TIRANE-Krahas ndërtimit të shkollave të reja po vijon puna edhe me rikonstruksionin e shkollave aktuale. Puna po vijon me ritme të larta për rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare "Bashkim Berisha" në qendër të Njësisë Administrative Ndroq.
Ndërsa edhe pse afati i përfundimit të punimeve në këtë shkollë është muaji nëntor, sipas bashkisë ajo pritet të jetë gati që ditën e parë të shkollës. Kështu që fëmijët kur të kthehen në shtator do të gjejnë një shkollë të re, plotësisht të rikonstruktuar dhe me kushtet shumë më të mira.
Bashkia e Tiranës thotë se puna do të vazhdojë gjatë gjithë verës, në mënyrë që qytetarët nga më të vegjlit te më të rriturit, kur të kthehen nga pushimet të gjejnë një infrastrukturë më të mirë, të gjejnë shkolla të rinovuara, kopshte, çerdhe të reja dhe jo vetëm.