Burgu i Fushë Krujës do të rikonstruktohet dhe për këtë arsye, prej ditës së premten ka nisur transferimi i të dënuarve drejt institucione të tjera të vuajtjes së dënimeve.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron, se janë transferuar gjithsej 142 të burgosur, nga të cilët 85 në Burgun e Peqinit dhe 57 në Durrës.

Sipas drejtorisë, nën masa të shtuara sigurie nga polica e Elbasanit dhe Tiranë, dy autokolonat me të dënuarit kanë bërë pa probleme transportimin. Në Peqin dhe Durrës të burgosurve u janë ribërë kontrollet dhe më pas janë sistemuar në qelitë e planifikuara për të vijuar kryerjen e dënimit.

Njoftimi

Në zbatim të Planit të Masave nr. 1261, datë 23.01.2026, dhe për shkak të rikonstruksionit të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fushë-Krujë, ka nisur procesi i transferimit të të dënuarve drejt institucioneve të tjera të vuajtjes së dënimit.

Konkretisht, janë transferuar gjithsej 142 të burgosur, nga të cilët 85 për në IEVP Peqin dhe 57 për në IEVP Durrës. Për realizimin e këtij procesi janë marrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen dhe shoqërimin e të burgosurve nga forcat operacionale, nën drejtimin e specialistëve përkatës. Gjithashtu, për lëvizjen janë njoftuar Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, si dhe komisariatet përkatëse, në përputhje me itinerarin e përcaktuar.

Autokolona me 57 të burgosur ka mbërritur pa probleme në IEVP Durrës, ku nga ana e institucionit janë marrë masat e plota për pritjen, kontrollin dhe sistemimin e tyre, nën drejtimin e drejtuesve të institucionit.

Po ashtu, autokolona me 85 të burgosur ka mbërritur pa probleme në IEVP Peqin, ku janë zbatuar të gjitha procedurat standarde për pritjen, kontrollin dhe sistemimin e të burgosurve, nën drejtimin e drejtuesve të institucionit.

Procesi i transferimit është zhvilluar në mënyrë të qetë, të sigurt dhe në përputhje të plotë me aktet ligjore dhe rregulloret në fuqi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:01
Dalin pamjet e operacionit, si u transferuan 142 persona nga Burgu i Fushë-Krujës drejt Peqinit e Durrësit (VIDEO)

Drejtoria e Përgjithshmë e Burgjeve ka njoftuar se ka realizuar me sukses transferimin e të dënuarve dhe paraburgosurve nga burgu i Fushë-Krujës drejt burgut të Peqinit dhe atij të Durrësit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shpërndarë edhe pamje nga operacioni, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën të ditur se në këtë operacion u përfshinë 340 punonjës policie dhe 48 automjete.

Po ashtu në njoftim thuhet se operacioni u realizua me përdorimin e teknologjisë bashkëkohore dixhitale, përfshirë dronë për mbikëqyrje ajrore, sisteme anti-dron dhe sisteme komunikimi dixhital individual për çdo punonjës të përfshirë.

Në total u transferuan gjithsej 142 persona, 85 prej të cilëve drejt burgut të Peqinit dhe 57 prej tyre drejt burgut të Durrësit.

Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:

Në zbatim të Planit të Masave Nr. 1261, datë 23.01.2026, dhe në kuadër të procesit të rikonstruksionit të IEVP Fushë-Krujë , Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka realizuar me sukses transferimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve drejt institucioneve të tjera të vuajtjes së dënimit.

Gjatë këtij operacioni të mirëorganizuar janë transferuar gjithsej 142 persona, konkretisht 85 drejt IEVP Peqin dhe 57 drejt IEVP Durrës. Procesi është zhvilluar nën masa të shtuara sigurie , me angazhimin e forcave operacionale dhe speciale , punonjësve të specializuar dhe përdorimin e automjeteve të dedikuara . Në këtë operacion janë përfshirë 340 punonjës policie dhe 48 automjete.

Operacioni u realizua me përdorimin e teknologjisë bashkëkohore dixhitale, përfshirë dronë për mbikëqyrje ajrore, sisteme anti-dron dhe sisteme komunikimi dixhital individual për çdo punonjës të përfshirë.

Kamerat e trupit dhe ato të automjeteve transmetuan pamje live, duke garantuar transparencë, kontroll dhe siguri maksimale .

Gjithashtu, operacioni u koordinua në kohë reale me të gjitha institucionet ligjzbatuese përgjatë itinerarit të lëvizjes, përfshirë Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Durrës , si dhe komisariatet përkatëse, duke siguruar një bashkëpunim efikas ndërinstitucional.

Të dyja autokolonat mbërritën pa asnjë incident në destinacionet përkatëse, ku u zbatuan procedurat standarde për pritjen, kontrollin dhe akomodimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve, në përputhje të plotë me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.

Ky operacion dëshmon angazhimin maksimal të Sistemit të Burgjeve për garantimin e sigurisë, investimin në infrastrukturë moderne, përdorimin e teknologjisë së avancuar dhe respektimin me rigorozitet të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Sistemi penitenciar shqiptar vijon të jetë i përkushtuar në ndërtimin e një sistemi bashkëkohor, transparent dhe të sigurt, në funksion të rendit, ligjit dhe dinjitetit njerëzor.