TIRANË, 24 Shkurt/ATSH-Z.Tosku/-Bordi i Riçertifikimit dhe Akreditimit të Profesionistëve të Shëndetësisë bëri të ditur të martën se brenda datës 15 prill do të publikohet lista e mjekëve, dentistëve dhe farmacistëve që nuk kanë plotësuar numrin e krediteve në kuadër të programit për edukimin në vazhdim.
Mbledhja e Bordit nën drejtimin e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të urdhrave të profesionistëve të shëndetit, Universitetit të Mjekësisë, Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim , Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë, Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, u zhvillua për të diskutuar modalitetet e provimit të ricertifikimit për profesionistët e shëndetësisë që nuk kanë përmbushur detyrimet e programit pesë-vjeçar të ricertifikimit 2010-2014.
Nga analiza paraprake e të dhënave të programit të ricertifikimit rezultoi se 36% e mjekëve, 28 % e farmacistëve dhe 52 % e dentistëve nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre për mbledhjen e krediteve të edukimit në vazhdim. Kryesisht, 1800 mjekë, 606 farmacistë, 1096 dentistë në sektorin public dhe privat , do të duhet ti nënshkrohen provimet brënda gjashtë muajve. Ndërkaq, në mbledhjen e bordit u vendos që brenda datës 15 prill 2015 do të hartohen programet orientuese./a.g/







