.Sylviane Muselier, motra e Xheraldinës, me bashkëshortin z. Renaud Muselier. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të disa familjeve mbretërore si: Princesha Maria-Pia, e bija e parë e Mbretit Umberto II të Italisë dhe bashkëshorti i saj; Princi Michel de Bourbon Parme, kushëriri i Mbretëreshës së Danimarkës; Princesha Chantal de France dhe bashkëshorti i saj, Baroni Sambucy; Princi Faycal Bey i Tunisit; Princesha Nesrine Toussoun e Egjyptit etj.

Rindërtimi i Mauzoleumit kushtoi 1.500.000 lekë
Qeveria shqiptare ka financuar 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për ngritjen e Mauzoleumit. Prej më shumë se një viti është vendosur që të rindërtohet Mauzoleumi ku prehen eshtrat e Nënës Mbretëreshë dhe janë marrë masat nga qeveria shqiptare që nëpërmjet Institutit të Kulturës, të rindërtohet një Mauzoleum i njëjtë. Rindërtimi ka nisur të bëhet në bazë të planit origjinal të atij që ishte ngritur në vitin 1935 dhe në të njëjtin vend, te vendi i quajtur “Varri i Nënës Mbretëreshë”, ku do të bëhet edhe pritja eshtrave të Mbretit Zog. Eshtrat e nënës së Mbretit Zog, Sadije Toptani Zogu, prehen në këtë Mauzoleum, i cili ishte menduar që t’i bashkoheshin vite më vonë edhe anëtarët e tjerë të familjes mbretërore. Për këtë arsye u ble 6000 m2 tokë dhe aty u ngrit Mauzoleumi i projektuar nga arkitekti i njohur Qemal Butka. Më 17 nëntor 1944 në ditën e Çlirimit të Tiranës, forcat partizane e shkatërruan objektin, duke lënë poshtë rrënojave varin e Nënës Mbretëreshë. Mendimi për Mauzoleumin e ri për Familjen Mbretërore, u hodh nga Komiteti i Festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë, i cili aprovoi projektin e vitit 2012 që ka paraqitur Instituti i Monumenteve të Kulturës, me autor Luçjano Bojaxhiun, arkitekt dhe restaurator pranë IMK-së.

Kush ishte Ahmet Zogu
Ahmet Zogu i lindur më 8 Tetor 1895 në Burgajet të Matit, ishte ai që drejtoi për afër 15 vjet jetën e vendit, duke nisur karrierën e tij si politikan në shtetin e ri modern në vitin 1924 për pak kohë si ministër i brendshëm, pastaj president kur Shqipëria u shpall Republikë Parlamentare nga 1925-1928, dhe nga 1928 deri më 1939, si mbret i vetëshpallur i shqiptarëve, duke e drejtuar vendin nëpërmjet Mbretërisë. Pas largimit nga Shqipëria, kur sapo e pushtoi Italia fashiste, Zogu kërkonte mbështetje nëpër shtete të tjera të Europës, duke u mbrojtur edhe nga frika e hakmarrjes së popullit shqiptar, të cilin e braktisi ditën e 7 prillit 1939. Si pasojë e kësaj, Ahmet Zogu vdiq në një azil politik në Francë.

Reagimet

Balla-Jahjagas:
Mos Hajde në ceremoninë e vrasësit të Hasan Prishtinës
Në një letër të hapur dërguar Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, deputei Tulant Balla reagon kundër gjestit të ardhjes së saj në ceremoni e kthmit të eshtrave të Zogut në atdhe. “Po ju drejtohem Ju, sepse për Presidentin e Shqipërisë, nuk dua të harxhoj as frymën dhe as mendimet. Nesër, sic është njoftuar Ju do të jeni në Tiranë për të nderuar ngritjen e Maozoleumit të Ahmet Zogut dhe të zogollëve të tjerë. Sigurisht kjo është zgjedhja Juaj personale. Por përpara se të bësh një gjë të tillë unë, si një qytetar i thjeshtë shqiptar, jo si politik an, as si deputet, unë sot dua të të sugjeroj që si një Presidente e një republike shqiptare, si një kryetare shteti, përpara se të përulesh para Ahmet Zogut, duhet t’i kërkosh leje Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Avni Rustemit apo edhe priftit Gjon Gazulli. Që të jem më i qartë, duhet të sqarosh pozicionin Tënd zonja Presidente e Republikës së Kosovës mbi jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Avni Rustemit.”, shkruan Balla. Dhe më tej Balla i kujton se priftin Gjon Gazulli “zogistët e varën në litar” dhe me tej shton se “duhet t’ju sqarosh studentëve dhe profesorëve të Prishtinës pozicionën tënd për Hasan Prishtinëm, përpara se të jesh nesër në Tiranë.”, etj. Dhe në fund Balla e mbyll me fjalët “Mos ngatërroni respektin ndaj homolgut Tuaj të Shqipërisë, me respektin që duhet të keni për shqiptarët e vërtetë.”

PDIU: Vlerësojmë kthimin e eshtrave
Në një deklaratë për mediat, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet vlerëson kthimin në Shqipëri të eshtrave të Mbretit Zog si një akt i vonuar historik. Ja disa nga vlerësimet: vlerëson kthimin në Shqipëri të eshtrave të mbretit Zog; Kthimi i eshtrave një akt i vonuar historik; Çdo gjykim historik u takon historianëve ta trajtojnë; Vlerësojmë dy momente të kontributit të tij; Mbreti Zog, vokacion kombëtar për shqiptarët e Çamërisë
ku përpjekjet e mbretit Zog mundësuan mosdëbimin e çamëve në vitin 1923; Mbreti Zog mundësoi marrëveshje për arsimin shqip në Çamëri; Nëse nuk do të pushtohej Shqipëria kjo marrëveshje do të zbatohej; Mbreti Zog u kurorëzua si Mbreti i Shqiptarëve dhe jo i Shqipërisë; Politika e sotshme duhet të veprojë, po ashtu, si drejtuese kombi dhe jo territori Politikanët sot të artikulojnë çështjen çame dhe bashkimin kombëtar; Kush nuk i artikulon ka mungesë trimërie, trimëri që e vlerësojnë te mbreti Zog


Zëvendëskryeministri i Hungarisë vjen për ceremoninë e rrivarrimit
Kryeministri Berisha priti dje në takim zëvendëskryeministrin e Hungarisë zotin Zsolt Semjen, i cili erdhi në vendin tonë me rastin e riatdhesimit të eshtrave të Mbretit Zog. Kryeministri e falenderoi për këtë vizitë që dëshmon marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve e qeverive. Zv.kryeministri Zsolt Semjen ka theksuar se “është i lumtur që ndodhet në Shqipëri, në këtë vend mik të Hungarisë dhe popullit hungarez dhe se ndodhet këtu për një ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për kombin hungarez, siç është riatdhesimi dhe nderimi i kujtimit të Mbretit Zog”. Duke u ndalur tek ceremonia e riatdhesimit të eshtrave të Mbretit Zog, Kryeministri Berisha theksoi se: “Gjatë 15 viteve të qenies së tij në pozicionet më të larta drejtuese shtetërore si ministër, kryeministër, president apo mbret i shqiptarëve, Ahmet Zogu ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm…”, duke e konsideruar para zëvendësministrit të Hungarisë Mbretin Zog edhe si “mbështetës të rezistencës antifashiste…” Në takim u vlerësua figura e Mbretëreshës Geraldinë, e cila megjithëse qëndroi shumë pak në Shqipëri, ajo gjatë gjithë jetës së saj ushqeu një dashuri të thellë dhe të vërtetë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi